E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha si Putini apo Putini si Berisha?

Share

Nga Roel Korkuti

Do të qe jo e udhës, dritëshkurtër e keqndjellëse nëse ngjashmëritë do ti shihja mes dy vendeve e jo mes dy prej despotëve Eurpian të fundit të shekullit të XXI. Rusët po kalojnë përmes një situate të ngjashme me atë që neve na rezervoi prag-behari i këtij viti, pra organizim zgjedhjesh nga një dorë e vetme hajdute e ç’organizuar. Ndryshimi qëndron në faktin se Berisha armik kishte vetëm opozitën, ndërsa regjimit të Putini-t i ka rënë për pjesë që armikun më të madh të ketë perëndimin kapitalist. Kishin dhe një armik të përbashkët që rezultoi në të dyja situatat ta nxjerrë kokën në fund, llogaritë matematikore. Regjimi i Berishës, pavarësisht gjithçkaje, bëri për të dalë fitimtar jo nëpërmjet votës së lirë por nëpërmjet presionit, korrupsionit, premtimeve, transformimeve, ligjëratave e vjedhjeve pa dorashka nuk ja doli dot ti bënte llogaritë e sakta duke e lënë balancën e votave në Tiranë në -10 vota. Të njëjtën gjë bëri edhe Putin-i, pas manipulimeve nuk shkoi dot më shumë se 50% të votave.

Shqipëria dhe Rusia nuk kanë pothuajse asgjë të përbashkët me njëra tjetrën përveç disa rrugëtimeve historike pa ndonjë domethënie që i ka vënë bri për bri disaherë në kohë të ndryshme. Të përbashkët kanë fatin e post-diktaturës, liderët politikë, të cilët pasqyrojnë më së miri dekadat e mëparshme, të tashmen dhe ndoshta edhe të ardhmen e afërt. Zgjedhjet tona Bota i cilësoi si të organizuara mirë por me shumë probleme në ecurinë e tyre. Edhe rusëve të njëjtën ju thanë, por këta të fundit ndryshe nga ne duket se ju ka ardhur në majë të hundës fjala “regjim” dhe po kërkojnë medoemos ta zhdukin nga fjalori i tyre aktual nëpërmjet protestave. Diku andej nga fund janari i po këtij viti, kur regjimi ynë nuk ngurroi të vriste 4 njerëz të pafajshëm në mes të bulevardit, Berisha e cilësoi dhunën që solli protesta si të financuar nga opozita. Putin-i duke parë përballë tij si opozitë të vetme perëndimin, akuzoi këta të fundit me Amerikën në krye si nxitës të protestave që po vënë në rrezik të ardhmen e tij në krye të Kremlinit. As Berisha e as Putini nuk e pranojnë dot idenë se populli ka të drejtën e tij për tu ngritur kundër çdo gjëje e çdokujt që del kundër interesave të tij dhe do të jenë partizanë të kësaj ideje deri në frymën e fundit.

Berisha dhe Putin duket se kanë qenë shpesh-herë larg të qenit të ngjashëm, por pasioni i tyre i madh për pushtetin i ka bërë të përdorin strategji të njëjta, të shihen njësoj nga populli, si të dashur nga një pjesë ashtu edhe të neveritshëm nga pjesa tjetër. Të dy kanë kapërcyer nga presidenca në kryeministri, e të dy e kanë trajtuar ligjin njësoj, si mjet për të arritur qëllimet e tyre dhe jo si të ishte pikërisht respektimi i ligjit qëllimi i vetëm i një shteti demokratik. Në këto ecejake nga presidenca në kryeministri e nga kryeministria në presidencë, duket se Putin është një hap përpara pasi tashmë e ka shpallur dëshirën e tij për tu rikthyer në presidencë. Ky despoti ynë do të duhet të ndryshojë njëherë kushtetutën, e pastaj ti vendosë vetes objektiv presidencën. Të dy e shohin figurën e tyre jo vetëm si lider politik të vendeve përkatëse por fantazia i shtyn ta shohin veten në pasqyrë edhe si lider shpirtëror të popujve përkatës. Përveç këtyre dhe biografisë që i sheh si pjellë e diktaturës së proletariatit, çdo gjë tjetër i ndan më shumë se i bashkon. Berisha mund të bëjë kompromis me çdo gjë që mund ta ndihmojë në plotësimin e qëllimeve të tij, ndërsa Putin ka treguar se deri tashmë kompromis ka bërë vetëm me të kundërligjshmen dhe çdo tjetër e ka arritur me forcat e tij.

Ndërsa shohim se si do të rrjedhin ngjarjet në Rusi, kemi kohë të reflektojmë për ato gjëra që mund ti kishim bërë ndryshe e për ato që kemi ende në dorë ti bëjmë. Nëse Putini i ka ditët e numëruara dhe në ditët në vijim do ta shohin në rënie të lirë regjimin e tij, të gjithë ne kemi të drejtën të shpresojmë se edhe regjimit të Berishës i ka ndalur koha dhe ata që kanë vazhduar të numërojnë orët e ngelura të Berishës të fillojnë të numërojnë orët e reja të Shqipërisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›