INTERVISTA/Edi Rama: Të nxjerrim vendin nga llumokracia
Intervistë ekskluzive e kryetarit të opozitës zotit Edi Rama: Kjo nuk është një demokraci që lejon rrotacionin përmes votës, po një llumokraci … Kjo sështë beteja e një partie me një tjetër, po e një populli të marrë peng…
Kryetari i opozitës së majtë shqiptare, kryetari i PS-së zoti Edi Rama, në intervistën ekskluzive për Shqip, gjendjen e sotme të demokracisë në vend e përcakton si llumokraci. Udhëheqësi kryesor i opozitës përcakton si dilemë publike jo cështjen:.. kush vjen nesër në qeveri, po kush duhet të largohet nga qeveria. Ndërsa i sugjeron një qëndrim të ri politik Presidentit Topi, shprehet për zgjedhjet e reja presidenciale në vend si dhe për kërkesën e opozitës për ndryshimet kushtetuese. Për kreun e opozitës, kundërshtari politik i tij, kryeministri Berisha ……po e kërkon damkën e historisë siç kërkon një kumarxhi shkatërrimin në derën e kazinosë duke futur në dorën e fundit shtëpinë megjithë familjen.
Pyetja e parë dhe e shpeshpërmendur këtyre ditëve, në mjedisin publik shqiptar, është: Cdo të bëjë opozita dhe cili do të jetë kursi i kreut të saj Edi Rama?
Ndjesë po pyetja e parë sot, mot, gjithnjë, në një vend që pretendon të mirëqeveriset, nuk është çdo bëjë opozita, po çbën qeveria dhe çduhet bërë me qeverinë që sbën(?). Më pas vjen opozita e padyshim edhe opozita e shtron këtë pyetje dhe bën e do bëjë sa mundet. Mirëpo në thelb, sipas meje, kriza që po bren gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ska gjasë të zgjidhet nëse skuptohet nga të gjithë ata që shqetësohen prej kursit antidemokratik të qeverisë se sot ska më asnjë vend mënjanë, asnjë boshllëk për të luajtur rolin e të tretit të vërtetit duke mos u përzier drejtëpërdrejt në betejë, asnjë mundësi që teksa Saliu gllabëron copa Shqipërie, duke shkelur pa gajle liri e të drejta kudo ku shkel, kushdoqoftë që se pëlqen opozitën, për çfarëdo arsyeje pastë e sado të drejtë e pastë, të ngushëllohet në këndin e paanshmërisë së tij duke ia lënë fajin opozitës për frymën që i merret në atë kënd.
Sa për kursin e ri të opozitës është i shpallur, ne i fituam zgjedhjet e 8 majit si rezistencë opozitare, zgjedhjet e ardhshme do ti fitojmë si alternativë qeverisëse, me gjithshka kemi në zemër, në mend e në dorë. Kujt nga ata, që ju i përmblidhni në termin mjedis publik shqiptar e që me të drejtën e vet legjitime, si pëlqen qasja e opozitës, fjalët e aksionet e saj, le ta bëjë opozitën sipas mënyrës së vet, pa harruar për asnjë çast që sot problemi i Shqipërisë sështë opozita po qeveria. Kështu pasurohet, në mendimin tim modest, edhe opozitarizmi, që është shumë më i gjerë sesa opozita zyrtare, ajo e partive, e cila smund të ezaurojë dot jo këtu, në errësirën e këtij vendi me demokraci të stërkufizuar, po askund, as nën dritën e demokracive më të mëdha, të gjitha ekzigjencat e kundërshtisë qytetare ndaj qeverisë. Ndërsa bërja me vend e pa vend e opozitës së opozitës, nga ca lartësira superioriteti moral mbi palët, që disa ia japin vetes për të fjetur të qetë pasi bëjnë gjykatësin e paanshëm në kushtet kur në Shqipëri pala në pushtet vret, vjedh, gënjen përditë zi e më zi, është si ajo puna pa dobi e priftërinjve që merreshin me seksin e ëngjëjve teksa po binin muret e Konstandinopojës.
Në gati tre vjet opozitarizëm ju keni preferuar mjetin e bojkotit dhe gjysëm-bojkotin parlamentar. Sa ekziston mundësia që në sesionin e ri parlamentar të kemi sërish një marrëdhënie të tillë të opozitës më parlamentin?
Jo, sjanë tre po dy vitet e këtij parlamenti dhe bojkoti ka zgjatur vetëm gjashtë muaj, për një qëllim të arritur në fund të bojkotit, që ishte vendosja e çështjes së krizës së zgjedhjeve në tryezën e punëve të Shqipërisë këtu e kudo në botë ku ka një zyrë që merret me vendin tonë. Ndërsa gjysëm-bojkoti se di se çështë, po nëse i referoni faktit që ne kemi refuzuar të votojmë duke qenë të pranishëm në Kuvend, kjo lidhet me burimin e pistë të mandatit të shumicës së sotme për të qeverisur Shqipërinë, qasje që përsëri ka dhënë rezultatin e vet në drejtim të rritjes së ndjeshmërisë së përgjithshme për çështjen madhore të zgjedhjeve. Të gjithë sot e dinë, në Shqipëri e në botë, se ky vend ska zgjedhje normale, po zgjedhje të cungëta që si përmbushin standartet ndërkombëtare. Dhe ska dyshim se kapakun kësaj historie të shëmtuar, që ne e bëmë publike me sakrifica e kosto jo të vogla për ne vetë në dy vjet, e vuri farsa e madhe e Tiranës në KQZ e Kolegjin Zgjedhor. E cila është raportuar besnikërisht nga arbitri ndërkombëtar, misioni i ODHIR-it me shefin e tij të admirueshëm Jonathan Stonestreet. Sot vetëm kush sdo të shohë e të dëgjojë, nuk pranon ti drejtojë Saliut gishtin që tregon fajtorin.
Në një lloj këndvështrimi,kundërshtarët dhe skeptikët tuaj njëkohësisht, ju cilësojnë si kryeopozitar i betejave të forta, por i rezultateve të pasuksesshme. Si shembull marrin bilancin e zgjedhjeve të fundit nga 2009 deri në ato të 8 majit. A mund tu shtohet këtyre bilanceve edhe zgjedhja e presidentit në 2012?
Unë nuk jam në krye të një lëvizjeje të armatosur, po kam nderin e madh të udhëheq një parti politike që pas vitit 2005 ka rimarrë kuotën më të lartë në spektrin politik shqiptar dhe vetëm është ngjitur, duke u afirmuar dy herë si partia më e madhe e shqiptare dhe fituar të dyja herët zgjedhjet, edhe në vitin 2009 edhe në vitin 2011.
Në 2009-ën ne fituam me votë, po mbetëm në opozitë për shkak të vjedhjes së votës dhe për dy vjet bëmë gjithshka mundëm, deri në kufijtë e lejueshëm për ne, pra deri në kufijtë e veprimit të një force politike demokratike që përjashton aksionin e dhunshëm, për të vendosur në themelin e bashkëjetesës politike në Shqipëri zgjedhjet e lira. Në këndvështrimin tim është evidente që dy vjetët e shkuara na shpërblyen me një fitore të madhe në 8 maj, ku e gjithë Shqipëria që paguan taksa e kërkon demokraci funksionale votoi për ne, ndërkohë që ajo që ndodhi në Tiranë pas fitores së 8 majit nuk është një llogari që duhet të na kërkohet ne, po një llogari e hapur mes popullit dhe Saliut. Sepse, e pamohueshme, megjithë manipulimin industrial në kryeqytet, humbësit që sot kanë pushtuar Tiranën, nuk i çoi në bashki rezultati i numërimit të votave, po grabitja e pacipë e mandatit pas numërimit. Ndërsa ushtrimi i dhunës, që ishte e vetmja gjë që su përdor prej nesh pas grabitjes ditën për diell, nuk është e ska si të jetë në asnjë rast pjesë e vizionit, misionit dhe funksionit tonë. Atë llogari të hapur u takon qytetarëve të mos e harrojnë dhe tia kërkojnë deri në një Saliut në zgjedhjet e ardhshme, duke u bërë pjesë aktive e një lëvizjeje popullore për largimin e tij, që do të thotë, më e pakta fare, jo vetëm duhet të votojnë vetë për shporrjen e këtij pushteti anadollak hajdutësh e të paaftësh, po edhe të rrisin akoma më shumë pjesëmarrjen në zgjedhje duke e nxjerrë votën nga çdo derë ku mund të trokasin për ta bërë nul çdo orvajtje grabitqare.
Sot sipas meje sështë më hiç në pyetje kush vjen nesër në qeveri, po kush duhet të largohet nga qeveria dhe, besoj, këtu për shumicën dërrmuese të shqiptarëve ska asnjë ekuivok a dilemë. E nëse ata që vijnë më pas sjanë në lartësinë e pritshmërisë së popullit udha e mbarë u qoftë në shtëpi edhe atyre me një shqelm me votë, ky është ilaçi i demokracisë për të kuruar plagët e keqqeverisjes, të ndryshosh qeverinë pa por, pa prit, pa megjithatë. Kush thotë po prit, se vërtet hajduti që na vodhi dhe na vjedh përditë sy më sy duhet gozhduar, po nesër mund të na dalë një hajdut tjetër prandaj dale të mendohemi njëherë, nuk meriton asgjë më shumë sesa të vidhet e të humbasë gjithshka për shkak të hajdutit që mban në kurriz prej frikërash skllavëruese e ngurrimesh qesharake!