E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tutorët” e Sigurimit dhe “bamirësia” e tyre me të përndjekurit

19-10-2012 / Gazeta 55

Interpelanca me ministrin e Drejtësisë, si dhe atë të Financave konfirmojnë politikën e vazhdimit të dëmshpërblimit edhe me këstin e dytë

Partia Demokratike ka dëmshpërblyer ish të përndjekurit e regjimit komunist, ndërsa Partia Socialiste ka bërë të kundërtën, ka shpërblyer me shuma të majme financiare persekutorët e tyre. Ky është qëndrimi i mazhorancës lidhur me grevën e urisë së disa ish të dënuarve politik, të cilët pretendojnë se s’kanë marrë asgjë. Por, e kundërta faktohet nga raportet zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.
Ministrat Halimi dhe Bode deklaruan dje gjatë interpelancës në Kuvend e kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Genti Strazimiri se, personat që sot janë në grevë urie kanë marrë këstin e parë konform ligjit të miratuar në vitin 2007-ë. Ministri i drejtësisë tha se PD ka respektuar të drejtat e ish të përndjekurve dhe se nuk i ka “përdorur” ata siç po bën kreu i PS-së Edi Rama.
Sipas tij, të gjitha kërkesat për dëmshpërblim janë trajtuar nga Ministria Drejtësisë, ndërsa 1600 kërkesa nuk plotësonin kriteret ligjore dhe 2 000 të tjera janë depozituar me vonesë.
“Nga 20 589 kërkesa të cilat janë depozituar në Ministrinë e Drejtësisë, ka përfunduar procesi për 11 759 kërkesa, të cilat kanë patur të bëjnë me pjesën që janë dënuar me burgim dhe me pjesën e të pushkatuarve pa gjyq. Pra për 11 759 janë zbatuar vendimet e qeverisë për dëmshpërblimet. Të gjithë këta persona kanë marrë këstin e parë dhe sipas informacioneve që më vijnë edhe nga Ministria e Financave të gjithë këta persona kanë marrë këstin e parë dhe ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për ata që janë mbi 65-vjeç. Ka përfunduar edhe faza e dytë për ata që janë mbi 65-vjeç, dhe ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për pjesën tjetër, por tashmë sipas rendit kronologjik të miratimit të kërkesave të tyre”, vuri në dukje ministri Halimi, gjatë fjalës së tij në këtë interpelancë. Ndërkohë, numri një i financave, Ridvan Bode tha se mbi 85 për qind e atyre kërkesave që janë në Ministrinë e Financave e kanë marrë këstin e parë, kësti i dytë vijon ndërkohë që përparësi u është dhënë të përndjekurve mbi 65 vjeç dhe atyre që janë të sëmurë.
Sipas tij, të gjithë ata që nuk kanë marrë këstin e radhës nga dëmshpërblimi, do ta marrin atë në fund të vitit 2012 ose në janar të vitit 2013.
“Pagesat për ish të përndjekurit politikë që nuk janë shpërndarë, janë trashëguar në buxhetin e vitit pasardhës. Ato nuk janë djegur dhe do të jepen gjatë vitit të ardhshëm, kjo është e përcaktuar edhe në ligjin për buxhetin të miratuar në Kuvend. “581 milionë lekë janë parashikuar të disbursohen për këstin e dytë të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë. Kush është mbi 65 vjeç ka marrë 864 milionë lekë të dëmshpërblimit. Në harkun  2009-2012, fondi për likuidimi dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve është 6.5 miliard lekë”, sqaroi ministri Bode.
Gjatë interpelancës deputetët socialiste kanë preferuar të dalin nga salla e seancës  duke përdorur të njëjtin justifikim si në Komisionin e Ligjeve se “PS nuk ka lidhje me grevën dhe se nuk është përfaqësuese e grevistëve”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›