E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsulli Rizopulos: 8 Maji dhe regjistrimi, betejat e minoritetit

Konsulli grek në Gjirokastër deklaron para mbështetësve dy synimet e grupimeve politike të minoritetit për muajt e ardhshëm

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule është shprehur se me gjithë divergjencat e momentit në kampin e opozitës, sërish në zgjedhjet e 8 majit, PBDNJ-ja do të renditet forca e tretë politike në vend. I pranishëm në organizimet e ndryshme, në kuadër të 190-vjetorit të Pavarësisë së Greqisë, kryetari i PBDNJ-së, është shprehur për gazetarët se, PBDNJ-shi ka disa veçori që e dallojnë nga forcat e tjera politike. Këto veçori, sipas tij, disa i konsiderojnë si një element pozitiv, disa edhe ndryshe. “PBDNJ ka fizionominë e vet, e cila shpesh herë e imponon që të ruajë mënyrën e pavarur të kandidimit edhe në zgjedhje. E ka bërë këtë në mënyrë sistematike në zgjedhjet administrative dhe në zgjedhjet politike. Bëmë vetëm një përjashtim në zgjedhjet politike të 2009-ës, për arsye të kushteve politike, të cilat ishin kërcënuese për parimet parlamentare të PBDNJ, nga kodi që u adoptua dhe që është ende në fuqi”, ka pohuar Dule për gazetarët. Ne, ka vijuar ai, jemi të bindur se PBDNJ i ka influencat e duhura elektorale, për të vazhduar të jetë në vendin e tretë të forcave politike për nga numri i bashkive dhe komunave, që do të administrojë sërish pas zgjedhjeve të 8 majit. Kryetari i PBDNJ-së Dule, ministri i Punës dhe deputeti Spiro Ksera, konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Joanis Rizopulos, etj kanë qenë të pranishëm, ditën e premte, në aktivitetet e organizuara në kuadër të 190-vjetorit të Pavarësisë së Greqisë, në fshatin minoritar të Derviçianit, në Gjirokastër. Pasi ka lexuar përshëndetjen e Presidenti të Greqisë, Karolios Papulias, konsulli Rizopulos është shprehur se, minoriteti grek në Gjirokastër ka përpara dy ngjarje të rëndësishme, e para janë zgjedhjet lokale dhe e dyta regjistrimi i popullsisë. “Ju ftoj që pa frikë juve të jeni pjesë e regjistrimit të popullsisë pasi jetoni në Shqipëri”, i është drejtuar konsullit grek në Gjirokastër banorëve të Dropullit. “Minoriteti grek është prezent në Shqipëri dhe këtë duhet ta tregojë me guxim dhe pa frikë”, deklaroi konsulli grek Rizopulos. Rizopulos, pasi i uroi minoritarët grekë për festën e 25 marsit, lexoi letrën, drejtuar atyre nga presidenti grek Karolios Papulias, i cili theksoi mbështetjen që shteti grek i jep “Vorio epirit”, sikundër e quajnë grekët jugun e Shqipërisë, ku jetojnë më minoritarët grekë. Ministri Spiro Ksera nënvizoi se liria dhe demokracia janë dy elementët kyç, që duhen arritur e shfrytëzuar. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mbeti jashtë koalicionit opozitar të regjistruar dy ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Socialistët dhe kreu i PBDNJ-së nuk u morën vesh për kandidimin për herë të tretë të Vasil Bollanos për kryebashkiak të Himarës. Partia Socialiste i kërkoi aleatit të saj që të mund të vendoste një tjetër emër për zonë të lirë, ndërsa duhet të hiqte dorë nga emri i Bollanos. Kusht ky që u konceptua si i panegociueshëm nga ana e përfaqësuesit të PBDNJ-së. Koalicioni me 23 parti, nën emrin “Aleanca për të Ardhmen”, nuk do të mund të përfitojë nga votat e mbështetësve të minoritetit grek në Tiranë, por as në zonat e jugut. Bledar Shehu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›