Berisha shpall Bashën: Duam Tiranën e qytetarëve
Kryeministri prezantoi dje Lulëzim Bashën, për Bashkinë e Tiranës: “Ne ju mbështesim ju sot, z. Basha, sepse ti ke faktuar të shkëlqesh në të gjithë jetën tënde”
TIRANË Kryeministri Sali Berisha preferoi demokratët e mbledhur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, për të thënë arsyet se pse Partia Demokratike mbështet Lulëzim Bashën, për garën e kryeqytetit. “Do ta them fjalën time në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, - u tha Berisha anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të mbledhur vetëm një orë para se Lulëzim Basha të shpaloste programin e tij për garën e kryeqytetit. Dhe këtë taktikë ndoqi. Ndryshe nga çdo herë tjetër, Kryeministri i vendit u tregua më i kujdesshëm se kurrë, në qëndrimin e tij politik. Berisha foli më së shumti për vlerat e Lulëzim Bashës, si student i dalluar dikur, më pas si njeri, që ka njohur suksese në karrierën e tij politike dhe së fundmi si familjar i devotshëm. “Jemi mbledhur sot, për t’i shprehur mbështetjen tonë kandidatit të Partisë Demokratike, të “Aleancës për Qytetarin”, njërit prej personaliteteve më të shquara të sukseseve të Partisë Demokratike. Njërit prej qytetarëve më të shquar të kryeqytetit, intelektualit të talentuar, z.Lulzim Basha... Ne ju mbështesim ju sot, z. Basha, sepse ti ke faktuar të shkëlqesh në të gjithë jetën tënde, ti shkëlqeve si studenti shqiptar në universitetin e vendeve të ulta, si njëri prej studentëve më të shkëlqyer të atij universiteti, universitet, që renditet në nivelet më të larta të universiteteve të Europës dhe të botës”, - tha dje Berisha. Kryeministri njoftoi gjithashtu edhe për pritjen e fëmijës së dytë në familjen Basha. “Ne mbështesim sot Lulzim Bashën, bashkëshortin shembullor, prindin shembullor. Në fakt ai, do të bëjë fushatë jo vetë i treti, por vetë i katërti, së bashku me Aurelën, me Dafinën, por sëbashku edhe me të shumëpriturin apo të shumëpriturën. Dëshmi kjo e vlerave që ne ju besojmë, e vlerave që Tirana i ka të shenja, e vlerave familjare, që Shqipëria i ka hyjnore”, - tha ai. Kryeministri e kishte një përgjigje edhe për qëndrimin e deritanishëm të opozitës ndaj Lulëzim Bashës për rrugën “Durrës-Kukës”. “Zoti Basha, armiqtë e saj të shumtë, u përpoqën të hedhin baltë mbi rrugën, mbi kombin. Menduan se do të mund të të kryqëzonin për fajin e vetëm, se shndërrove në realitet një nga ëndrrat shekullore të shqiptarëve. Atyre ju mbetet e shkuara, kurse juve ju mbetet vizioni i ardhshëm për Tiranën e qytetarit, për Tiranën kryeqytetit europian”, - tha ai. Berisha tha se qeveria që ai drejton, do t’i besonte Lulëzim Bashës, diplomacinë e integrimit të Shqipërisë në NATO. Kryeministri kujtoi gjithashtu edhe ndihmesën që Basha ka dhënë për liberalizimin e vizave. Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit, i kujdesshëm në fjalorin e tij, përcolli një qëndrim edhe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. “Jam përpjekur me dashurinë më të madhe, me mirënjohjen më të thellë, të ndihmojmë si qeveri, të bëjmë çdo gjë për një Tiranë tjetër, pavarësisht se këto 6 vite, Tirana qeveriset nga kundërshtarët tanë. Qeveria ime trefishoi fondet në mënyrë që qytetarët e Tiranës të ndienin në jetën e tyre të përditshme, të prekin ndryshimin dhe standardet e një Tiranë tjetër, por kjo u bë e pamundur, sepse Tirana e ëndrrës u zëvendësua me Tiranën e betonit. Tirana e parqeve u zëvendësua me Tiranën e plehrave. Tirana e vizionit u zëvendësua me Tiranën e mbyllur...”, tha ai. Së fundmi, Kryeministri Berisha iu drejtua brezit të së ardhmes, duke marrë si shembull vajzën e Lulëzim Bashës, Dafina. ”E dashur Dafina, unë të premtoj ty dhe të gjithë dafinave të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, se Tiranën do ta bëjmë të bukur si ëndrrën tënde. Kjo qeveri, do së pari Tiranën e qytetarëve, Tiranën europiane, si përparësinë e saj më madhore, ku qytetarët e saj të lëvizin si qytetarë Europiane, ku fëmijët e saj të shkollohen si fëmijë europianë, ku të moshuarit e saj të ndihen si të moshuar europianë, ku burrat dhe gratë e saj të kenë mundësi të zhvillojnë gjithë energjitë e tyre, ku gjendja krijuese e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë kombit të shndërrohen në fytyrën e vërtetë europiane të Tiranës”, - tha kryeministri.
Nevila Perndoj
Mësuese Xoxa: Serioziteti dhe
këmbëngulja, tiparet e Bashës
TIRANË “Sot po i them Lulit, si dikur në fund të hartimit, ‘Të lumtë Luli”. Këto ishin fjalët e mësueses së tij të fillores, Merita Xoxa. Edhe pse pensioniste tashmë, Merita Xoxa e kujton mjaft mirë Bashën si nxënës i fillores. “Dua t’ju them se me po atë seriozitet që merrte shkollën, me po atë seriozitet e merr edhe punën”, - tha ajo. Mësuese Xoxa tha mbrëmë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” se serioziteti dhe këmbëngulja janë tiparet që e udhëheqin Bashën. Ajo kujtoi gjithashtu se, Basha shquhej për aftësitë e tij organizative, ndërkohë që nuk la jashtë fjalës së saj të shkurtër, edhe problematikën që shoqëron sot arsimin. “Kemi shkolla me dy turne, me nga 50 veta në klasë”, - tha ajo, duke i kërkuar Bashës që kjo situatë duhet të ndryshojë.
Zamir Ndroqi: Basha ka mision
ta kthejë Tiranën te njerëzit
TIRANË Doktor Zamir Ndroqi ishte një tjetër qytetar dje, që dha mbështetjen për kandidaturën e Lulëzim Bashës. Nipi i kryetarit të parë të Bashkisë, Ismail Ndroqi, kujtoi në fjalën e tij se ka një porosi brezash për Tiranën. “Nuk mund të jetojmë më në një qytet me një nivel kaq të lartë ndotjeje”, tha mbrëmë doktor Ndroqi, duke i kërkuar Lulëzim Bashës se në rast fitoreje, ai ka mision ta kthejë Tiranën tek njerëzit dhe për njerëzit.
Futbollisti Bogdani: Jam në skuadrën e Bashës
TIRANË Futbollisti i njohur, Erion Bogdani, tha dje se kishte ardhur në atë sallë të madhe nga dashuria e tij për qytetin. Duke mbështetur kandidaturën e Lulëzim Bashës, Bogdani tha se në Tiranë tashmë mungojnë hapësirat e gjelbërta, si dhe sheshet ku fëmijët të luajnë. “Tirana meriton më shumë”, tha ai. Bogdani e rreshtoi veten përkrah Lulëzim Bashës, në betejën e këtij të fundit për kryeqytetin. “Unë sot jam në skuadrën e Lulëzim Bashës”, tha ai.
Zgjedhjet, lista e PD-së shpallet nesër zyrtarisht
TIRANË Lista përfundimtare e kandidatëve të PD-së për kryetar bashkie dhe komunash, për zgjedhjet lokale të 8 majit, do të bëhet publike vetëm nesër. Këshilli Kombëtar i PD-së u mblodh dje vetëm pak minuta, për të shpërndarë porositë e fundit për fushatën, si dhe për të mbështetur zyrtarisht kandidaturën e Lulëzim Bashës për Tiranën. Kryeministri Berisha njoftoi gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, se lista përfundimtare e PD-së për komunat dhe bashkitë do të jetë gati vetëm ditën e dielë. Për këtë arsye, anëtarët e Këshillit Kombëtar do të mblidhen nesër në mesditë, për t’i dhënë fund edhe zyrtarisht atyre emrave që paraprakisht janë zgjedhur nga strukturat e PD-së në rrethe, por edhe janë kaluar në sitën e lidershipit të ngushtë të partisë.