E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takim me Lukšiæ, nënshkruhet marrëveshja për pikat kufitare

Kreu Kryeministi qeverisë së vendit, zoti Sali Berisha, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Podgoricë, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Malit të Zi, z. Igor Lukšiæ, në praninë dhe të delegacioneve shqiptare dhe malazeze.
Pas takimit, në praninë e të dy Kryeministrave, u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, “Për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar “Zatrijebacka Cijevna – Grabon” dhe për pikën e kalimit kufitar “Cerem – Vranica”. Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi,Tonin Beci, ndërsa për palën malazeze u nënshkrua nga ambasadori i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë, Željko Peroviæ.
Në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Lukšiæ dhanë një konferencë të përbashkët për mediat, gjatë së cilës u shprehën:

“Mendoj se kjo vizitë ka ardhur pikërisht në momentin e duhur që të dy vendet janë duke ecur në rrugën e integrimit. Proceset integruese janë një platformë dhe një bazë e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë një domosdoshmëri, për t’i përdorur dhe për t’i gëzuar të gjitha resurset e përbashkëta që kemi për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve. Për këtë dëshmon edhe marrëveshja e nënshkruar sot, një marrëveshje që si qëllim ka rrugën mes Plavës e Podgoricës. Në interesin tonë të përbashkët janë edhe Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna dhe ne jemi marrë vesh që të investojmë përpjekje gjithnjë e më të mëdha për përdorimin e këtyre resurseve, në të mirë të zhvillimit më të mirë ekonomik mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Duhet të them se bashkëpunimi mes dy vendeve tona i tejkalon kufijtë dhe kornizën e bashkëpunimit ekonomik dhe se ne kemi hapësira për zhvillime edhe në fusha të tjera, kështu që, mendoj se modeli që ne kemi vendosur mes dy vendeve tona mund të shërbejë edhe si model i marrëdhënieve të mira edhe për vende të tjera”-tha Igor Lukšiæ.
 

“Së pari, dëshiroj të falënderoj shumë përzemërsisht Kryeministrin Lukšiæ për pritjen e përzemërt dhe miqësore që më rezervoi. Kemi diskutuar bashkërisht për një perspektivë të re, të madhe, në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona mike. Është një kënaqësi e veçantë që të dy vendet po investojnë bindshëm për të zgjeruar, për të dyfishuar, infrastrukturën që i lidh ato me njëra-tjetrën.
Natyrisht, në diskutimet tona, një vend të veçantë kanë zënë përpjekjet për inkurajimin e turizmit në të dy vendet tona. Shqipëria dhe Mali i Zi janë ndër zonat më të bukura, më të pasura, më tërheqëse turistike të Evropës. Ato kanë në vetvete pasuri dhe trashëgimi të mëdha kulturore, bukuri natyrore të pashembullta dhe, e vërteta është se, gjithnjë e më shumë, po bëhen një “Ansambël” i përbashkët turistik. Qeveritë tona do të shqyrtojnë investime të tjera dhe mundësitë e ndërhyrjes, qoftë edhe të sektorit publik, në organizimin e tureve turistike në Bunë, në Liqenin e Shkodrës, etj.
Është kënaqësi e veçantë që qeveria e Malit të Zi po investon në rrugën që afron Plavën me Podgoricën dhe projekti ynë më i madh, i përbashkët, do të jetë përpjekja për t’i servirur Evropës dhe botës kompleksin turistik të Bjeshkëve të Namuna, të cilat janë ndër malet më mahnitëse në mbarë Evropën. Ne diskutuam që të shqyrtojmë bashkërisht thjeshtimin e të gjitha procedurave të lëvizjes së lirë të mallrave dhe të njerëzve. Shqipëria vlerëson shumë progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe mbështet plotësisht përpjekjet e Malit të Zi për anëtarësim e plotë në NATO dhe ka besim të madh dhe është e bindur se anëtarësimi i Malit të Zi forcon më tej krahun juglindor të NATO-s.
Shqipëria vlerëson progresin e ndjeshëm dhe real, që shqiptarët, me të drejtat dhe liritë e tyre minoritare e njerëzore, kanë bërë në Malin e Zi. Ne kemi bindje të përbashkët se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë dhe do të bëhen gjithnjë e më shumë një model i shkëlqyer bashkëpunimi dhe miqësie në rajonin tonë”-deklaroi Berisha.
 

Të dy Kryeministrat u ndalën edhe në projektin e Trans Adriatic Pipeline (TAP), të cilin e vlerësuan si një projekt shumë të rëndësishëm dhe strategjik për të ardhmen e sektorit energjetik të vendeve të rajonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›