E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon kancelaren Merkel, merr mbështetje për statusin, e fton të vizitojë Shqipërinë

19-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Kancelaren gjermane Angela Merkel, gjatë samitit të partive popullore në Bukuresht dhe e fton për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Kancelarja gjermane mbështeti aspiratën e Shqipërisë për marrjen e statusit dhe theksoi se po konsideron mundësinë për të vizituar Tiranën, në këtë vit historik për pavarësinë e Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha shpreh vendosmërinë e qeverisë për të plotësuar në kohë kërkesat e fundit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit të kandidatit në BE, në dhjetor të këtij viti. Në një takim me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, gjatë Kongresit Statutor të Partisë Popullore Evropiane (EPP), në Bukuresht, kryeministri Berisha e cilësoi si një arritje të madhe për vendin propozimin e bërë nga Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat.
Kryeministri Berisha, pasi vlerësoi si një arritje të madhe për vendin propozimin e bërë nga Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat, e siguroi Merkel për vendosmërinë e qeverisë së tij për të plotësuar në kohë kërkesat e fundit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit, në dhjetor të këtij viti. Kryeministri nënvizoi shkurtimisht situatën ekonomike, përballimin me sukses të krizës botërore dhe sfidat që përballon Shqipëria për shkak të saj.
Kryeministri përfitoi nga rasti për ta ftuar personalisht Kancelaren Merkel për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.
Nga ana e saj, Kancelarja gjermane e falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe u shpreh se do shqyrtonte me interes propozimin për statusin dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë.
Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri Berisha mori pjese edhe në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive anëtare në EPP-së, i cili u zhvillua në kuadrin e Kongresit.
Gjatë këtij eventi, Kryeministri Berisha pati takime dhe shkëmbeu pikëpamje me liderë evropianë, si Presidenti i Komisionit Evropian Manuel Barroso, Presidenti i EPP Ëilfred Marttens, Kryetari i grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian Joseph Doul, me Presidentin e Asamblesë Parlamentare Jean Claude Mignon etj, mbi zhvillimet e sfidat e sotme në Evropë, në kontekstin e efekteve të krizës ekonomike e financiare, si dhe mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon.

Parlamenti Evropian, rezolutë “pro” statusit të Shqipërisë

Rekomandimi i Komisionit Evropian drejtuar Këshillit të Ministrave të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat ka marrë një mbështetje vendimtare nga Parlamenti Evropian, i cili unanimisht e ka mbështetur rekomandimin, duke inkurajuar miratimin urgjent të tre reformave të përmendura në progres-raport

Parlamenti Evropian ka konfirmuar mesazhin që Evropa ka ndaj Shqipërisë dhe që u pasqyrua edhe në progres-raportin e Komisionit Evropian. Në rezolutën për Shqipërinë të hartuar nga raportuesi Nikolaos Kauntis e cila kaloi dje në PE, kërkohet që të miratohen tre reformat e mbetura në marrjen e statusit të kandidatit. Klasa politike shqiptare duhet të ruajë dialogun politik dhe të vijojë me reformat.
“PE mbështet fort dialogun konstruktiv politik, që nuk është vetëm element thelbësor i 12 prioriteteve kyçe, por një parakusht për funksionimin e demokracisë; i bën thirrje elitës politike të ruajë dialogun ndërpartiak dhe konsensusin për reforma në mënyrë që t’i mundësojë vendit të shënojë progres në rrugën e integrimit. PE u bën thirrje forcave politike të përmbushin reformën e mbetur mbi Rregulloren e Parlamentit, të përforcojnë më shumë rolin mbikëqyrës të Kuvendit, të përmirësojnë përgatitjen e ligjeve dhe të përforcojnë konsultimet me shoqërinë civile, sindikatat dhe organizatat e ndryshme shoqërore”, thuhet në rezolutën e miratuar dje nga Parlamenti Evropian.
Duke iu referuar situatës së reformave në drejtësi Parlamenti Evropian megjithëse vëren përmirësime kërkohet që të sigurohet pavarësia e vërtetë e institucioneve të sistemit të drejtësisë. “PE vëren njëfarë progresi në reformën në gjyqësor; u bën thirrje autoriteteve të garantojnë integritetin dhe pavarësinë e vërtetë të një gjyqësori të pavarur nga ndërhyrjet politike dhe nga korrupsioni, t’u garantojnë qytetarëve qasje të barabartë në gjykata, të shpejtojë progresin në zbatimin e strategjisë mbi reformën në gjyqësor, përfshirë reformën për Gjykatën e Lartë PE, thekson nevojën për të eliminuar rreziqet e politizimit të administratës publike dhe atë të krijimit të një administrate profesionale, të pavarur dhe të bazuar në merita”, thuhet më tej në rezolutë.
Ndërkaq, sikundër thekson raporti i Parlamentit Evropian, është i domosdoshëm avancimi i reformave, si përpjekje në luftën kundër korrupsionit në hetimin e zyrtarëve në të gjitha instancat shtetërore. Për sa i përket mediave dhe lirisë së tyre në Shqipëri, PE u bën thirrje autoriteteve të përforcojnë lirinë e informimit dhe të garantojnë transparencën e pronësisë dhe financave të mediave.

Raportuesi për Shqipërinë në PE, Nicolaos Chountis

“Shqipëria e meriton statusin, zgjedhjet e vitit 2013 test politik” 

Në një intervistë për mediat, eurodeputeti Nikolaos Kountis është shprehur se Shqipëria e meriton dhe do ta marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti. Eurodeputeti e ka cilësuar këtë dhe si një dhuratë në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Në projektrezolutën tuaj, ju konsideroni se Shqipërisë i duhet akorduar statusi i kandidatit,sapo të përmbushen edhe tre kushtet e mbetura. Por këtë radhë shohim si asnjë herë tjetër se të gjitha grupet politike mbështesin statusin e kandidatit për Shqipërinë, apo jo?
Është një sinjal shumë pozitiv. Përveç ekuilibrit politik në Shqipëri, duhet parë gjithashtu ekuilibri politik i grupimeve politike në Parlamentin Evropian. Siç e dëgjuat, të gjitha grupimet politike mbështesin projektrezolutën time, ku thuhet se po, Shqipëria duhet të marrë statusin e kandidatit këtë vit. Është një sinjal pozitiv gjithashtu për të nxitur forcat politike në Shqipëri që të kryejnë reformat e nevojshme. Siç mund ta lexoni qartë edhe në raportin tim, kjo bëhet në përfitim të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Kjo është çështja kryesore, pasi ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe me standardet e ardhshme të jetesës së qytetarëve shqiptarë.

Pse keni zgjedhur aprovimin e këtij raporti në javën e parë të dhjetorit në seancë plenare. A synoni t’i përçoni kështu një sinjal tê qartë shteteve anëtare?
Po, kjo është njëra nga arsyet. Arsyeja tjetër, është se ne duam gjithashtu të nderojmë 100 vjetorin e Shqipërisë. 100 vjetori është një datë simbolike dhe historike e rëndësishme për vendin. Dëshirojmë që në këtë vit të rëndësishëm dhe simbolik për ju, t’ju përçojmë qytetarëve shqiptarë një mesazh pozitiv nga Evropa, që të shpërblejë punën që keni bërë dhe nxisë forcat politike për të vazhduar me reformat e rëndësishme. Ndaj, unë dhe komisioni i punëve të jashtëm të Parlamentit Evropian duam që vendimi në seancë plenare në Parlament dhe vendimi nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të merret në dhjetor të këtij vitit.

Ju keni dëgjuar se eurodeputetë të ndryshëm kanë insistuar që zgjedhjet e ardhshme të kryhen sipas standardeve ndërkombëtare dhe të mos ketë kontestime të tyre. A do jetë ky një kusht për hapjen e negociatave?
Nuk e di. Zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të shfaqin asnjë problem. Të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare demokratike. Qytetarët shqiptarë do të votojnë për forcën që dëshirojnë. Por, ato do të jenë patjetër një test për pjekurinë politike të vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›