Dëshmia në Hagë, diplomati amerikan Hill: Ishte e pamundur të gjeje një udhëheqje me autoritet në UÇK

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka dëshmuar këtë të hënë, 10 nëntor, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku tha se gjatë viteve të luftës në Kosovë ka qenë shumë e vështirë të identifikohej një udhëheqje e qartë brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hill, i cili në vitin 1998 ishte i angazhuar në çështjen e Kosovës nga Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright, deklaroi se kjo mungesë e strukturës politike e kishte bërë të ndërlikuar komunikimin zyrtar me përfaqësuesit e UÇK-së.
“Problemi i madh, natyrisht, ishte paaftësia për të gjetur një udhëheqje aty, për të gjetur njerëz që flisnin me autoritet. Kjo e bënte shumë të vështirë çdo komunikim zyrtar me përfaqësues të UÇK-së,” – tha Hill gjatë dëshmisë.
Gjatë dëshmisë së tij, Hill, i thirrur nga mbrojtja e Thaçit, përmendi se në Kosovë kishte kontaktuar kryesisht me Ibrahim Rugovën, ndërsa në Serbi me Sllobodan Millosheviçin, duke e përshkruar situatën politike të asaj kohe si “tejet të fragmentuar dhe sfiduese”.
“Në Serbi kishim vetëm një bashkëbisedues – Millosheviçin. Në Kosovë ishte ndryshe, kishte shumë mendime, por pak autoritet,” – tha ai, duke shtuar se mungesa e një përfaqësimi të unifikuar nga pala kosovare e vështirësonte edhe angazhimin diplomatik të SHBA-ve.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pritet të vazhdojë me dëshmitë e tjera të mbrojtjes në ditët në vijim. Ata akuzohen për krime lufte, akuza që ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar.
/rtsh.al/