E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt euro-federalizmit

12-12-2011 / Nga Olivier Ferrand (Le Monde)

Kriza që ka përshkuar eurozonën ka hapur perspektivën e Evropës federale. Një numër gjithnjë e në rritje i ekspertëve të politikës kanë arritur në përfundime të tilla: integrimi ekonomik dhe monetar nuk mund të jetësohet pa integrim politik, kalimi te federalizmi është i nevojshëm. Risia qëndron te fakti që kapërcimi në federalizëm do të kryhet në kuadrin e një Evrope me dy shpejtësi. Evropa federale pati qenë ëndrra e etërve themelues - me në krye Jean Monnet- qysh me përfundimin e LDB-së. Ata kanë dështuar në parashikimin e së ardhmes së institucionit të “Komunitetit Evropian të Mbrojtjes”(CED) që përbënte edhe pedanën e kërcimit drejt një Ushtrie Evropiane të mbështetur financiarisht nga një qeveri politike. Por, ky projekt dështoi - i hedhur poshtë nga Asambleja Kombëtare franceze në vitin 1954 - për shkak të një psikodramë të thellë politike. Megjithatë, etërit themelues të Evropës së bashkuar nuk hoqën dorë. Ata nxorën mësime nga dështimi që pësuan me CED-in. Evropa politike nuk do të hynte në fuqi, ex nihilo; “revolucioni federal” ishte një zgjidhje e pamundur përballë nacionalizmave të luftërave që ende nuk u ishin shuar thëngjijtë. Duhej gjetur një metodë e re, më e përshkallëzuar, më pak e drejtpërdrejtë, për të hequr dorë sot e për ta shtrirë nesër, drejt Evropës politike. Pikërisht kjo ishte mënyra se si e projektonin Bashkimin Ekonomik Evropian Jean Monnet e Robert Schuman-i: një Evropë teknike që nuk përbënte kërcënim për sovranitetin e qeverive nacionale, por e konceptuar si “etapa e parë” që mundësonte ngjalljen e besimit, solidaritetit, si masa të domosdoshme që një ditë prej ditësh të shkohej drejt një Evropë Federale. Për pasuesit e tyre, kjo ditë kishte mbërritur kur u shemb Muri i Berlinit. Ajo ofronte dinamikën e duhur politike, pas tridhjetë vitesh nga hedhja shtat e ngrehinës evropiane. Dëshmi e këtij vullneti ishte ndryshimi i emërtesës së Evropës që u krye në Traktatin e Mastrihtit, në vitin 1992: nga Bashkësi Ekonomike Evropiane, në Bashkimin Evropian (BE) - nga Evropë teknike, në Evropë politike. Një vullnet ky që u shfaq edhe dymbëdhjetë vite më pas, më Kushtetutën Evropiane, edhe pse beteja për një Evropë federale nuk u kurorëzua me sukses. Traktati i Mastriktit (1992), i Amsterdamit(1997), i Nisës(2001), Kushtetuta Evropiane(2004), Traktati i Lisbonës(2007): negociata pas negociatash, e megjithatë projekti për një Evropë politike u shty në kohë. Kjo Evropë politike – “franceze” - u hodh poshtë nga qeveri e qytetarë që kishin tjetër koncept – “britanik” për të ardhmen evropiane. Për ta, faza e parë ishte njëherazi edhe e fundit. Ata vërenin tek kjo Evropë një zonë të gjerë ekonomike, të paqtë e të begatë, që më shumë se thellimin në rrafsh politik, synonte zgjerimin gjeografik, nga Turqia e mëtej saj. Ishin të shumtë ata që mendonin se dritarja e variantit federal ishte mbyllur plotësisht, por kriza e euros ofroi një mundësi të re, çka përbën edhe triumfin e metodës së Jean Monnet: intensifikimi i integrimit “teknik” të eurozonës me anë të një monedhe të përbashkët, çka do të bënte të nevojshëm edhe integrimin politik. Evropa e pa veten në mes të rrjedhës duke rrezikuar të fundosej. Në këtë gjendje nuk mund ta shtynte gjatë. Si kurrë ndonjëherë më parë, mundësitë që i ofrohen nuk kanë qenë më të përvijuara se kaq: qoftë rikthimi në bregun e së shkuarës përmes shpërbërjes së euros, qoftë turrja drejt bregut të federalizmit. Evropa federale tashmë u rikthye si mundësi. Gjithsesi ajo do të bazohet te pjesëzimi i Evropës: me një Evropë e prirur nga federalizmi për shtetet anëtare që parapëlqejnë monedhën e përbashkët; si dhe një grupim tjetër shtetesh, të llojit Konfederatë, së cilës mund t’i bashkëngjiten edhe të tjerë. Kjo do të ishte edhe faktikisht njohja e Evropës së dy shpejtësive, një skemë që François Mitterrand-i nuk ia doli mbanë ta kurorëzonte në Mastrikt. A është kjo zgjidhja e duhur? Skema e Evropës me dy shpejtësi të mundëson gjetjen e zgjidhjes për grindjet e prejkohshme të përplasjes së dy koncepteve - franceze dhe britanike - për Evropën. Meqënëse edhe 50 vite pas Traktatit të Romës të dyja këto koncepte janë ende të fuqishme e të papajtueshme, ato duhen njohur të dyja së bashku, duke u dhënë fushëveprimi të ndryshme. Në vend që të paralizojmë në të njëjtën kohë edhe thellimin dhe zgjerimin, duhet të zhvillojmë njërin krahas tjetrit, për të mbërritur në një përfundim të dyfishtë: fuqizimin politik të një zemre të integruar evropiane; aftësimin për paqëtim e zhvillim ekonomik të një Evropë të zgjeruar. Por gjithsesi ka edhe një cak: ai institucional. Si mund të flitet më shkoqur për të ardhmen e institucioneve federale të eurozonës dhe atyre ndërqeverisëse të Bashkimit Evropian? A mund të përfytyrohet realisht një ministër finance i eurozonës, për të pasur si përfundim një qeveri të eurozonës, politikisht përgjegjëse karshi qytetarëve evropianë në gjirin e struktuarave aktuale të BE-së? Asnjë skemë bindëse nuk ka nxjerrë kokë deri më tani? Përsiatje e thellë ndaj euro-federalizmit: kjo është sfida e radhës e evropianëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›