Rama: Shkollat sot si dita me natën deri para 10 vitesh, nuk ka shtet që zëvendëson prindin

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin përmbyllës të këshillimit kombëtar me mësuesit e prindërit për masat ndaj Tik – Tok dhe sigurinë e fëmijëve në tërësi, iu referua ndryshimeve që kanë ndodhur në sistemin arsimor gjatë qeverisjes së mazhorancës socialiste.
Kreu i qeverisë tha se deri para pak vitesh mësuesit nuk ishin të sigurt për vendin e punës e se shumë prej tyre jepnin lëndë jashtë arsimit përkatës.
“Nuk ka qenë para 50 vitesh por para 10 vitesh kur mësuesit ishin pa asnjë lloj mbrojtje dhe mund të merreshin të dhe të flakeshin sa hap e mbyll sytë dhe kur rekrutimi i tyre ishte komplet mbi baza arbitrare. Kemi patur 4500 mësues që paguheshin për të dhënë lëndë për të cilat nuk kishin asnjë kualifikim, mësues fizike që jepnin fizikulture etj”, tha Rama.
Rama shtoi se arsimtarët përdoreshin për fushata elektorale, ndërsa shtoi se janë bërë përmirësime në infrastrukturë.
“Kur trupa mësimore përdhunohej duke e marrë si kope delesh për ta nxjerrë nëpër mitingje. Çfarë mund të prisje më shumë nga mësuesit kur ishin të pasigurt në pozicionin e tyre, përveç gjithçkaje kanë bërë me pasionin dhe përkushtimin si mësues persona. Doni të diskutojmë si ishin pagat e mësuesve! Doni të diskutojmë për palestrat e shkollave që numëroheshin me gishta e dy duarve në gjithë Shqipërinë. Kur ne morëm detyrën ora e edukimit fizik ishte hequr nga programi mësimor. Doni t’ju them se vendosëm t’ju rikthejmë edukimin fizik por nuk gjenim dot mësues të Edukimit Fizik”, tha Rama.
Kreu i qeverisë risolli në vëmendje edhe altertekstin.
“Më e rëndësishmja akoma doni të flasim për tekstet mësimore për të famshmin altertekst, ku një mori shtëpisë botuese futeshin në lojë dhe tekstet ishin një pazar i madh. Për futjen në universitet që ishte një rrumpallë më vete”, u shpreh Rama.
Rama tha se ka akoma shumë për të bërë, por ndryshimi me qeverisjen e PD-së është si nata me ditën.
“Sot kemi një sistem arsimor që ka nevojë për shumë më tepër. Askush që do të bëjë një vlerësim objektiv nuk duhet të harrojë nëse shohim sot me nga u nisëm është dita me natë. Nëse shohim sot se ku duhet të mbërrijmë jemi në të gdhirë. Edhe ky plan veprimi nuk është një listë dëshirash por plan që bazohet në mundësi të studiuara dhe bindjen që ato mundësi do të vihen në dispozicion dhe do të zbatohen një për një.
Sot ne kemi laboratorët smart për fëmijët që hyjnë në klasën e parë dhe ata të fillores, për të krijuar në të gjithë sistemin mundësinë e një edukimi digjital komplet tjetër. Brenda një periudhe të shkurtër të gjitha shkollat do të kenë laboratorët smart. Të gjitha shkollat do të hyjnë në procesin e monitorimit digjital, është një program për të cilin kemi 1 vit që punojmë dhe dot të fillojmë ta implemetojmë, me atë program dhe sistem të gjithë prindërit do të kenë mundësi të shkojnë të shkolla dhe të thonë dua të shoh në klasë si rri fëmija im”, tha Rama.
Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mësues-prindër.
“Çështja e bullizmit nuk është një çështje që e zbuluam se ndodhi kjo tragjedi, kemi institucion për ankesat që bëhen për këtë. Nuk ka shkollë, nuk ka shtet që zëvendëson familjen dhe që zëvendëson prindin. Ashtu sikundër mësuesi nëse nuk e ka prindin aleat ka shumë pak në dorë, dhe nga ana tjetër nëse bashkërisht mësuesit, prindërit nuk vendosin sot të ndryshojnë qasje në këtë marrëdhënie dhe të sigurohen seriozisht se do t’i bëjnë të gjitha ato që duhet për të siguruar rritje mirëpsikologjike të fëmijëve, ne do ta humbim këtë gjeneratë fëmijësh” tha Rama. /j.p/