Rama: Rritja e pagave s’ka lidhje me zgjedhjet vendore, Reagon Glover e OSBE/ODIHR: Po e shohim me kujdes

Qeveria dakordësoi sot projektligjin për reformën e re të pagave që parashikon rritjen e pagës mesatare deri në 900 euro. Gjithashtu parashikohet dhe një rritje e ndjeshme e pagave për mësuesit, pedagogët, infermierëve dhe zjarrfikëseve, administrata qendrore, siguria dhe policia e shtetit.
Opozita e quan “mashtrim në kuadër të fushatës elektorale” por Kryeministri Edi Rama mohon që kjo të ketë lidhje me zgjedhjet e 14 majit, por se ka ardhur momenti.
“Rritja e pagave nuk është sipas dëshirës dhe as sipas kalendarëve elektoralë por sipas mundësive. Kjo është koha që janë krijuar mundësitë. Kjo është koha që bëhet. Nuk ka lidhje me fushatën e elektorale. Është e thjeshtë të kuptohet pse. Ne nuk kemi nevojë të rrisim paga për të fituar zgjedhjet.”
Madje në parantezë tha se fushata këtë herë do të ketë një tjetër objektiv.
“Ne nuk kemi nevojë të rrisim paga për të fituar zgjedhjet, nuk kemi fare të nevojshme të bëjnë as rritje pagash e asgjë tjetër. Madje, ne në këtë fushatë, do të mbjellim pemë me një pjesë të fondeve të fushatës elektorale sepse mendojmë që në vend se tua zëmë të gjithë kohën njerëzve me zhurmë, me tam-tam e me përplasje, të lëmë pas fushatës mbrapa, disa mijëra pemë që t’i kenë komunitetet, t’i kenë fëmijët, t’i kenë të moshuarit, t’i kenë familjet për të ardhmen,” shtoi Rama.
Opozita e quan mashtrim
Për kryetarin e Partisë së Lirisë, deklaratat e kryeministrat Rama për rritjen e pagave janë “mashtrime të përsëritura”.
“Rama kujtohet për qytetarët pak javë para ditës së zgjedhjeve” tha Meta në një prononcim për median pasi doli nga selia e PD-së, ku ndodhej në një takim me Sali Berishën për të koordinuar hapat që do ndjekin për fushatën zgjedhore të 14 majit.
Reagon OSBE/ ODIHR
Ndërkohë shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR, në një konferencë me gazetarët pak minuta pas deklaratës së kryeministrit Rama për rritjen e pagës tha se çështja do analizohet për të parë nëse përbën shkelje ligjore apo jo.
“Kjo çështje është një nga fushat që po e shohim me kujdes dhe na duhet pak kohë të studiojmë nëse përbejnë shkelje dhe në çfarë mase kanë shkelur Kodin Zgjedhor” tha Audrey Glover.
Si do e nxisë qeveria sektorin privat të rrisë pagat?
“Është një proces i ndërthurur sepse rritja e pagave në sektorin publik rrit patjetër edhe aftësinë e sektorit publik për të thithur burimet njerëzore më të kualifikuar dhe nga kjo sektori privat do të jetë i detyruar të rrisë pagat. Kjo po ndodh. Sot pagat e sektorit privat po rriten me shpejtësi. Jemi optimistë e shohim rritjen pozitive” tha Rama.
/rtsh.al/