E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, uron Cameron për detyrën

Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh urimi Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, zotit David Cameron me rastin e emërimit në këtë detyrë.

"Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e emërimit Tuaj Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, t'Ju përcjell, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, si dhe në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në misionin fisnik përpara Jush" thuhet në mesazhin e urimit të kryeministrit Berisha.

Më tej kryeministri Berisha thekson se fitorja e tij në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe krijimi i qeverisë së koalicionit përbëjnë një kthesë historike për Partinë Konservatore, por, njëkohësisht, edhe një ngjarje të shënuar për konservatorizmin në mbarë botën.
"Me këtë rast, dëshiroj t'Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen për mbështetjen e përkrahjen që Partia Konservatore i ka ofruar Partisë Demokratike të Shqipërisë, që me krijimin saj dhe në vijimësi. Partia Konservatore, si njëra ndër aleatet më të ngushta, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshmëm në përpjekjet tona fillimisht për rindërtimin e demokracisë e të shtetit ligjor në Shqipëri, bazuar në ekonominë e tregut të lirë, e më pas për konsolidimin e institucioneve dhe për integrimin e shpejtë në NATO e në Bashkimin Europian të Shqipërisë" thuhet në mesazhin e urimit.
Kryeministri Berisha gjithashtu thekson se dy vendet tona ruajnë marrëdhënie shumë të mira, të bazuara në ndjenjat e miqësisë tradicionale ndërmjet të dy popujve e kombeve tona dhe po zgjerojnë përditë bashkëpunimin në të gjitha fushat.
"Mbretëria e Bashkuar mbështeti fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe vazhdon të përkrahë të gjitha hapat e vendit tim, në kuadër të projektit tonë madhor kombëtar, anëtarësimit të plotë në BE. Duke Ju shprehur edhe një herë mirënjohjen për këtë mbështetje, gjej rastin t'Ju siguroj se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur t'i konsolidojë edhe më tej marrëdhëniet e mira e miqësore, si dhe ta intensifikojë e ta thellojë bashkëpunimin në të gjitha fushat, në veçanti atë ekonomik e tregtar, dhe promovimin e investimeve të ndërsjella, në dobi të interesit më të mirë të të dyja vendeve e popujve" përfundon mesazhin e tij kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›