Berisha “ul armët” me Glover në prag të 14 majit: Nuk ka armiqësi të përjetshme!

Berisha “ul armët” me Glover. Sepse “nuk ka as dashuri dhe as armiqësi të përjetshme” deklaroi ish kryeministri kur u pyet sot për Shefen e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR.
Audrey Glover monitoroi zgjedhjet problematike të 26 majit 1996 dhe në atë kohë Berisha që mbante postin e presidentit të lëshonte akuza mjaft të rënda.
Por sot Berisha e sheh pozitive faktin që Glover ndodhet në krye të këtij misioni, duke vlerësuar si shumë profesional dhe raportin që misioni i saj bëri në zgjedhjet e fundit.
“Ato që kam pasur për zgjedhjet e 1996 janë bërë 28 vite. Ajo çfarë mund të them se Glover në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport shumë profesional dhe unë e kam vlerësuar shumë raportin e saj”, tha Berisha për gazetarët
Këtë herë kritika ishte për qeverinë Rama dhe disa ndërkombëtarë, – pa i përmendur me emër – të cilët, tha ai shpërfillën raportin.
“Nëse raporti i zonjës Glover do të merrej me seriozitetin më të madh nga qeveria dhe ndërkombëtarët, Shqipëria nuk do të ishte kurrë në këtë gjëndje, por raporti i saj u injorua nga qeveria e cila duhej ta kishte atë raport bazë për transformimin e kuadrit ligjor. Raporti i saj u shpërfill në mënyrë të tmerrshme nga qeveria e eksponentë të caktuar të komunitetit ndërkombëtar. Raporti i saj për zgjedhjet e tranzicionit është raporti më profesional që mund të jetë shkruar ndonjëherë,“ nënvizoi Berisha.
Shefja e misionit të OSBE/ ODIHR prej ditësh ndodhet në Tiranë dhe në konferencën për median e pyetur nëse do të takohej me Berishën tha: “Do isha e lumtur të takohesha me këdo që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor”.
Glover do të jetë në krye të misionit të ODIHR që do të përbëhet nga 324 vëzhgues për zgjedhjet vendore të 14 majit.
/rtsh.al/