DITA 124/ Përplasje me policinë, protestuesit provokohen gjatë marshimit

Protesta e 124-të kundër qeverisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë në zonën e Pallateve Agimi, pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë.
Pas mbylljes së fjalimeve, qytetarët janë larguar nga zona e Kryeministrisë dhe kanë vijuar marshimin në rrugët e kryeqytetit. Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë brohoritur “Policia e krimit” dhe “Poshtë krimi”.
Marshimi ka vijuar me thirrjet “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ju erdhi fundi”. Pjesëmarrësit kanë përsëritur se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është kërkesë e panegociueshme, duke kërkuar largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike.
Gjatë tubimit, një prej protestuesve deklaroi se, sipas tij, qeveria po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga problemet që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Ai e cilësoi ndryshimin politik si një emergjencë kombëtare dhe bëri thirrje për vijimin e qëndresës në rrugë.
“Qeveria po kërkon të shmangë vëmendjen me episode që nuk janë të nevojshme, kur kemi problem ndryshimin e menjëhershëm, që është emergjencë kombëtare për të larguar regjimin e korruptuar”, u shpreh protestuesi.
Ai theksoi se, sipas tij, qytetarët duhet të qëndrojnë të bashkuar për të kërkuar largimin e kryeministrit.
“Shmangia e vëmendjes nuk është justifikim. Duhet të qëndrojmë të bashkuar që të çojmë drejt largimit kryeministrin e korruptuar”, deklaroi ai.
Sponsorizuar
Protestuesi kritikoi gjithashtu kryeministrin për mënyrën se si, sipas tij, trajtohen problematikat e vendit, duke pretenduar se Rama nuk shkon në zonat ku mungojnë shërbimet dhe infrastruktura, por përqendrohet te projektet private.
“Rama nuk shkon aty ku është problemi dhe mungojnë shërbimet e infrastruktura. Shkon në projekte private”, tha ai.
Në vijim, ai kërkoi që kryeministri të mbajë përgjegjësi për ministrat e emëruar prej tij, të cilët protestuesi i akuzoi për korrupsion.
“Ti pretendon se nuk ke vjedhur lekë nga ato të shqiptarëve, por ata që kanë vjedhur i ke emëruar ti. Nuk ka përgjegjës tjetër për ministrat e korruptuar, je ti dhe duhet të mbash përgjegjësi e duhet të japësh dorëheqjen”, deklaroi protestuesi.
Protesta zhvillohet pas tubimit të një dite më parë, kur në Shqipëri ndodhej edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Gjatë asaj proteste, pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë dhe deklaruan se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian me Edi Ramën në krye të qeverisë.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me kërkesat për largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike.a.b