Berisha uron besimtarët ortodoks shqiptarë me rastin e inagurimit të Katedrales së Kishës Ortodokse në Tiranë
Mesazh urimi i Kryeministrit Berisha për besimtarët ortodoks shqiptarë dhe Fortlumturinë e tij Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Imzot Anastasios Janullatos, me rastin e inagurimit të Katedrales së Kishës Ortodokse në Tiranë
Te dashur besimtarë ortodoks shqiptarë,
Fortlumturia juaj imzot Anastasios Janullatos Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë,
Inaugurimi i Katedrales së re të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare sot në Tirane është një ngjarje e madhe, një histori ringjallje shpirtërore, jo vetëm për besimtarët ortodoks, por për të gjithë ata qe i besojnë Zotit dhe për mbarë kombin shqiptar. Ajo ngrihet sot, jo në të njëjtin vend por rilind madhështore mbi rrënojat e paraardhëses së saj që barbarisht u shemb gjysëm shekulli më parë në luftën qe regjimi ateist i Enver Hoxhes i kishte shpallur Krishtit dhe Muhametit, vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore të shoqërisë shqiptare. Ajo inagurohet sot në kryeqendrën e vendit si tempull i përjetësisë se këtyre vlerave tek shqiptaret, komb me kontribute te mëdha dhe një nder kombet themeluese te krishterimit. Inaugurimi i saj sot, është një nderim i madh për Fan Nolin e pavdekshëm dhe te gjithë ata qe themeluan me sakrifica mbinjerëzore Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare si dhe per ata qindra mijëra besimtarë që ruajtën për vite dhe dekada në shpirtin dhe zemrën e tyre tempullin që inagurojnë sot.
Në pamundësi për të qënë fizikisht sëbashku me ju në këtë ceremoni, me këtë rast uroj shumë përzemërsisht ne emër tim dhe te qeverise shqiptare te gjithë besimtaret ortodoks shqiptarë për kete dite te madhe per ta dhe mbarë kombin tonë, dhe përulem me nderimin me të madh para veprës së ndritur të themeluesve të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Një nderim te veçantë unë dua të shpreh për Kryepeshkopin e Kishës sonë Ortodokse, Fortlumturinë e tij imzot Janullatosin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ringjalljen e Kishës Ortodokse Shqiptare, ndërtimin e infrastrukturës se saj materiale dhe shpirtërore në mbarë vendin. Katedralja madhështore që inaugurohet sot në qendër të Tiranës është dhurata me e bukur qe ju bënë shqiptarëve ne 20 vjetorin e udhëheqjes së mençur dhe vizionare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturia e tij imzot Anastasios Janullatos.
Gëzuar këtë ditë të bekuar për të gjithë shqiptarët!