E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shprehet i gatshëm për t’u paraqitur në SPAK për 21 Janarin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, bëri të ditur një paketë qëndrimesh dhe aksionesh që do të ndërmarrë PD-ja në ditët në vijim, duke përfshirë bojkotin e punës në komisionet parlamentare dhe vendosjen e një platforme proteste para Kryeministrisë.

Berisha, ka konfirmuar gjithashtu gatishmërinë e tij për t’u paraqitur para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), lidhur me ngjarjet tragjike të 21 Janarit 2011.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha bëri të ditur se ende nuk ka marrë personalisht asnjë fletëthirrje nga SPAK.

“Prokurori më parë ua çon gazetarëve se ma sjell mua. Kam kërkuar hetimin e atyre ngjarjeve tragjike të 21 Janarit. Kam kërkuar prokuror ndërkombëtar,” u shpreh z. Berisha.

Lideri i PD-së theksoi interesin e tij personal për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke hedhur akuza se hetimi ka qenë i penguar nga Rama.

“Shkoj në çdo thirrje. Jam thellësisht i interesuar të hetohet e plotë kjo ngjarje,”, theksoi Berisha.

Bojkot në komisione

Duke u ndalur te bojkoti, Berisha theksoi se ky nuk është një opsion i preferuar, por një mjet për të detyruar kthimin e Kuvendit në binarët kushtetues, pas asaj që ai e cilësoi si bllokim të debatit për dhjetë seanca me radhë.

“Do të bëhet çdo përpjekje për rikthimin e Kuvendit dhe funksionimin e tij mbi bazën e ligjit dhe të Kushtetutës. Sot për sot Kuvendi funksionon jashtë përcaktimeve të Kushtetutës, është kthyer në një instrument kundër opozitës,”, deklaroi z. Berisha.

Ai shtoi se qëllimi është që të përdoren të gjitha mjetet që Parlamenti të kthehet në funksion mbështetur te Kushtetuta.

Platformë proteste para kryeministrisë

Lideri i PD-së bëri të ditur se është diskutuar vendosja e një platforme, me kërkesën për largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Do të vendosim platformën para kryeministrisë për largimin e Ballukut dhe Ramës. Platforma do të vendoset në ditë të caktuara. Ka një ide për të enjten, por ende po diskutohet,”, tha Berisha, duke treguar qëllimin për të rritur presionin publik.

Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve të pjesshme vendore, ku PD mbështeti kandidatët e pavarur, Berisha i cilësoi ato si një “farsë zgjedhore” dhe theksoi se vendi ka një autokraci elektorale që duhet luftuar. Ai falënderoi kandidatët e pavarur që guxuan të merrnin pjesë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›