E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon një delegacion të Asamblesë Popullore të Kinës

Kompanitë kineze, të interesuara për të investuar në Shqipëri

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim më një delegacion të Asamblesë Popullore të Kinës, të kryesuar nga Lu Zhonghe, nënkryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Asamblesë Popullore të Kinës. Gjatë këtij takimi kryeministri Berisha u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Kina i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë. Gjithashtu, duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik të dy vendeve, kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është një vend i vogël, por me potenciale mjaft të mëdha në fusha të ndryshme dhe se qeveria shqiptare do të inkurajojë dhe do të mbështesë investimet e kompanive kineze në Shqipëri, në mënyrë që ato të jenë të suksesshme, veçanërisht në infrastrukturë, në porte në energjetikë, në shfrytëzimin e pasurive minerare etj. Gjithashtu kryeministri Berisha u shpreh se në Shqipëri po krijohen disa parqe industriale dhe se qeveria shqiptare është e gatshme të krijojë mundësinë e një zone të lirë për biznesin kinez. Zoti Lu Zhonghe u shpreh se qeveria kineze ndiqte me interes dhe me admirim ecurinë me ritme të jashtëzakonshme të reformave ekonomike të Shqipërisë, si dhe vlerësoi si të admirueshme hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të përballuar efektet e krizës ekonomike që ka përfshirë botën. Ai u shpreh se falë hapave të ndërmarrë dhe reformave të qeverisë të kryeministrit Berisha, Shqipëria ka një ekonomi në zhvillim, e cila do të ketë një rritje të konsiderueshme edhe në këtë periudhë të krizës botërore ekonomike. Zoti Lu Zhonghe u shpreh se qeveria kineze do të inkurajojë kompanitë më të mëdha kineze që të investojnë në Shqipëri dhe se shfrytëzimi i potencialeve të Shqipërisë ka ngjallur një interes të madh te sipërmarrësit kinezë, veçanërisht në ndërtimin e porteve, në shfrytëzimin e mineraleve, në infrastrukturë, në energjetikë etj.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›