E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama në Elbasan: Të bëhemi bashkë për Shqipërinë 2030 në BE, këneta mbretëria e bufit

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i bëri thirrje sot qytetarëve elbasanas të votojnë PS-në në zgjedhjet e 11 majit duke theksuar se “i gjithë Elbasani dhe të gjithë banorët e këtij qarku të bëhen bashkë për Shqipërinë 2030 në BE”.

Në nisje të fjalës së tij në Elbasan gjatë takimit përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, Rama përkujtoi ish-kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili ka ndërruar jetë në 2024-n.

“Sonte erdha pak më përpara orës dhe qëndruam disa minuta aty në pritje që të vinte ora edhe pashë gjithë këtë lumë njerëzish dhe pata një kujtim të kohës kur erdha në Elbasan për herë të parë si kryetar i PS-së, ka qenë fiks 20 vjet më parë. Do të doja shumë sot që këtë lumë njerëzish që është mbledhur këtu nga të dy anët e këtij bulevardi ta shikonte dikush që këtu nuk është sot. Dua të besoj që Qazim Sejdini na shikon nga lart dhe dua të çoheni në këmbë dhe të bëni një duartrokitje për Qazim Sejdinin”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “atëherë e kemi filluar me një grusht njerëzish jo se PS ishte një grusht, por se vinte nga një disfatë e madhe dhe sa herë jam rikthyer këtu ai grup njerëzish ka shkuar duke u hapur dhe sot është kjo dorë, e cila në 11 maj kërkon që i gjithë Elbasani dhe të gjithë banorët e këtij qarku të bëhen bashkë për Shqipërinë 2030 në BE”.

“Të bëhen bashkë për të vazhduar të ngjitemi drejt asaj maje që ne e kemi mision dhe drejt të cilës fati ynë e desh që pikërisht në këtë moment të na vijë mundësia që me votë t’i japim Shqipërisë fuqinë që i duhet për t’i ngjitur edhe metrat e fundit dhe për të vendosur në atë majë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, për ti dhënë fund një historie shumë të gjatë që i ka bërë shqiptarët të ndjehen, por që i ka detyruar të trajtohen si të ardhur në Europë, si qytetarë të dorës së dytë të Europës, si të huaj në zemër të Europës”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “Zoti na ka vënë këtu në zemër të Europës dhe jemi ndër të parët, ndër kombet më të vjetra, por historia jonë e ka dashur që gjërat për ne të mos shkojnë lehtë. Përkundrazi, historia jonë e ka dashur që ky popull të kalojë male vështirësish, të rrëzohet dhe të vuajë peshën e tmerrshme të fuqive që kanë dashur ta zhdukin fare, t’ia marrin gjuhën t’ia tresin, po megjithatë ky popull ja ku është”.

“Brenda nesh ka një shpirt që është shpirti europian i shqiptarit. Dhe ai shpirt mund të materializohet në një identitet europian jo vetëm me zakon, por edhe me ligj, jo vetëm me histori, por edhe me vendim, me vendimin që duhet të marrim ne në 11 maj dhe që duhet t’ia imponojmë Europës dhe Shqipëria të ulet si zonjë në sallonin e madh të shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar”, tha Rama.

Duke u ndalur te gjuha e përdorur në fushatë nga drejtuesi politik demokrat i qarkut, Tomor Alizoti, Rama tha se “sot paradite shkova në Librazhd dhe pata një moment që më kapi “frika” kur po i afrohesha Librazhdit. Më kapi frika, se thashë mos më ha Tomor Alizoti të gjallë. Mirëpo shkoj edhe atje gjej lumë, shiko andej-këtej gjithë frikë, s’e pashë asgjëkundi “Ludovikun”. Tani që ju shikoj juve them me vete: e kupton more Tomor se çfarë do të hash të gjallë ti?! Ka një fjalë populli shqiptar: “Tafmaja e madhe të lë pa gjë”, por me sa shikoj unë tafmaja e madhe ty do të lërë pa zë”.

“Tomor, ke gjetur vendin, njerëzit dhe forcën më të gabuar për t’u ngatërruar. Më del para syve Tomori dhe e mendoj më datë 12, ndërkohë që Tomori nuk e mendoi dy herë kur e sollën këtu, që këtu ishte Luçiano “fake” Pavaroti. A ju kujtohet kur thoshte: “Erdhi fundi, edhe pak ditë”, dhe pastaj doli gjithë ai burrë dhe tha: “Na i vodhi votat elektronika”. E çuan në Shkodër, aty ku i kanë dëgjuar operat para të tjerëve, çuan Luciano “fake” Pavarotin dhe këtu sollën Tomorin. Më thotë dot dikush se çfarë duhet të bëjnë demokratët e Elbasanit, qytetarët me këtë tallje të madhe, çfarë duhet të bëjnë? Ndërkohë që këtu, ky shesh është dëshmitar i një “therje” të madhe, e therën gjelin e detit të Peqinit, e therën se fluturoi lart, fitoi primaret Dashi. Mirëpo nuk është në asnjë vend, e hëngrën, e therën, po dashi nuk është zog kënete, ka shtatë shpirtra”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “çfarë të bëjmë ne që të shpëtoni nga ai makth, të dilni nga ajo kënetë. Këneta nuk do asgjë dhe askënd, që nuk është komplet i gatshëm të bëjë “kua kua kua”. Kush ka pak më shumë zë, pak më shumë mend, pak më shumë ego dhe mbi të gjitha dhe kush ka pak më shumë përkrahje, nuk i duhet kënetës. Këneta është mbretëria e bufit”, theksoi Rama.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›