E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët në KQZ vendosin të mos i numërojnë 9 kutitë e Fierit

Ristani shpjegon se kutitë hapen pas ankimimit të subjektit politik. Subashi akuzon Ristanin: “Jeni përgjegjës pasi urdhëruat komisionerët”

Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi dje me katër votat e anëtarëve të PD-së pro dhe tri të PS-së kundër që të mos hapen dhe të mos numërohen fletët e votimit që ndodhen në 9 kutitë që i përkasin KZAZ-ve të qarkut të Fierit. Kjo për faktin se nuk ekziston një ankimim nga një subjekt politik për rezultatin e shpallur nga këto KZAZ. Ndërkaq, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e ngarkoi me përgjegjësi kryetarin Arben Ristani për këtë vendim dhe për urdhrin që u ka dhënë komisionerëve të KZAZ-së Nr. 20 të Fierit që të mbyllin tabelat me rezultatet dhe kutitë t’i dërgojnë në KQZ për numërim. Ky vendim i KQZ-së është marrë në kundërshtim me kërkesën e Partisë Socialiste, e cila prej disa ditësh bën thirrje për numërimin e 9 kutive të Fierit pasi pretendon se aty gjendet mandati i 9-të i PS-së në qarkun e Fierit. Mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror Zgjedhor e ka ndjekur nga afër kandidati i nëntë i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Pirro Lutaj, si dhe deputeti Fatmir Xhafaj.
Debati
Gjatë mbledhjes së djeshme, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, u shpreh se “situata po tensionohet qëllimisht për të bërë pis zgjedhjet, pasi me ligj këto kuti nuk mund të hapen në këtë moment”. Sipas Ristanit, në bazë të ligjit, vendimi i KQZ-së dhe tabelat që ka sjellë KZAZ-ja mund të ankimohen më vonë. Ndërsa nënkryetarja Subashi, e cila ka mbrojtur tezën e hapjes së 9 kutive, ka deklaruar se "kutitë duhet të hapen pasi ato ishin të rregullta në momentin që janë marrë në dorëzim dhe anëtarët e KZAZ-së Nr. 20 në mënyrë abuzive nuk kanë shënuar rezultatin në tabelat përmbledhëse të rezultateve”. Më tej Subashi e ka akuzuar Ristanin duke deklaruar se pikërisht ai i ka udhëzuar komisionerët që ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje dhe të plotësojnë tabelat ndërsa situata në Fier po tensionohej. Në përfundim të mbledhjes, KQZ, me 4 vota pro dhe 3 kundër, miratoi tabelat e rezultateve të 7 KZAZ-ve të Fierit, duke e mbyllur procesin në këtë qark.
“Në bazë të ligjit, subjektet zgjedhore kanë paraqitur ankesa, sepse në Fier KZAZ-të dhe grupet e numërimit, në kundërshtim me ligjin, nuk i kanë përfshirë 2 qendrat e votimit në tabelat e rezultateve përmbledhëse dhe për këtë keni përgjegjësi edhe ju z. kryetar, pasi u keni thënë komisionerëve ta mbyllin këtë çështje sa më shpejt sepse ‘nëse ka pakënaqësi e zgjidhim ne në KQZ’”, - është shprehur Subashi gjatë mbledhjes së djeshme.
Më tej ajo ka këmbëngulur në hapjen e kutive duke e krahasuar rastin e Fierit me rastin e Fushë-Kuqes. “Problematika e Fushë-Kuqes është e njëjtë me rastin e Fierit. KZAZ nuk ka pasur procesverbal. Në këto kushte e kemi miratuar këtu numërimin e 6 kutive”, - është shprehur Subashi.
Ndërsa Ristani e kundërshtoi duke deklaruar se 6 kutitë e Lezhës nuk kishin tabelë përmbledhëse, ndërsa kutitë e Fierit kanë tabelën e rezultateve, ndaj dhe nuk mund të ndërhyjë KQZ-ja pa pasur ankimim nga partitë politike për rezultatin e shpallur. “Në rastin e Lezhës KZAZ-ja nuk kishte bërë tabelë përmbledhëse duke mos i miratuar 6 kuti. Fieri nuk është i njëjtë, pasi Komisioni Zonal atje ka marrë një vendim, atë për mospërfshirjen e këtyre kutive në tabelat përmbledhëse të rezultateve. Ndaj këtyre tabelave mund të ankimohet. Po kështu, partitë mund të ankimojnë edhe vendimet tona. Kështu thotë ligji, ata që kanë ankesë ta paraqesin atë, sepse aktualisht ka një rezultat nga KZAZ-ja. Tani nuk jemi në momentin e hapjes së kutive sepse nuk na e lejon ligji”, - është shprehur Ristani, i cili ka mbyllur diskutimin për KZAZ-të e Fierit.

Miratohen tabelat përfundimtare të të gjitha KZAZ-ve të Shkodrës

Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi gjatë mbledhjes së djeshme, pa votat e përfaqësuesve socialistë, tabelat përfundimtare të rezultateve të qarkut të Shkodrës. Sipas relacionit shoqërues të vendimit, tabelat përfundimtare mbështeten në tabelat përmbledhëse të rezultateve të sjella nga çdo KZAZ e këtij qarku. Pas disa saktësimeve nga administrata e KQZ-së për dy KZAZ të këtij qarku, përfaqësuesit e opozitës në Komision votuan kundër vendimit. Sipas tyre, rezultatet e dy qendrave të votimit nuk ishin përfshirë në tabelat përmbledhëse të miratuara nga komisionerët e KZAZ-së përkatëse. “Të gjitha kutitë e votimit që janë marrë në dorëzim si të rregullta duhet të ishin të përfshira në rezultat. Përderisa kjo nuk është përmbushur nga KZAZ-ja, duhet ta bëjë KQZ-ja, pasi kjo përbën një problem thelbësor për rezultatin zgjedhor. Mungesa e dy QV-ve të marra në dorëzim dhe të mospërfshirja në tabelë më duket e pavend”, - është shprehur nënkryetarja Subashi, përfaqësuese e PS-së në Komision. Kjo u hodh në votim dhe u rrëzua, sepse 4 anëtarë të KQZ-së votuan për miratimin e rezultateve të Shkodrës dhe 3 për mosmiratimin e tyre.

KQZ-ja rrëzon kërkesën e LZHK-së për rinumërim të disa kutive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar për rinumërim dhe rivlerësim të votave në disa KZAZ të qarkut të Tiranës. LZHK, e cila në votimet e 28 qershorit kryesonte koalicionin e djathtë "Poli i lirisë”, përmes ankesës së saj pranë Komisionit Zgjedhor kontestoi tabelën përmbledhëse të rezultateve në KZAZ-të 45, 47, 49 dhe 51 të qarkut të Tiranës, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave. Anëtarët e KQZ-së refuzuan t’i pranojnë këto ankimime të paraqitura nga LZHK-ja, pasi, sipas tyre, ato nuk respektojnë kriteret e përcaktuara në nenet 124, 126 dhe 130 të Kodit Zgjedhor. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga KQZ-ja mbrëmjen e 3 korrikut, koalicioni "Poli i lirisë", grupim i gjashtë partive, mori në zgjedhjet e 28 qershorit 27 493 vota, ose 1.82%.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›