E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shtron iftar: Besimet, asnjëherë shkak konfliktesh

Kryeministri Sali Berisha shtroi të shtunën një iftar për besimtarët myslimanë në nderim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Kryeministri Berisha shprehu nderimin e tij jo vetëm ndaj udhëheqësve të komuniteteve fetare myslimane në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e kudo, por edhe ndaj të gjithë udhëheqësve të besimeve fetare te kombit shqiptar.

Ju, në shekuj keni kristalizuar, keni konsoliduar në Shqipëri, traditën më të shkëlqyer të tolerancës dhe mirëkuptimit fetar. Ju keni bërë që për shqiptarët vlerat, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe vlerat hyjnore të jenë në një harmoni të plotë. Ju keni faktuar se liritë dhe të drejtat universale janë të njëjta për të gjitha besimet fetare dhe se shqiptarët pavarësisht nga besimet e tyre kanë këto vlera, si vlera më eprore. Unë jam i bindur se në këtë vlerë të madhe qëndron edhe mesazhi më i shkëlqyer që shqiptarët përcjellin tek kombet e tjera. Në historinë e shqiptarëve, besimet fetare nuk kanë qenë asnjëherë shkak konfliktesh, luftërash apo përballjesh politike, tha kryeministri Berisha.

Zoti Berisha, duke shtuar se sot, fatkeqësisht, sërish ka përplasje, sërish ka përpjekje për përdorimin e besimeve për interesa të caktuara politike, i përgëzoi të pranishmit që ecën në gjurmët, në traditën më të shkëlqyer të paraardhësve tuaj, të cilët sakrifikuan, të cilët u martirizuan për të mbrojtur me dinjitet këto vlera.

Kryeministri Berisha gjithashtu theksoi se besimi tek Zoti është një forcë e madhe, e jashtëzakonshme e njeriut, përbën një forcë të pashtershme shpirtërore të përkushtimit të tij për veten, për familjen, për vendin, për shoqërinë./Telegrafi/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›