Uidhers: Më 24 qershor do jetë agimi i ndryshimit. Kjo qeveri ushqehet nga korrupsioni
Ish- ambasadori amerikan u kërkon shqiptarëve që të dëgjojnë Arvizunë dhe jo fjalët e Xhonatan Mur. Ai thotë se Berisha i sulmon ambasadorët amerikanë, ndërsa për ironi thotë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë të mira. Uidhers shpreh shqetësim për zgjedhjet
Ish- ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, në një intervistë për A1Report, thotë se tani qeveria nuk e toleron korrupsionin, por ushqehet prej tij.
Mendoj që kjo është një nga dështimet më të mëdha të qeverisë, që interesat me amerikanët nuk janë stimuluar në mënyrë të plotë. Besoj se një nga elementët kritikë është kjo. Unë në fakt besoja se e toleronte korrupsionin, por korrupsioni tani ka arritur në nivele aq të larta në Shqipëri sa unë besoj se qeveria ushqehet nga korrupsioni, nga këto të mira që fitohen jo në mënyrën e duhur. Unë madje kam lexuar që 1/3 e buxhetit kombëtar, 400 milionë dollarë janë nxjerrë në mënyrë të jashtë ligjshme jashtë vendit. Mendoj se mjedisi është aq i korruptuar dhe qeveria nuk ka interesat e popullsisë, por që të pasurojë miqtë e vet në radhë të parë. Pikërisht, pse duhet të vijë një kompani amerikane në Shqipëri kur ka probleme korrupsioni? Duhet të japë ryshfete? Kur mund të shkojë në një vend tjetër ku nuk ka të tilla probleme. Një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie është dështimit për të krijuar një bashkëpunim ndërmjet investitorëve amerikanë dhe Shqipërisë, tha Uidhers.
Ish- ambasadori tha se shqiptarët duhet të dëgjojnë ambasadorin Arvizu dhe jo Xhonatan Mur.
Ai theksoi se si ka mundësi që Berisha i sulmon ambasadorët amerikanë.
Natyrisht që kjo është shqetësuese, jo vetëm për ambasadorin amerikan, por edhe të tjerët para tij që në një moment të caktuar ata sulmohen nga kryeministri Berisha. Kjo është vërtet ironike në fakt, sesi ka mundësi që kryeministri që thotë se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA janë shumë të mira dhe nuk shkon mirë me përfaqësuesin e SHBA-së. Puna qëndron këtu: që çdo ambasador amerikan ka për detyrë të përfaqësojë interesat e popullit amerikan, pra të thotë të vërtetën. Në një demokraci ne flasim në mënyrë të hapur dhe do japim mendim edhe për një gjë që ndoshta ty nuk të pëlqen ta dëgjosh. Pra, ambasadori amerikan e sheh atë që ndodh, flet për atë dhe kryeministri i hedh ato poshtë sepse nuk ka dëshirë ta dëgjojë të vërtetën ashtu siç shprehet ajo, tha Uidhers.
Ai shprehet kundër thirrjeve të Fatos Lubonjës për të mos votuar.
Uidhers shprehet i shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri dhe u bën thirrje shqiptarëve për ripërtëritje dhe për të marrë demokracinë në dorë.
Jam i shqetësuar për atë që zgjedhjet nëse do jenë të lira. Kam parë një raport që doli nga misioni i ODIHR, kur rreth 300 mijë persona skanë adresën e saktë që në rast se privohen nga vota, do ndikojnë tek mandatet në Parlament. Jam ende i shqetësuar për KQZ-në. nuk ka qenë ndonjë organizëm shumë i fortë. E dimë që mund të manipulohej, por tani shohim me shqetësim si mund të funksionojë me legjitimitet. Unë e kam quajtur veprimin e Parlamentit kundër KQZ një grusht shteti administrativ dhe kjo deklaratë nuk është mjaftueshmërisht e fortë. Si mundet që një strukturë kaq qendrore për të vendosur zgjedhjet është në këtë gjendje? Përsa i përket datës 24 qershor, shpresoj që do jetë një agim i ri, agimi i ndryshimit dhe ato që kanë ndodhur deri më tani do ndalohen nga veprimet e zgjedhësve shqiptarë. Fjala ime e fundit është që shqiptarët të marrin demokracinë e tyre./ep