E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, tur takimesh për të përcjellë vizionin e NATO-s

Kryeministri Berisha u shpreh dje, gjatë vizitës në Sarandë se do të vazhdojë një tur vizitash në gjithë Shqipërinë për të bashkëbiseduar me shqiptarët lidhur me projektet e qeverisë, si dhe për t’i njohur ata se çfarë po bën qeveria për zhvillimin e vendit në të gjithë sektorët, në infrastrukturë, në shkolla, në biznese, në proceset integruese, etj. “Kam pasur disa arsye që më kanë mbajtur disi të shkëputur nga terreni, sepse jam detyruar të udhëtoj shumë jashtë shtetit, për shkak të procesit për në NATO-s. Por tani do ta vizitoj Shqipërinë pëllëmbë për pëllëmbë dhe kam shumë kënaqësi, pasi kudo që shkoj, gjej një Shqipëri absolutisht në ndërtim. Vetëm në Sarandë dhe Delvinë janë në tërësi në ndërtim 150 km rrugë. Por, nëse shkojmë në Korçë gjejmë të njëjtën situatë, në Peshkopi, Kukës, Tropojë, Lushnjë, Fier, etj. Taksat e qytetarëve shqiptarë po shkojnë në rrugë, ujësjellësa kanalizime, pra në kushte normale për jetesën e tyre. Ju do ta ndiqni këtë tur, që nuk do të ndalet tani e tutje”, u shpreh Kryeministri. I pyetur nga gazetarët nëse ky tur do të jetë “një dialog me Shqipërinë”, Kryeministri Berisha tha se ky tur “do të jetë një takim me qytetarin”. “Shqipëria është e të gjithë qytetarëve, nuk është prona ime. Detyra ime është të bisedoj me qytetarët shëqiptarë. T’u dëshmoj atyre se cilat janë projektet e qeverisë dhe çfarë po bën qeveria me taksat e tyre, se si po përdor qeveria paratë e taksapaguesve. Ky është raporti im më i rëndësishëm me qytetarët. Kryetari i LSI-së Meta ka hallin e referendumeve, por le të vijë e të bëjë një referendum për banorët e Bregut. Nuk ka banor në breg që nuk do të votonte për këtë rrugë. Ky është referendumi. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve, ndërsa unë do të bëj një takim me ta dhe do t’u raportoj se çfarë po bëjmë ne, cilat janë projektet tona, qoftë në infrastrukturë, në shkolla, në biznese, në proceset integruese. Shqiptarët duhet të lëvizin lirshëm, me viza, si gjithë europianët. Por europianë pa rrugë të ndërtuara nuk ka. Ne po bëjmë rrugët, po plotësojmë të gjitha standardet dhe po u afrohemi atyre qëllimeve që kemi”, nënvizoi Kryeministri.
Basha: Shqipëria në NATO dhe pavarësia e Kosovës, zhvillime me impakt përtej kufijve rajonalë/Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, nënvizoi dje se marrja e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe shpallja e Kosovës si një shtet i pavarur janë padiskutim zhvillimet më të rëndësishme në Evropën Juglindore, impakti i të cilave i kalon kufijtë rajonalë. Ministri Basha mori pjesë dje në konferencën me temë “Roli i politikanëve të rinj në sigurimin dhe promovimin e stabilitetit dhe demokracisë”, që u organizua nga Shoqata Atlantike e Liderve të Rinj të Politikës. Ministri Basha deklaroi se “Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në drejtim të reformave të saj integruese”. Ai veçoi hartimin e kornizave përkatëse ligjore në përshtatje me nevojat e integrimit si dhe ndërmarrjen e reformave strukturore, duke u përqëndruar kryesisht në privatizimin transparent dhe të drejtë të aseteve kryesore kombëtare, si dhe në krijimin e mekanizmave efiçentë në zbatimin e ligjeve dhe rendit. “Ekonomia shqiptare po zhvillohet me ritme të qëndrueshme”, vijoi z. Basha, duke shtuar se “këto janë arritje me kontribut në zhvillimin e vendit, por edhe kontribut dhe në gjithë rajonin”. Ministri i Jashtëm e krahasoi perspektivën europiane dhe euroatlantike të rajonit me një besim politik, ndaj tha ai, “shfrytëzoj dhe një herë rastin që nga kjo foltore t’u bëj thirrje të gjithëve, gjithë vendeve të Ballkanit Perendimor që besimin tonë ta vendosim në rrugën e integrimit europian dhe euroatlantik si e vetmja alternativë për rajonin tonë”. Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi se “ky proces nuk është i njëtrajtshëm, por kryesorja është se ne kemi rënë dakord që këto sfida t’i përballojmë së bashku, të ndajmë përgjegjësitë dhe të shkëmbejmë përvojën e përfituar, duke mirëpritur edhe ndihmën e partnerëve tanë euroatlantik”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›