E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Nisim betejën e fitores me një epërsi të madhe morale

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj partie se, “PD hyn në këtë fushatë pas një seri betejash herkuliane, por me premisat më të fuqishme për një fitore historike”

Ne, theksoi Berisha në fjalën e tij, “nisim betejën e fitores, me një epërsi të madhe morale, epërsi të madhe në kandidaturat tona, epërsi të madhe programore dhe në mbështetjen e madhe të publikut dhe mbështetjen e madhe ndërkombëtare”.

Berisha u shpreh se, “këto janë premisat më të fuqishme për një fitore historike të PD-së më 11 maj, fitore e cila ka filluar të hetojë, të rezonojë në mbarë botën”.

“PD hyn në këtë fushatë pasi një seri betejash herkuliane, të papara, jo vetëm i përballoi ato, por bëri edhe opozitën më të fuqishme në kushtet e një narkoshteti”, tha kreu i PD.

Berisha nënvizoi se, “qëndresa e aktivistëve, militantëve, drejtuesve të PD, deputetëve të saj, ndaj një regjimi diktatorial të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, është një betejë epike në historinë e një kombi për liri”.

Sipas Berishës, “kurrë ndonjëherë një opozitë në kushte shumë të vështira dhe të veçanta, nuk ia ka dalë t’i bëjë opozitën, kundërshtinë, denoncimin, faktimin, provat një diktature siç ia ka dalë PD-ja këto vite”.

Dhe kjo, u shpreh ai, “është në nderin e të gjithë atyre që nuk u dorëzuan, por vendosën të luftojnë dhe luftuan me sukses”.

Berisha u shpreh se, kandidaturat e PD janë të denja për 3 parlamente.

“Në këtë garë, siç jeni dëshmitarë, më e hapura në historinë e këtij vendi, qindra djem, vajza, burra, gra, paraqitën lirshëm, pa asnjë lloj presioni apo ndikimi vullnetin e tyre për të kandiduar për forcën tonë politike. Këto kandidatura të shkëlqyera do të thosha, ishin të denja për tre parlamente. Vështirësitë e mëdha ishin për zgjedhjen e të mirëve dhe më të mirëve mes tyre”, tha ai.

Berisha u shpreh se epërsia e PD është programi. Ky program, theksoi kreu i PD, “do e shndërrojë vendin në një Shqipëri Madhështore”.

“Epërsia jonë është morale dhe programore. Ne kemi një program të shkëlqyer, një program që nuk e ka pasur kurrë Shqipëria më parë. Një program të hartuar me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të fondacioneve Heritage dhe Adenauer. Një program, i cili këtë Shqipëri të sotmen, që braktiste masivisht nga shqiptarët, e shndërron në një Shqipëri Madhështore, krenare për shqiptarët. Një program i cili në çdo kolonë të tij, në çdo projekt të tij është konkret dhe 100 përqind i realizueshëm”, tha Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›