Berisha, takim me të rinjtë e FRPD: Keni rol vendimtar në zgjedhjet e 11 majit

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë pjesë sot në një takim me anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se të rinjtë kanë një rol vendimtar në fitoren e zgjedhjeve të 11 majit. Sipas Berishës nëse të rinjtë bëhen imazhi i kësaj fushate kundërshtari do të shkatërrohet.
“Kemi një mision për të përmbushur. Dhe ky mision është fitorja e zgjedhjeve të 11 majit. Kjo fitore, e them me bindjen time më të thellë se rol vendimtar keni ju. Energjia juaj, përkushtimi juaj, por edhe imazhi juaj, janë të një rëndësie themelore për këtë fitore. Në qoftë se ju bëheni imazhi i kësaj fushate, kundërshtari shkatërrohet”, tha Berisha.
Duke iu drejtuar të rinjve Berisha tha se nuk duhet të dorëzohen në qoftë se kauza e tyre është e drejtë.
“Një kauzë e drejtë duhet të mbrohet pa asnjë hezitim, pavarësisht nga pozicionet në të cilat mund të gjendesh.Pra, në betejën për kauzën që mbroni, për të vërtetën, nuk duhet të tërhiqeni nga asgjë, nga asnjë kalkulim. Beteja fitohet. Shiko ku ishim ne, merrni shembullin e PD këto tre vite. Sa gjëra dukeshin të pamundura dhe janë bërë plotësisht të mundura. Është kështu? Tani kemi të pamundurën tjetër përpara në pamje, që është plotësisht e mundur. Është beteja me narkoshtetin dhe fitorja e zgjedhjeve. E jashtëzakonshme është forca jonë morale në këtë betejë”, tha Berisha.
Në mbyllje të fjalës së tij Berisha u tha të rinjve të pranishmëve se historinë e kanë përcaktuar në shumë raste pakicat cilësore.
“Pakicë cilësore ishin studentët e viteve ’90. Ata ishin ditën e parë, ditën e dytë, gjithsej 600-700 vetë. I rrahën në mënyrë barbare, pas tre orësh ishin të gatshëm për betejë, pas tre orësh ishin të gatshëm të zbrisnin në sheshbetejë. Rezistuan dhe u bënë engjëjt e demokracisë”, tha Berisha.
Të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike morën pjesë në trajnimin që zhvillohet në bashkëpunim me ekspertët më të njohur të fushatave zgjedhore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe: Ron Nehring, Peter Smallëood dhe John Fluharty, të cilët janë pjesë e ‘Leadership Institute.’