Berisha viziton trupat shqiptare në Afganistan

Foto Ilustruese
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka mbyllur vizitën e tij dy ditore në Kabul, Afganistan ku ka vizituar ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Shtabin e ISAF dhe komandën rajonale në Kabul.
Kryeministri ka vizituar Bazën e Përparuar Operacionale në Spin Buldok në Kandahar, ku është vendosur edhe kontingjenti i Forcave Speciale Shqiptare Eagle 4 dhe pati një takim shumë të përzemërt, thuhet në deklaratën e kryeministrisë, me efektivin e kompanisë Eagle 4.
Kryeministri u shprehu ushtarakëve tanë mirënjohjen më të thellë të tij, të qeverisë dhe popullit shqiptar për përfaqësimin me dinjitet të lartë të Shqipërisë, në përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në mbështetje të popullit afgan.- njofton kryeministria.
Në ditën e dytë, Kryeministri u takua me efektivin e kontingjentit të FARSH në Kamp Arena, në Herat, si dhe ka zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit civil më të lartë të NATO-s në Shtabin e ISAF, ambasadorin Simon Gass, me Komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Asistencës, njëkohësisht Komandant i Forcave Amerikane në Afganistan, Gjeneral John Allen, komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore Gjeneral Brigade Luigi Chapperini, Zëvendëskomandantin e Komandës Rajonale Jugore Gjeneral Majorin Javier Cabeza.