Berisha, takim me Withers në Nju Jork?
Vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se i ka shërbyer Kryeministrit Sali Berisha për të zhvilluar një takim konfidencial dhe me ish-ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri, John Withers. Ndonëse zyra e shtypit të kreut të qeverisë nuk e ka përmendur në njoftimet e saj këtë takim, ishte vetë Berisha që e përmendi teksa bëri një rezyme të gjatë të takimeve që kishte zhvilluar në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila për herën e 66 mblodhi krerët e të gjithë botës. Natyrisht, takova miq të shquar të tjerë të kombit tonë dhe që u jam shumë mirënjohës, takova ambasadorin Withers, mikun e shquar Toni Podeska, Michael Granov, i cili shtroi një darkë bujare për delegacionin tonë, deklaroi kreu i qeverisë kalimthi gjatë mbledhjes së radhës së grupit parlamentar të PD-së, një ditë pasi ishte kthyer nga vizita në SHBA. Nuk dihet se cila ka qenë tema kryesore e këtij takimi dhe kush nga dy personazhet e ka kërkuar atë, por ajo që dihet lidhet me faktin se takimi vjen i çuditshëm në kuadër të deklaratave të fundit që kreu i qeverisë Berisha ka lëshuar në adresë të ish-ambasadorit që shërbeu në Shqipëri në disa momente kritike të mazhorancës që ai drejton. Po kështu, ajo që është e sigurt lidhet me faktin se në këtë takim është diskutuar në mënyrë private për kabllogramet e nënshkruara nga ambasadori Withers që dërgoheshin në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe që u bënë publike nga Wikileaks. Biseda duhet të jetë ndalur edhe tek akuzat e drejtpërdrejta dhe personale që Kryeministri Berisha i bëri pak javë më parë ish-kryediplomatit amerikan në Tiranë, gjatë një emisioni televiziv. Kështu Berisha theksoi se notat negative me të cilat Withers shkruante kabllogramet e tij vinin për shkak të inateve personale që ai kishte. Po kështu, Berisha aludoi se Withers mendonte se qeveria shqiptare e kishte paditur për çështjen e tregtisë së armëve Withers-in pranë eprorëve të tij. Madje kreu i qeverisë pretendoi se ai ia kishte thënë hapur Withers-it se mendonte se qëndrimet e tij ishin personale për qeverinë që drejtonte dhe po kështu nuk kishte ngurruar ta akuzonte për subjektivitet edhe në sy të eprorëve të ish-ambasadorit amerikan. Në një nga kabllogramet e bërë publike, ish-ambasadori Withers citonte ish-shefin e përgjithshëm të Shtabit, Luan Hoxhën, që ti kishte thënë se i biri i Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, e kishte kërcënuar duke i kërkuar të mos e mbyllte fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Vetë Berisha e konsideroi këtë bisedë si të trilluar dhe vetë Luan Hoxha, përmes një deklarate të shpërndarë në shtyp, e mohoi ta kishte bërë atë.