Berisha takim me humoristët

Shtëpia më e madhe e humorit në Shqipëri "Apartamenti 2XL", që ndër vite ka dhuruar mijëra buzëqeshje, është nderuar sot nga kryeminstri i Shqipërisë.
Sali Berisha ka pritur në kryeministri aktorët Ermal Mamaqi, Gentian Zenelaj dhe Julian Deda si dhe drejtorin artistik të emisionit, Turjan Hyska. Në faqen e tij personale në Facebook, shefi i qeverisë shqiptare ka publikuar fotografi nga takimi, duke mos kursyer as shakanë: “Me banorët e apartamentit më të famshëm e më të gjallë dhe gazmor në Shqipëri, Apartamentit 2XL. Edhe unë kisha 2 vjet që prisja t'i takoja. Madje një herë që u nisa për t'i vizituar i gjeta “me dritare hapur dhe derë mbyllur”, sepse po hanin tortën – sb”. Ka disa javë, që një formë e veçantë e ftesës i kushtohet kryeministrit Berisha, ku në çdo mbyllje spektakli aktorët i këndojnë atij, duke i bërë ftesë publike për të shkuar dhe ai te “Apartamenti 2XL". “Po bëhemi 500 000 fansa dhe shpresojmë t’ju përshëndesë Kryeministri nga skena”, kanë shkruar ditë më parë aktorët e humorit, në faqen e tyre në Facebook, ku tashmë është tejkaluar kjo shifër. Pas dy vitesh që aktorët e “Apartamenti 2XL” festuan në skenë me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe zonjën e tij, Xhoana, është kryeministri Berisha ai që do të mund të shfaqet në spektaklin e natës përmbyllëse. Mbetet për t’u zbuluar në mbrëmjen e vitit të ri nëse pjesë e spektaklit të humorit do të jetë edhe Berisha, i cili ka dy sezone që merr ftesë me këngë të ndryshme. /Indeksonline/