E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada e SHBA-ve: Nuk kemi bekuar asnjë pakt qeverisës

Reagon zëdhënësi i ambasadorit amerikan në Tiranë. Biks Aliu: “Deklaratat për ndikim janë krejtësisht të pavërteta”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndikuar për asnjë pakt për qeverisjen e vendit gjatë katër viteve të ardhshme. Pas deklaratave të ndryshme për një ndikim të ambasadorit Withers, dje ka reaguar zëdhënësi për shtyp i kësaj ambasade, Biks Aliu. Zëdhënësi Aliu ka bërë të ditur se është në dijeni të deklaratave të tilla që aludojnë për një ndikim të ambasadorit Withers për një pakt qeverisës. Aliu thekson se të gjitha këto deklarata janë të pavërteta dhe vijnë nga qarqe të caktuara. Ai pohon se Ambasada Amerikane nuk ka ndikuar në asnjë marrëveshje për bashkëqeverisjen e vendit në katër vitet a ardhshme. Më tej Aliu qartëson se qëndrimi i Ambasadës Amerikane për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe për qeverisjen e vendit gjatë katër viteve të ardhshme janë bërë publike nga vetë ambasadori John Withers gjatë një interviste dhënë “Zërit të Amerikës” në datën 3 korrik.
Deklarata
“Ambasada është në dijeni të aludimeve nga qarqe të caktuara, që nënkuptojnë një mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për negociatat politike në vazhdim mes aktorëve të ndryshëm politikë. Këto aludime janë tërësisht të rreme dhe vijnë nga qarqe të caktuara. Qëndrimi i Ambasadës Amerikane është dhënë nga vetë Ambasadori Withers gjatë një interviste dhënë ‘Zërit të Amerikës’ më 3 korrik”, - është shprehur zëdhënësi për shtyp i Ambasadës Amerikane, Biks Aliu. Një deklaratë e tillë u jep fund aludimeve sipas të cilave ambasadori amerikan ka bërë negociatorin e nënshkrimit të një pakti për bashkëqeverisjen e vendit gjatë katër viteve të ardhshme.
Qëndrimi i Withers-it
Gjatë një interviste dhënë “Zërit të Amerikës” pak ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Shqipëri, ambasadori amerikan John Withers, ndërsa ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve, u shpreh se qeveria e ardhshme nuk duhet të qeverisë vetëm për 50 për qind të votuesve që e votuan, por duhet t’i shtrijë dorën edhe 50 përqindëshit tjetër. “Rezultatet e këtyre zgjedhjeve ishin shumë të ndërlikuara. Pika kritike që do të veçoja është që treguan një ndarje thuajse 50 me 50 përsa u përket preferencave të votuesve. Besoj se rezultatet e përgjithshme të dy koalicioneve të mëdha ishin thuajse disa pika përqindje larg, ishte thuajse një barazim statistikor. Kuptimi i kësaj është që qeveria tjetër, kushdo që të dalë nga ky proces, dhe do të jetë proces politik e mund të dojë kohë, por kushdo del, ka një përgjegjësi më të madhe. Është shumë e rëndësishme që qeveria tjetër të kuptojë që duhet të qeverisë jo në emër të 50% të atyre që votuan për të, por të shtrijë dorën te gjysma tjetër e popullsisë, që është qartësisht e interesuar në përmirësimin e Shqipërisë. Dhe të përpiqet ta bashkojë kombin për të mirën e tij të përbashkët”, - është shprehur Withers.
Ndërsa ka dhënë shembuj nga bisedat e zhvilluara me banorë të ndryshëm të Shqipërisë, që kishin bindje të ndryshime politike, por që të gjithë kanë kërkesa të përbashkëta, siç është lufta kundër korrupsionit, zhvillimi i vendit, respektimi i institucioneve të pavarura etj. “Ndaj mendoj se në këtë votë janë shprehur synime të përbashkëta që i ka populli shqiptar si i tërë. Qeveria tjetër e Shqipërisë, me gjithë ndërlikimet që ju përmendët, vërtet duhet të jetë qeveri e Shqipërisë, dhe jo e një fraksioni apo një tjetri”, - është shprehur Withers.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›