Fokus/Te ura, te ura, vraponi o burra!
Lulia brengoset me gjendjen në veriun e Mitrovicës. I vjen plasja kur sheh se si një grusht keqbërësish serbë terrorizojnë popullatën, apo pengojnë qarkullimin e lirë, duke cenuar tërësinë territoriale të shtetit të saj fatkeq që s’mund t’u kundërvihet. Shtetarët janë bërë “bosa” me pasuri e makina të shtrenjta; e bren dyshimi se janë dhënë pas luksit e pasurisë, besa edhe ca gjërave të tjera që s’bënë të përmenden. Kështu për kushtrim, apo brengosje nuk gjejnë kohë. Janë të dëgjueshëm si qengjat, shohin majtas e djathtas, mos u bënë kush ndonjë vërejtje- bëni a mos bëni kështu. Asnjëherë nuk dalin në ekran pa i pyetur zyrat e pesëshes në kryeqytet. Ata kot nuk erdhën, me mbanë ligjërata ajo. Dikush duhet t’i pyes, tjetri t’i dëgjoj, herë pozita, herë opozita! “Qengja me të huajt e ujqër me bashkëkombësit”, ma citon një thënie të dëgjuar nëpër rrugët e kryeqytetit.
Opozita, sipas saj ka shumë fjalë në erë që s’e obligojnë. Po ta pyesnin Lulinë, ajo do ta zgjidhte ndryshe këtë punë, por sa para bënë, kur ajo nuk ka pushtet, prandaj nuk ka as mundësi të bëjë kushtrimin. Ata që duhet të ruajnë kufirin verior, më thotë ajo e mllefosur, bëjnë politikë, një herë kërcënohen, kur ua tërheq dikush nga lartë veshin, tërhiqen, kështu jo rrallë turpërohen më fjalët e forta, ndërsa duhet t’i bien mohit një ditë pas. Dhe sot askush nuk i merr me gjithë mend.
Heroina nga Kodra e Trimave është më e mllefosur me trupat e KFOR-it, sepse të vetët i njeh, ua di dhëmbë e dhëmballë, nuk pret shumë prej tyre. Loja e përgjegjësve të kësaj force me serbët e kriminalizuar i duket si loja fshehtazi e fëmijëve: një herë fshihet një grup fëmijësh, kurse njëri nga ta i kërkon, pastaj ndërrojnë rolet. Nuk e kupton ajo si është e mundur ushtria më e fortë në botë NATO, që në Kosovë quhet ushtria e KFOR-it të tregohet e mefshtë dhe e pazonja duke bërë lojëra politike të pakuptueshme. Gjenerali gjerman më shumë i duket politikan i dobët se sa ushtarak i vendosur, apo mbase nuk e lënë të veprojë. Ai e zhgënjeu gjyshen e Lulisë, Fanën, sepse ndryshe i mbante në mend gjermanët e disiplinuar, një herë flisnin ata. Babai i Lulisë e vajton mungesën e Uesli Klarkut, gjeneralit që s’e lejuan të sulmonte Serbinë me trupa tokësorë. Ai do t’u dilte hakut serbëve të armatosur.
Është e sigurt Lulia: po të duan ndërkombëtarët për një orë do t’i dëbonin serbë të cilët po e terrorizojnë zonën kufitare dhe po e tensionojnë gjendjen në veri. S’ka kush e bind se, po ta hetonin keqbërësit që ushtarët e KFOR-it e kanë më gjithë mend, do të merrnin ikën deri në Beograd, pa u ndalur gjëkundi. Por e kanë hetuar ata lojën me veriun, prandaj nxjerrin në rrugë burra e gra për të penguar trafikun dhe për të bërë rrëmujë. Kjo ngatërresa me veriun po zgjatë njëmbëdhjetë vjet, përsiatë zëshëm goca e Vranjevcit. Ishte e vogël atëbotë, por atëherë dhe më vonë nuk e mori vesh pse u ndalën shqiptarët e shtetit të saj këndej ure dhe nuk mësyn deri në kufirin me Serbinë. Gojëkëqijtë thonë, me tregon Lulia, sikur bashkëkombësit e saj qenë të zënë me uzurpime dyqanesh e banesash, me qerime hesapesh në mes veti dhe me vrasjen e njëri-tjetrit, duke harruar se armikun nuk e dëbua nga vendi. Armiqtë u trimëruan, u forcuan dhe, tash s’ka kush i dëbon me fjalë të ëmbla. Nuk dëshiron të vajtojë si plakat e lëna, por i djeg zemra për bashkëkombësit të cilët i braktisën shtëpitë e tyre në veri të qytetit dhe sot jetojnë me qira në pjesën tjetër të qytetit, o shkuan në kryeqytet. Të tjerët kalojnë jetën në pritje e tension natë e ditë: kur do t’ua djegin shtëpitë e pasurinë. Serbët sipas saj vetëm frikën e forcën e kanë Zot.
Çfarëdo të thotë i dashuri i saj për Fan Nolin, ajo tashmë e ka mësuar për mendsh refrenin e vjershës: “Të ura, të ura, vraponi o burra!” Do t’ua bënte himn deputetëve grindavec e bjerrakohës të atdheut të saj pa dalzotës, derisa rrahin ujë në havan, e nuk bëjnë ballë të duken të Ura e Ibrit. Zyrtarëve të paaftë e të zhytur në korrupsion, do t’ua përsëriste pesë herë në ditë refrenin e vjershës, sidomos do t’ua përsëriste pjesës rrahagjokse. Gjithë ditën shesin mend e trimëri, ndërsa s’bëjnë gjë pos e marrin në qafë ndonjë pulë a kofshe gjedhi, duke e tretur me raki. Të bashkëkombësit e saj e ka humbura besimin, nuk i kuptoi atëherë kur nuk hynë në atë pjesë të shtetit të tyre, por e lanë të merren të tjerët me te, nuk i kupton sot, pse çajnë kopalla nëpër debate parlamentare ku njëra palë lavdërohet kinse e bëri namin në veri, derisa pala tjetër e shanë duke mos lënë gjë pa i thënë për fytyrë të tokës. Ndonjëri nga deputetet i bënë elozhe qeverisë, të tjerët ngatërrohen në fjalët e tyre, prandaj nuk kuptohen a janë për apo kundër veprimeve të caktuara qeveritare. As mish, as peshk, u tha një deputet rrëmujaxhi që mbeti në nivel të fjalëve.
Pjesa tjetër e opozitës, nuk ngurron të jetë kritike, por është e sigurt Lulia po ua përsërite refrenin: “Të ura, të ura, vraponi o burra”, do të thartoheshin në fytyrë, sepse kanë filluar të mësohen me aromën e këndshme të parfumeve të shtrenjta, do t’ua shponte hundën era e barotit, apo e gazit lotsjellës. Ndonjëri opozitar i bënë lajka kryeministrit, më thotë Lulia më një buzëqeshje të lehtë, por ashtu ia do puna jo pse i mendon ato fjalë, nuk është shkurt pamës sa mos të hetoj rrjedhat, dhe ma shkel syrin. Me aleatin e koalicionit nuk duhet shkëputur lidhjet e biznesit.
Derisa shqiptarët e saj shpenzojnë llafe koti, grupet serbe e bëjnë ligjin atje, e bëjnë tregtinë me bashkëkombësit e Lulisë ditë me diell, fusin mallra serbe, megjithëse mallrat e tyre, ma thotë Lulia, janë më të keqit në rajon. Asnjëherë nuk e kuptoi pse mbetën jetimë vendësit e veriut, pse i lanë rrugëve, pse nuk ua garantuan pronën private, sigurinë, jetën. Sa herë i sheh debatet e serta parlamentare, apo sa herë sheh ndonjë oficerë të lartë të KFORI-it, ajo e di se ata flasin kot, e ka humbur besimin në ta. Oficerët e lartë japin deklarata që s’i mbajnë. Një herë kërcënojnë, të nesërmen zbythen dhe thonë janë për zgjidhje paqësore, thua nuk i patën njëmbëdhjetë vjet kohë ta zgjidhin në mënyrë paqësore këtë problem. Vriten bashkëkombësit e Lulisë, inatosen zyrtarët vendës, vijnë e shkojnë diplomatët shtegtarë pa zgjidhur asgjë. Aeroporti i Prishtinës është bërë si dikur Stacioni i Trenit në Fushë-Kosovë: ding me deputetë të shtetit që ikin nëpër Evropë për trajnime në pleqëri dhe plotë me diplomatë të huaj që sa erdhën shkojnë.
Dhe prapë ia nisin nga fillimi. Sa herë dalin pamjet e shtëpive të djegura, njerëzve të vrarë, rrugëve të bllokuara me rërë apo më lisa, asaj i përfton poezia e Nolit: “Të ura, të ura!. Por duket ashtu sikurse Noli që përpiqej t’ua prekte sedrën bashkëkombësve për të mbrojtur tokën e vet, në kohën e sotme nuk është më ndryshe. Bashkëkombësit e saj nuk preken nga ky kushtrim. Janë bërë si buajt të pandjeshëm dhe inert, shohin me indiferencë dhe s’u bëhet për asgjë vonë.
Edhe sot si atëherë presin të tjerët ta mbrojnë urën dhe përtej urës, edhe sot si atëherë shqiptarët bëjnë sehir, ndërsa të huajt rropatën. Lulia nuk është për luftë të armatosur, përpiqet të më bind nga droja se do të merr mërinë e ndërkombëtarëve, megjithëse gjaku i vlon dhe zemra i qohet peshë, mirëpo duke lexuar deklaratat e ndërkombëtarëve dhe të zyrtarëve vendës është bërë paqësore si qengji i kurbanit, vetëm sheh e pret t’ia fusin thikën e flijimit.
Sa herë rrëmbehet për bashkimin e territoreve etnike, ftohet, kur e kujton veriun, me rrugë e rrugica, me male e gërnja dhe me paaftësinë e bashkëkombësve t’i japin udhë kësaj çështje. “Të ura, të ura, vraponi o burra”, i sillet çdo ditë dhe çdo orë nëpër kokë, por kur i mërzitet refreni, sepse pjesën tjetër të poezisë e ka harruar, nuk e pranon se nuk e ka mësuar asnjëherë në tërësi, atëherë mllefoset në kombëtar e ndërkombëtar, më të huaj e me vendës, me ambasadat miqësore e ato armiqësore, me Perëndim e me Lindje.