E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha spote me paratë e taksave”

 

Aristir Lumezi

Kryetari i Asamblesë Kombëtare socialiste, Gramoz Ruçi, shprehu dje keqardhje për këtë veprim të kreut të Ekzekutivit shqiptar. 
“Shprehim keqardhjen për sjelljen brutale me mediat të Kryeministrit të Shqipërisë, i cili nga njëra anë blen me lekët e qytetarëve shqiptarë hapësirë reklamash televizive për veten e tij dhe nga ana tjetër dhunon me gjoba të paligjshme ekranet që nuk shkelin të drejtën e shoqërisë civile për ta denoncuar këtë abuzim të shumëfishtë të Sali Berishës”, tha Ruçi. Duke radhitur disa shkelje të Kryeministrit Berisha me rastin e spotit televiziv, përfaqësuesi i lartë i PS-së u shpreh se ai ka dalë edhe kundër vendimeve të qeverisë së tij. “Sali Berisha ka abuzuar me lekët e qytetarëve shqiptarë duke prodhuar dhe transmetuar një spot të mirëfilltë elektoral, ka abuzuar me ligjin duke përdorur taksat e shqiptarëve për propagandë elektorale, ka abuzuar me barazinë e të gjitha subjekteve politike para ligjit, duke thyer kornizën ligjore që i ndalon këto subjekte të prodhojnë spote televizive. Sali Berisha ka abuzuar me vetë vendimin e qeverisë së tij që i ndalon institucionet shtetërore të shpenzojnë për spote televizive për të reklamuar punën e tyre”, tha Ruçi. Por Partia Socialiste përmes kryetarit të Asamblesë Kombëtare adresoi akuza të rënda edhe ndaj përpjekjeve të kryeministrit për të kontrolluar dhe imponuar Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit. “Sali Berisha ka abuzuar me institucionin e Këshillit Kombëtar të Radiove e Televizioneve, duke përdorur ushtarët e tij politikë në atë këshill për të gjobitur, në mënyrë të paligjshme, televizionet që me të drejtën e tyre ligjore transmetuan një spot denoncues për këtë abuzim të kryeministrit të vendit, ka abuzuar me të drejtat e liritë themelore kushtetuese të disa qytetarëve të këtij vendi, duke i ndaluar ata brutalisht për të protestuar në mënyrë qytetare e paqësore në mbrojtje të ligjit e të taksapaguesve shqiptarë”, tha Ruçi. Partia Socialiste i bëri apel kryeministrit të Shqipërisë të mos shpërdorojë detyrën dhe lekët e shqiptarëve për të bërë propagandë të paligjshme elektorale.

reagimi

LSI: Berisha fshehu të vërtetat e buxhetit
LSI shprehet e shqetësuar për buxhetin që qeveria Berisha ka parashikuar për vitin 2009. Nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi, e akuzoi dje Kryeministrin Berisha se fshehu të vërtetat mbi buxhetin 2009 dhe se pritet dështimi i këtij buxheti, që do të pasojë dështimet e tjera të qeverisë. “Shifra prej 1 miliard dollarësh rritje në krahasim me buxhetin e vitit 2008, është në realitet një 0 e madhe, në rast se llogaritet shkalla e rritjes së inflacionit, zhvleftësimi i dollarit, rritja e borxhit të jashtëm e të brendshëm...”, theksoi Xhufi në një konferencë për shtyp në selinë e LSI. Sipas këtij subjekti politik, Berisha ka dështuar në të gjitha synimet prioritare të qeverisë që ai drejton. “Kryeministri Berisha dështoi në atë që do të ishte kali i tij i betejës, në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij dështuan në reformën arsimore..., reformën në mjekësi... dhe në reformën institucionale, sepse në konceptin e tij të tipit “Shteti jam Unë”, në vend që të forconte institucionet ai ka ngritur një sistem pingpongu institucional”, tha Xhufi.

PDS: Buxheti, premtim elektoral
Partia Demokracia Sociale denoncoi dje demagogjinë e radhës të Kryeministrit Berisha, i cili premtoi se më 1 Maj 2009 do të rriste rrogat dhe pensionet. Sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari tha dje se, “premtimi i Berishës nuk përbën gjë tjetër veç se një manovër të pastër elektorale, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”. “Në këtë mënyrë, Kryeministri i qeverisë së dështuar mendon se do të gënjejë dhe blejë votat e rreth 100 mijë buxhetorëve dhe mbi 500 mijë pensionistëve, duke i trajtuar ata jo si qytetarët e tij, por si mall elektoral”, tha Duçkallari. Sekretari politik i PDS-së i kërkoi kryeministrit se nëse reforma e tij do të ishte reale, rritja e pensioneve dhe rrogave të bëhej jo një muaj para zgjedhjeve. “Për PDS, nëse Kryeministri Berisha është vërtet i sinqertë në merakosjen për situatën e vështirë ekonomike që kanë sot familjet buxhetore dhe pensionistët, nëse qoftë dhe një herë të vetme ka vendosur t’i vlerësojë seriozisht ato, atëherë ai do të duhet t’i shtojë rrogat e pensionet jo nga 1 maji, por që prej 1 janarit 2009, pa pritur afrimin e ditës së votimeve”, tha Duçkallari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›