E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha te baza e Gjadrit: Ushtarëve u mbetën çadrat bosh

Kryeministri
viziton bazën operacionale për shpërndarjen e ndihmave në Gjadër: Këta ushtarë
mund të ndërtonin kampe me çadra për të strehuar edhe deri në 15 mijë vetë, po
të ishte nevoja, por faktikisht në çadrat e tyre nuk ka njeri, sepse janë hapur
zemrat dhe dyert e qytetarëve

Shkodër, 14 Janar NOA - Kryeministri Sali Berisha
i cili qëndroi dje në Shkodër, ku u organizua mbledhja e qeverisë, u ndal pasdite
në bazën ushtarake të Gjadrit, ku është vendosur dhe baza operacionale për
shpërndarjen e ndihmave.

Duke folur me efektivët ushtarakë, Berisha tha
se këta ushtarë mund të ndërtonin kampe me çadra për të strehuar edhe deri në
15 mijë vetë, po të ishte nevoja, por faktikisht në çadrat e tyre nuk ka njeri,
sepse janë hapur zemrat dhe dyert e qytetarëve.

Janë pritur, - vijoi Berisha, - siç pritën 1
milion qytetarë nga Kosova dhe 90 përqind të tyre në vatrat e shqiptarëve.

Edhe këta të përmbytur, në shumicën dërrmuese,
ndonëse ne i kemi vendet bosh. janë strehuar në qytetarë, në fshatrat përreth
dhe po e kapërcejnë me dëmet më minimale këtë përmbytje të madhe, - vuri në
dukje kryeministri.

Ai përshëndeti dhe
falënderoi personalisht ushtarët dhe oficerët, si dhe të gjithë ata
të cilët gjatë gjithë kësaj kohe, po merren me sistemimin dhe shpërndarjen
e ndihmave për zonat e përmbytura.

Gjithashtu, ai falënderoi të gjithë
ata përfaqësues të biznesit, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm, duke ofruar
ndihmën e tyre konkrete për familjet e zonave të përmbytura.

Nga baza ushtarake e Gjadrit, Kryeministri
shprehu mirënjohjen edhe për solidaritetin e jashtëzakonshëm që është
treguar ndaj qytetit të Shkodrës, në këto ditë të vështira.

Gjatë vizitës së tij në bazën e Gjadrit, Berisha
u takua gjithashtu edhe me forcat ushtarake italiane, të cilat kishin
ardhur në ndihmë të zonave të përmbytura, duke iu shprehur falënderimet e tij
më të thella për ndihmën që ata po japin në kapërcimin e kësaj situate.

Duke iu drejtuar të gjithë personelit të
pranishëm në këtë bazë, Kryeministri u tha se keni bërë një punë
jashtëzakonisht të madhe, e cila do të vazhdojë.

Ndërrimi i motit është shpresëdhënës, - pohoi
Berisha, por shtoi: Por zona e përmbytur do të ketë nevojë edhe për një kohë
të furnizohet në kushtet e kësaj gjendje emergjente dhe ne do ta furnizojmë atë.

r.d/e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›