Edi Rama, si provokator politik
Cilido që do të orvatej të bënte një studim biografik për E. Ramën, do të lodhej më kot.
Studiuesi i gjen të gjitha elementet e jetëshkrimit, në “Kurbanin” e tij. A është provokator politik ai? Në faqen 284 të “Kurbanit”, cilido që ka pasur durimin që të mbërrijë gjer në këtë faqe, gjen të shkruar: “Jam njeriu i dhënë pas trasgresioneve dhe provokacioneve”. Natyrisht duke e njohur veten për të çekuilibruar, ky mendim kërkohet të përligjet në pohimin se është “një shpirt i lirë”. Por ky cilësor nuk bie ndesh me “tragresionet” dhe me provokimet e tij. Aq më pak kur fill pas pak rreshtash autori i “trasgresioneve” futet në një temë, që do të duhej të mos përmendej fare: në nudizmin e tij! Çdo marrëzí e tij spërkatet me ujë trëndafili. Në faqen pasardhëse (285) flitet për “Refleksionet”, duke u vënë atyre një mbiemër mburravec, që as Narcizi vetë nuk do ta kishte menduar: “Refleksionet e famshme”! Meqë atyre ua bëri gjëmën, domethënë i zhduku fare nga qarkullimi, duke i mbledhur librat “e famshëm” me anë të militantëve të tij dhe duke u vënë zjarrin, siç ndodhte shekuj më parë, atëherë duhej të mos i kujtonte më, as rastësisht, palé me shkrim.
“Liria” e tij e zvetënon vetë fjalën e madhërishme “lirí”: - “I rrëmujshëm siç kam qenë, në kushtet e një mënyre jetese pa shtëpi fikse, më pëlqente pa masë të jetoja me idenë se shtëpia ime ishte trupi im dhe, e lashë vatrën prindërore, për të qenë plotësisht i lirë, pa orare e në lëvizje”. Sigurisht që ky djalë i ri do ta braktiste shtëpinë e tij, se në shtëpinë e vet nuk e ndjente veten “plotësisht të lirë” dhe shtëpinë prindërore e përfytyronte si të ndërkallur në trupin e tij, e të lëvizte ku t’i shkrepej, që “të bridhte në Evropë për të jetuar lirinë” (Këto lavde hiperbolike të lirisë, duket se janë tallje ndaj lirisë!). Le të shihen këto tangërllëqe në f. 285. Në atë kohë ndryshimesh të sistemeve, né i kishim dyqanet bosh, dhe xhepat pa një kacidhe, e na dhembte shpirti kur dëgjonim lajmet e mallkuara sesi tërhiqeshin zvarrë me traktorë trupat e pajetë të fatkëqijve që përpiqeshin të kalonin përtej, ndërsa ky megaloman dilte pa fijen e rrezikut, duke qenë në shtëpinë e Kristaqit e të Anetës me të gjitha të mirat! Dhe mos harroni: Ky libër pa kokë e pa këmbë, i kushtohet bash nënës së tij, Anetës!
Para pak ditësh, më 10 tetor, ky njeri i pabesueshëm, që flet edhe për kohën kur ishte ministër i kulturës e i sporteve, - me aktivitet zero, - që përdhunoi grevën e përgjithshme të aktorëve, të balerinëve e të balerinave, të këngëtarëve popullorë e klasikë, të piktorëve e të skulptorëve, i bie për shkurt “sukseseve” të tij, që përshkojnë tejembanë librit. I di edhe shejtanllëqet, sipas stilit të baba Enverit, të temave tabù. Por vetëmburrja nuk e lë të merret edhe me përbuzjen arsimore të viteve të sotme në fuqi, pas atij tetëvjeçari të cilin e kishte mallkuar me të gjitha fjalët e bujshme që ai i njeh fare mirë. (Tani, që ia hodhi kryetarit të mëparshëm dhe e përdhosi nenin 28 të Statusit të PS-së, që të bëhej vetë kryetar) është bërë pishman si Haxhi Pishmani dhe nuk e kujton më 2005-n. Dhe para pak ditësh na flet me buzët varur, për arsimin, pas humbjes së pushtetit të PS-së, duke bërë sikur nuk i dinte shkollat e mëparshme, me 40 nxënës në klasë, me sobat që nxinin muret nga tymi, me fshatarët që bëheshin xurxull nga shiu, (pas një udhëtimi ndërmjet baltërash dhe llucash), me universitetet që thuajse nuk ekzistonin. Le të shohim “të vërtetat” e Ramës në premtimet e pabesueshme: “Ne do të vrasim frikën e çdo mësuesi për bukën e gojës ( ...). Ne do të bëjmë të mundur që arsimin shqiptar ta fusim në binarët e integrimit evropian (...). Ne do të sigurojmë që çdo investim i çdo familje(je) shqiptare për fëmijët është një investim i garantuar përmes një sistemi transparent të akreditimit të çdo shkolle. Do të krijojmë një agjensi (agjenci) ndërkombëtare akreditimi dhe çdo universitet do të akreditohet në mënyrë të pavarur dhe jo në rrugën e interesave. Kryeministri shkel ligjin për arsimin duke bërë propagandë dhe nga ana tjetër nuk lejon përfaqësuesit e opozitës të kapërcejnë oborret për të folur (për të propaganduar!) me nxënësit apo studentët”. (Flet për universitetet që thuajse nuk ekzistonin më parë dhe e mbyll me një frazë enigmatike, për moslejimin e kalimit të gardheve nga militantët e vet... Sa e kishin rrogën mësuesit dhe sa e kanë? “Për bukën e gojës”, mësuesit punonin më parë. A kishte shkolla. atëherë, me kompjuter në çdo klasë? A kalonin në rrugë të asfaltuara për në shkollë?
***
Njeriu që pohon me shkrim e me firmën e vet se ishte i “trasgresioneve dhe i provokacioneve”, së pari kërkon përkthyes për lexuesin, se s’e di shqipen, palé standardin e saj. I themi lexuesit se trasgresion ka kuptimin e shkelësit të ligjit, apo të kundërvajtësit. Si shkelës i ligjit dhe si provokator, ai ka shok veten. Dy provokimet e tij që dëshmojnë se është edhe anarkist, janë 21 janari i 2011-s dhe tani, në ditët tona, greva spektakolare e ish-të përndjekurve politikë. Në të vërtetë, që të flasim për këtë të dytën, grevën: a përfaqësojnë ish-të përndjekurit politikë, të ngujuarit e tanishëm? Po atëherë përse shoqatat e ish-të përndjekurve politikë të Korçës, të Pogradecit, të Shkodrës, të Shoqatës Kombëtare antikomuniste, e të tjerë, deklarojnë se të ngujuarit bëjnë politikën e Edit dhe të Gramoz Ruçit dhe nuk solidarizohen assesi me veprimet e telekomanduara të grevistëve, për arsye fare të thjeshta: Kujt i shërbejnë ata? Cilët përfaqësojnë? A mendojnë se po keqpërdoret greva e tyre nga armiqtë tanë? A e dinë opinionin e Aleksandër Kaçit të Shoqatës së Shkodrës? “Une besoj, - thotë publikisht z. Kaçi, - se nuk është në natyrën tonë, por është dhe në kundërshtim me besimin tonë te Zoti, vetëflijimi. Nga ana tjetër, Kaçi shton se është i papranueshëm politizimi i grevës, - duke shtuar se ky politizim po behet nga njerëz qe nuk kane bërë asgjë për këtë shtresë. Njëkohësisht, në emër te familjes sime, të fëmijëve tanë, u bej thirrje grevistëve, që ta ndërpresin menjëherë grevën”. Ish - të përndjekurit e Korçës kanë kundërvepruar në lidhje me grevën e urisë. Ata kane shprehur mirëkuptim për kërkesat për dëmshpërblim, por kane theksuar se janë kategorikisht kundër akteve te vetëflijimit, siç ishte djegia me benzinë e dy prej grevistëve, të shpëtuar fatmirësisht. Skënder Tufa, paraqitet si “kreu i Shoqatës së të Burgosurve Politikë” në disa medie. Cilës shoqatë, konkretisht? Kush e ka zgjedhur? Arifi ka lënë grevën, në ditën e 22- të saj, për arsye familjare. Ndërkohe mësohet se njëri nga koordinatorët e grevës ka dhënë dorëheqjen, pas mosmarrëveshjeve që kishte me ish- të përndjekurit politikë, te cilët janë ne greve urie. “Dorëheqja ime vjen pasi më thanë se kam bëre deklarata politike. I bëjme thirrje te gjithë demokratëve, nuk kemi grevë politike, por ekonomike”. Ka gazeta që dëmshpërblimet e mëdha ndaj ish-të burgosurve të akuzuar për krime të diktaturës, si R.Alia, Nexhmija, Aranit Çela, janë liruar nga burgu dhe janë dëmshpërblyer majmërisht nga majtistët në fuqi, pas tetëvjeçarit që mori pushtetin pas `97-s rrënimtare, dhe këto shpenzime ia faturojnë P. Demokratike! Kjo parti, po, ka caktuar normën prej 18,6 dollarë dëmshpërblim ditor për ish-të përndjekurit-politikë, të vuajtur prej diktaturës komuniste. Është norma më e lartë në Europë.
Po citojmë një gazetë të18 tetorit , gazetë me parime demokratike, antikomuniste: “Deri më sot, sipas z. Halimi në grupin parlamentar, janë derdhur 103 milion dollarë dhe lekë privatizimi, si edhe 2 mijë e 200 apartamente banimi, 2 mijë e 751 fabrika ndërmarrje, linja prodhimi, hotele, klube e njësi të tjera shërbimi, të privatizuar me çmime simbolike, si edhe 71 shoqëri aksionare. Janë dhënë rreth 22 mijë të drejta studimi, bursa dhe tarifa studimi në universitetet e vendit” - kishte deklaruar Bardhi”. Vazhdojmë: “Z. Halimi i njohu deputetët e aleancës Rama-Tufa se viktimat e kësaj aleance që ndodhen në çadrat e ngritura me urdhër të Edi Ramës te studioja e Kristaq Ramës, kanë marrë së bashku lekë privatizimi 256 mijë dollarë. Përveç këtyre kanë marrë apartamente banimi, me vlerë 240 mijë dollarë të tjera dhe kanë privatizuar me çmime simbolike fabrika, objekte dhe toka turistike me vlerë mbi 400 mijë dollarë. Ndërsa vetë të ngujuarit në studion e Kristaq Ramës shprehen se nga pushteti i majtë në fuqi nuk kanë marrë asgjë” (“Agon”, 18.10.2010, f.6). Atëherë a nuk është një paradoks, që të bëjnë politikën e Edi Ramës? Ministri i Drejtësisë vajti të referojë në grupin parlamentar të PD-PS-së dhe socialistët nuk bënë asnjë pyetje. Atëherë, përse e thirrën? Përse socialistët mbetën memecë? Kishin frikë se do t’u thoshin: “Këto bëmë. Po ju, ç’keni bërë?”. Pra, opozitarët hodhën gurin dhe fshehën dorën! Sipas taktikave të Edi Ramës, veçanërisht kur jemi në prag -fushatë. Ky është ai provokimi i provokatorit Rama, që fjalën provokim e lezeton në provokacion! (sikur te jemi në provokacionet e 2 gushtit!).
Tani, për ta mbyllur, le t’i rikthehemi, shkurtimisht, provokimit të 21 janarit të vitit të kaluar. Mund të arrihet thjesht në një përfundim logjik, nëse do të vinim disa pika mbi i: Demonstratat e rrugëve dhe bllokada e parlamentit, a mund të bëheshin pa dijeninë dhe jashtë urdhrave të E. Ramës? Domethënë: a ishin spontane apo të komanduara? Së dyti: A është një nonsens që një ditë më parë, më 20 janar, Edi Rama të deklaronte se “situata mund të dilte jashtë kontrollit”? Do të binim në një kundërthënie, nëse ky pohim do të kundërshtonte atë të parin, se këto akte bllokimi rrugaçëror bëheshin spontanisht! Atëherë përse nuk dha një urdhër me celular nga kulla e përkundrejtë, kur u thye porta e hekurt e Kryeministrisë (me goditje të një automjeti) dhe mbetej të shpërthehej edhe dera e drunjtë e kryeministrisë, kur as Rama nuk do ta kishte vërtet në dorë, të mos ndodhnin vrasje të personaliteteve më të larta të shtetit, duke filluar nga kryeministri? Do të ndodhte si ajo vrasja e Nikolajevit, për të shfajësuar vrasësin e vërtetë, Stalinin! Ç’i kushtonte Ramës të thoshte se funksionarin e lartë e vrau filani dhe t’i vinte atij filanit nga prapa një fuori seri për ta lënë në vend? Aksident automobilistik! Dhe çudia është se Rama, që i thotë së zezës të bardhë dhe anasjellas, e quajti këtë demonstratë si “paqësore!”. Kishte boll kohë, tepër, madje, që t’u thoshte në celular drejtuesve të këtij provokimi: ndal! Por ai kërkonte medoemos viktimat. Qoftë edhe sikur demonstrata të vazhdonte gjer në mëngjes! Qoftë edhe të pasnesërmen! I duheshin pa tjetër viktimat, për t’i pasur si lajtmotiv kundër kandidatit Basha të bashkisë së Tiranës! Pastaj, meqë ia arriti synimit të viktimave, i qau ato, me lot krokodili, sikundër qau Stalini Kirovin! Një parim i faqeve të jurisprudencës është: Për të gjetur kriminelin, duhej parë me vëmendje se kush është përfituesi i krimit. Rama mendonte se do ta shfrytëzonte me sukses atë krim. Por krimi iu bë bumerang. Ai e humbi bashkinë, paçka se u mundua ta mbante me thonj, duke e çuar çështjen edhe në Komisionin e Venecies. Edhe këtu dështoi: Përgjigjja: Do të vlerësohet vullneti i votuesve, jo kauçuku (kutia e votimit). Kjo e nxori Arben Ristanin si një jurist gjakftohtë, të ndershëm dhe të zotin. Megjithatë, ç’nuk u tha kundër tij! Pra, përfundimisht, 21 janari, që mashtron naivët apo njerëzit që mendojnë jangllësh, duke e lënë logjikën në WC, është një provokim i ulët i Ramës që dështoi si të gjitha provokimet e tjera të tij! Edhe greva e tanishme e njerëzve në shërbim të tij kërkon viktima. Rama është në ankth, se mos mbyllet pa flijime spektakolare. E ka në gjak provokimin. E ka pohuar edhe vetë. Mos do të vijë koha që të djegë edhe “Kurbanin”?
Do Zoti që ta bëjë kurban “Kurbanin” dhe jo njerëzit, që kërkon t’i djegë, në vend të “Kurbanit”!