Berisha takon Obamën, e fton për vizitë në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha është takuar me presidentin e SHBA-së, Barak Obama gjatë pritjes që ky i fundit kishte organizuar për gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive, të cilët marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Berisha i ka shprehur shefit të Shtëpisë së Bardhë ndjenjat më të larta miqësore që ekzistojnë mes popullit shqiptar dhe atij amerikan, si dhe gatishmërinë e tij për bashkëpunim.
"Ju zoti President do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj jush dhe unë shpresoj shumë që ju të vini në vendin tim", ka deklaruar Berisha, duke e iu drejtuar atij me një ftesë për të vizituar Shqipërinë.
Ndërkohë që Obama ka shprehur vlerësime pozitive për shqiptarët. "Kur punoja në Çikago kam pasur mundësi të takoj dhe të punoj me disa shqiptarë, të cilët më kanë lënë mbresat më të mira", mësohet të ketë thënë Obama, duke shprehur vlerësimin e tij për bashkëkombasit tanë në SHBA.