Berisha takim me sekretaren e BE: Paketa e ndryshimeve në kodin e procedurës penale, vetëmbrojtje për Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim në Strasburg me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Despina Chatzivassiliou, ku ka ngritur shqetësimet e opozitës për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, si dhe për paketën e propozuar të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.
Sipas Berishës, ndryshimet e propozuara në Kod përbëjnë një “mburojë për Ramën”, pasi mund të kufizojnë përdorimin e provave të siguruara përmes pajisjeve elektronike dhe burimeve të tjera.Kreu i PD-së theksoi se ndryshimet mund të ndikojnë edhe në hetimet për çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në videomesazhin e publikuar pas takimit, Berisha tha se ka marrë garanci nga Sekretarja e Përgjithshme se Këshilli i Europës dhe ekspertët e tij nuk e kanë miratuar, sugjeruar apo hartuar paketën e ndryshimeve.
“Sekretarja e Përgjithshme më siguroi se Këshilli i Europës, ekspertët e tij, nuk e kanë miratuar këtë paketë dhe kjo nuk është një paketë e sugjeruar apo e miratuar apo e hartuar nga specialistët e Këshillit të Europës”, deklaroi Berisha.
Berisha tha se i ka kërkuar palës europiane që ndryshimet të mos miratohen në formën aktuale dhe që paketa t’i nënshtrohet ekspertizës së Komisionit të Venecias.
Gjatë videomesazhit të tij, kreu i PD-së ngriti edhe akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe ndikimin e narkotrafikut në vend.
Në përfundim, Berisha bëri të ditur se dialogu me institucionet e Këshillit të Europës do të vijojë edhe lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Shqipëri.