E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Tirana e angazhuar për njohjen e Kosovës nga vendet e tjera

 

Tirana zyrtare është e angazhuar maksimalisht për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur dje ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, gjatë një takimi me homologun e tij kosovar, Skënder Hyseni. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme: “Në këtë kuadër ministri Basha siguroi homologun kosovar për përkushtimin e plotë e të vazhdueshëm të qeverisë dhe diplomacisë shqiptare, dhe gjithë infrastrukturës diplomatike të Shqipërisë, për avancimin optimal të procesit të njohjes së Kosovës”. Ndërkohë pyetjes nëse a ka ndonjë platformë veprimi dhe bashkëveprimi mes dy qeverive për mbledhjen e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork dhe nëse ka angazhim kapacitetesh jashtë diplomacisë zyrtare për lobim në përshpejtimin e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, ministri Basha iu përgjigj: “Sigurisht që kontaktet midis Prishtinës dhe Tiranës janë kontakte të rregullta. Unë mund të përsëris edhe një herë që ky bashkëpunim, i cili është temë e përditshme, e përjavshme e komunikimit zyrtar dhe jo zyrtar midis Prishtinës dhe Tiranës, do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe është një nga aspektet kryesore në funksion të njohjes së Kosovës nga një numër sa më i madh vendesh në një hark kohor sa më optimal”. Sipas tij, “argumentet apo qasja për një paralelizëm është sipërfaqësore dhe është më e cekët sesa Lana në gusht”. Gjatë ditës së djeshme, ministri i Jashtëm i Kosovës u takua edhe me Kryeministrin Berisha. Sipas kreut të qeverisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një arritje historike për kombin shqiptar. Rikonfigurimi i UNMIK-ut dhe procesi i transferimit të kompetencave tek institucionet e Kosovës dhe misioni i EULEX, është një arritje e rëndësishme.  Ndërsa Presidenti Topi gjatë takimit me zyrtarin kosovar vlerësoi maturinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në kapërcimin e sfidave të ndryshme, ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare, duke përmendur këtu veçanërisht emërimin e dhjetë ambasadorëve të rinj kosovarë dhe vuri në dukje nevojën e sinkronizimit të të gjithë elementëve diplomatikë mes dy vendeve tona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›