E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet superbuxheti elektoral i 2009

Qeveria zbardh ske-mën e plotë se si do të ndahet buxheti i vitit 2009. Gazeta publikon zërat ku do të shpërndahet ky buxhet, i cili përkon edhe me vitin elektoral. 

ADI SHKEMBI

Kështu, për herë të parë ky buxhet do të jetë 5.2 miliardë dollarë, ose 1 miliardë dollarë më shumë se një vit më parë. Duke folur në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Planifikimit Strategjik, kreu i qeverisë u shpreh se "Buxheti në tërësi arrin në vlerën 5.2 miliardë dollar. Krahasuar me këtë qeveri dhe jo me 2 vjet më parë, por krahasuar me muajin shtator 2007, buxheti i këtij viti do të jetë 1 miliardë dollarë më i madh. Buxheti i vitit 2008 ishte 4.2 miliardë dollarë, ndërsa buxheti i vitit 2009 është 5.2 miliardë dollarë".
Pensionet e pagat
Sipas kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2009-2011 rritja e pensioneve në vitin 2009 do të jetë 10 për qind për qytetin dhe 20 për qind për fshatin. "Shpenzimet buxhetore parashikohen që për vitin 2009 të arrijnë në 32.52% të PBB-së. Theksojmë që në këtë vlerësim nuk përfshihet përdorimi i të ardhurave nga privatizimet strategjike, pasi ato do të jenë objekt i buxheteve suplementare. Burimet do të përdoren kryesisht për reduktimin e deficitit buxhetor në 4.3% të PBB, rritjen e diferencuar të pagave, rritjen e pensioneve me 10% për qytetin dhe 20% për fshatin dhe për mbajtjen e një ritmi të lartë të investimeve prej 7.7% të PBB-së për vitin 2009", thuhet në dokumentin e diskutuar dje në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik. Njëkohësisht nga 1 maji i vitit të ardhshëm do të përfitojnë edhe punonjësit e administratës shtetërore. Po duke iu referuar këtij dokumenti, rritja e pagave në administratë do të jetë nga 4% në 10%. Duke iu referuar rritjes së pagave dhe pensioneve, më 1 maj dhe faktit se mund të kundërshtohet nga opozita për shkak se është në prag të fushatës elektorale, Berisha tha se: "Këtë e diktojnë zgjedhjet e ardhshme, ndaj, pavarësisht se rëndohet shumë fatura financiare, ne nuk mund të presim të bëhet kjo rritje në qershor 2009, periudhë kur është fushata elektorale, pasi kjo do të shfrytëzohej për kritika ndaj qeverisë. Kështu, rritja nis nga data 1 maj 2009, datë në të cilën nuk ka filluar akoma fushata elektorale zyrtare".
Të përndjekurit dhe ish-pronarët
Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm qeveria ka rikthyer vëmendjen edhe ndaj shtresës së ish të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve. Kështu, duke iu referuar tabelës fiskale të p/buxhetit për vitin e ardhshëm, rezulton se ish të përndjekurit politikë do të kenë një fond prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 24 milionë dollarë, ndërkohë që në vitin 2008 fondi në favor të ish të përndjekurve ishte rreth 12 milionë dollarë. Gjithashtu, edhe ish-pronarët do të kenë një fond më të madh se një vit më parë. Kështu sipas p/buxhetit, në favor të tyre janë 600 milionë lekë ose 7.2 milionë dollarë, ndërkohë që për vitin 2008 fondi në favor të ish-pronarëve ishte rreth 6 milionë dollarë.
Shpenzimet
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për vitin 2009 parashikohen të rriten me 16.71% në krahasim me buxhetin suplementar 2008. "Kjo rritje, si rrjedhojë e rritjes së nivelit të investimeve gjatë këtyre viteve, do të orientohet në rritjen e shpenzimeve të funksionimit dhe mirëmbajtjes, duke synuar reduktimin në maksimum të shpenzimeve të mirëfillta administrative, në përputhje edhe me rekomandimet e raportit PEIR të BB", thuhet në kuadrin makroekonomik e fiskal për periudhën 2009-2011. Duke folur në mbledhjen e djeshme kreu i qeverisë u shpreh se: "Kjo politikë ka bërë që rroga mesatare në këtë vend të jetë ndër më të lartat sot. Në sektorin publik ajo ka arritur shumën 502 dollarë, ose 427 mijë lekë. Ftoj edhe sektorin privat, i cili edhe ai ka bërë progres në rritjen e rrogave, që ta vazhdojë këtë rrugë. Në rast se sipas statistikave të ILO-s, Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që bën të ditur se rroga mesatare ka qenë 220 dollarë, tashmë këtë rrogë për punonjësit në Shqipëri e kemi mbi dyfishuar, duke e çuar në 502. Kjo është një rrogë mesatare e pranueshme për një vend me një trashëgimi si Shqipëria".

Treguesit e buxhetit (në milionë/lekë)

Emërimi            P/buxheti 2009

TOTALI I TË ARDHURAVE    332.993
Të ardhurat nga ndihmat        6.720
Të ardhurat tatimore        304.771
Nga tatimet dhe doganat        230.168
Të ardh. nga push. Vendor    18.412
Të ardh. buxh. Pavarur        56.191
Të ardhura jotatimore        21.502

TOTALI I SHPENZIMEVE    383.680
Shpenzime korrente        283.211
Personeli            73.363
Interesat            36.356
Shpenzime op. mirëmbajtje    33.430
Subvencionet            2.785
Shpen. sig.shoq. e shënde    83.476
Shpenzime për buxh. lokal    35.335
Shpenzime të tjera        17.866
Kompensim ish të përndjek.    2.000
Kompensimi i pronarëve        600
Fondi rezervë            10.000
Shpenzime kapitale        90.469

DEFICITI            -50.687
Financimi i deficitit        50.687
Të brendshëm            12.375
Të huaj                38.312

Produkti i Brendshëm Bruto    1.180.000

Batutat për pantallonat e Kryeministrit

Kryeministri Berisha nuk ka shmangur batutat as në mbledhjen e djeshme për diskutimin e p/buxhetit. "Rritja e pensioneve dhe pagave është lajm dhe jo unë me pantallona të shkurtra, sepse unë të bëj piknik, e kam hobi. Po ende s'më dhe përgjigje se ç'lajm është kur dal unë me pantallona të shkurtra", u shpreh kreu i qeverisë, duke iu referuar vizitës së dy ditëve më parë në Dajt. Ndërkohë që fotot dhe pamjet filmike të fundjavës së tij në Dajt u shpërndanë nga zyra e shtypit pranë Kryeministrit.

Rriten pagesat për papunësinë

Shpenzimet për pagesë papunësie, ndihmë ekonomike dhe paaftësi, parashikohen të rriten me rreth 12.45 për qind në vit. "Këtu do të mbahet parasysh politika për një rritje të diferencuar midis zërave përbërës të këtyre shpenzimeve. Ndërkohë që ndihma ekonomike, si rezultat i përmirësimeve ligjore dhe administrative do të vijë duke u ulur (në terma relative), pjesa më e madhe e rritjes do të shkojë për pagesën e paaftësisë, si rezultat i indeksimit të saj dhe rritjes së numrit të përfituesve", thuhet në dokumentin e qeverisë. Shpenzimet për subvencione janë parashikuar duke u bazuar në politikën ekzistuese të subvencioneve dhe në politikat për reduktimin e tyre të mëtejshëm. Shpenzimet për buxhetin vendor në vitin 2009 pësojnë një rritje prej 11.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku një pjesë e konsiderueshme kontribuohet nga transferimi i taksave kombëtare nën administrimin e pushtetit vendor, në kuadër të politikave decentralizuese. Ndërkohë që shpenzimet kapitale për vitin 2009 do të qëndrojnë në nivelin prej 7.67 për qind të PBB-së, ku veçanërisht shpenzimet me financim të huaj do të rriten me 13 për qind. Shpenzimet kapitale do të vazhdojnë me ritme të larta në sektorët prioritarë të qeverisë, infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›