Berisha rrit pagat e pensionet me 6% para zgjedhjeve. Jepen edhe 45 milion USD për ish- të përndjekurit
Qeveria shqiptare u mblodh në një orar të pazakontë, në orët e mbrëmjes, për të miratuar në parim rritjen e pagave, pensioneve si dhe dhënien e dëmshpërblimit për të përndjekurit.
Edhe pse është një vendim qartazi me sfond elektoral, kryeministri Sali Berisha tha se vendimi do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve.
Miratojmë në parim rritjen e rrogave dhe pensioneve. Rrogat do të rriten deri në 6% dhe do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve. Ai nuk flet kurrë për rritje rrogash dhe pensionesh, ai flet thjesht do ul këtë taksë dhe do rrisë këtë taksë nga e cila lind vetëm kaosi ekonomik, u shpreh Berisha.
Në listën e vendimeve ka një vendim të rëndësishëm, qeveria vendos një shumë të madhe, për dëmshpërblimin financiar, për 1 mijë e 40 të përndjekur politik në masën rreth 45 milionë dollarë. Kjo është një shlyerje tjetër e detyrimeve që ka qeveria shqiptare ndaj ish- të përndjekurve politik. Ky proces nuk është ndërprerë në asnjë rast dhe unë garantoj të përndjekurit politik se qeveria do të shlyejë brenda afateve detyrimin, vijoi kreu i qeverisë.
Gjithashtu, një tjetër vendim ishte dhe rimbursim me para në dorë i makinerive që fermerët shqiptarë blejnë brenda vendit./ep