Berisha thirrje demokratëve: Të hënën të dalim para Parlamentit, të rikthehemi te protestat

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje demokratëve që të hënën të dalin së bashku me opozitën para Kuvendit për të mbrojtur sipas tij, të ardhmen e vendit.
Berisha u shpreh se drejtësia nuk merret me hetimin në themel të aferë së inceneratorëve dhe për këtë arsye sipas Berishës duhet protestuar.
“Dumani i partisë merret me pllakat dhe laminatet, por nuk merret me 130 milionë euro të zhdukura për ndërtimin e djegësit të Tiranës, për të cilin nuk ekziston asnjë gjurmë.
Të gjitha këto pra dëshmojnë rëndësinë jetike të protestës suaj.
E hëna është një ditë e madhe, është një ditë e bardhë, është dita juaj para parlamentit shqiptar.
Ndaj dhe unë u bëj thirrje demokratëve kudo që janë, u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën e fuqishme të ditës së hënë para parlamentit për t’i rikthyer tempullin e demokracisë shqiptarëve të lirë, për t’i rikthyer parlamentin qytetarëve sovranë që kanë votuar, për të mbrojtur aty pluralizmin, për të mbrojtur aty të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Berisha në fjalimin e tij nga ballkoni i shtëpisë.
Sipas Berishës, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj “u deklaroi shqiptarëve se ndërsa merrej me laminatet dhe pllakat në banjon dhe kuzhinën e tij, nuk merrej me zhdukjen e 60 milionë eurove në Dubai, para të paguara nga taksapaguesit për ndërtimin e djegësit të Tiranës”
“A ka dëgjuar ndonjë prej jush se çfarë u bë me 30 milionë euro që u faturuan në sipërmarrje të të moshuarve në azil të pleqve? Çfarë u bë me to?
Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme për qëndresën tuaj, për protestën tuaj”, tha më tej Berisha.
/rtsh.al/