E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vlerëson përkushtimin dhe profesionalizimin e punës së policisë së shtetit për vitin 2008

-          Kryeministri Berisha: Është shumë e rëndësishme të respektohen në mënyrë absolute të drejtat dhe liritë e qyetarëve, veçanërisht në qendrat e paraburgimit dhe në burgjet tona.

-          Në bazë të traditës së shkëlqyer të krijuar nga policia e shtetit në proceset zgjedhore, Kryeministri Berisha shprehu besimin se edhe në zgjedhjet 2009 ajo do të marrë të gjitha masat për përmbushjen me profesionalizëm të detyrave të saj

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në analizën vjetore të punës së Policisë së Shtetit. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Brendshëm Bujar Nishani, drejtues të lartë të strukturave të tjera, të Shërbimit Informativ Shtetëror, të Avokatit të Popullit, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, autoritete të departamentit të luftës kundër pastrimit të parave, drejtues qendror dhe vendor të policisë së shtetit, etj.

Kryeministri u shpreh se rezultatet e punës së policisë së shtetit në luftën me zero tolerancë ndaj krimit, japin të gjitha mundësitë për të shprehur vlerësimin e qeverisë për punën e suksesshme që kjo polici ka bërë gjatë vitit 2008. “Me përkushtimin, me trimërinë, profesionalizimin tuaj, ju e keni bërë Shqipërinë  dhe jetën e qytetarëve shqiptarë më të sigurt, pronën e tyre më të sigurt dhe keni vendosur një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ju keni konsoliduar dhe merituar plotësisht besimin e tyre”, tha Kryeministri.

Kryeministri shprehu besimin se viti i ardhshëm do të jetë viti i arritjeve akoma më të mëdha, ndërsa theksoi se policia e shtetit ia doli që  Shqipëria, në treguesit e mëdhenj të kriminalitetit, të jetë nën mesataren e Bashkimit Europian.

Kryeministri kërkoi një vëmendje akoma më të madhe për sa i përket luftës kundër krimit ekonomik. Në këtë luftë, tha Kryeministri, është e domosdoshme një bashkërendim i ngushtë i veprimtarisë me të gjithë faktorët.

Kryeministri u ndal në fjalën e tij në një çështje të rëndësishme si ajo e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, duke kërkuar nga të gjitha strukturat e policisë, veçanërisht të atyre që punojnë në burgje dhe në dhomat e paraburgimit, që të jenë të ndjeshëm dhe të respektojnë në mënyrë absolute të drejtat dhe liritë e shtetasve.  

Në këtë aspekt, Kryeministri theksoi se veçanërisht me të miturit që kryejnë vepra penale, duhet të përdoret një praktikë tërësisht e ndryshme dhe të veprohet detyrimisht në bashkëpunim të ngushtë me psikologun. “Unë e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm qëndrimin ndaj të drejtave të njeriut. Ndaj unë i kam kërkuar Avokatit të Popullit dhe organizatave të tjera, që të mbikëqyrin rigorozisht respektimin e të drejtave të qytetarëve tanë në institucionet e vuajtjes së dënimit, por edhe në paraburgim. Unë nuk përjashtoj nga teoria e gabimit asnjë njeri, por ky është një problem shumë sensitiv”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje edhe një aspekt shumë të rëndësishëm të punës së policisë së shtetit që lidhet me procesin zgjedhor. “Ky është  një vit zgjedhjesh dhe ju keni dy detyra të mëdha; detyra e parë është të forconi disiplinën dhe vendosmërinë dhe të mos lejoni që krimi të krijojë ndonjë iluzion dhe të mendojë se strukturat e shtetit tashmë po merren me zgjedhjet. Ju keni si detyrë ruajtjen e rendit, qetësisë, luftën kundër kriminalitetit”, u shpreh kryeministri.

Nga ana tjetër, Kryeministri vlerësoi traditën e krijuar tashmë nga forcat e policisë për qëndrimin profesional dhe korrekt në proceset zgjedhore, duke shprehur besimin se edhe në zgjedhjet e vitit 2009  forcat e policisë do të  marrin të gjitha masat që ta përmbushin detyrën e tyre me nder, për sa i përket transportit të materialeve zgjedhore dhe qëndrimit të saj të përgjegjshëm gjatë procesit zgjedhor.  

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

“Analiza vjetore që ju bëni sot, jep të gjitha mundësitë për të shprehur vlerësimin e qeverisë për punën e suksesshme që ju keni bërë gjatë vitit 2008. Me përkushtimin, me trimërinë, profesionalizimin tuaj, ju e keni bërë Shqipërinë dhe jetën e qytetarëve shqiptarë më të sigurt, pronën e tyre më të sigurt dhe keni vendosur një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë.  Ju keni konsoliduar dhe merituar plotësisht besimin e tyre. Ndaj unë, dua t’ju përshëndes dhe përgëzoj përzemërsisht për të gjitha rezultatet që ju keni arritur gjatë vitit 2008. Policia e shtetit, me punë e saj  ka dhënë një kontribut thelbësor në përpjekjet e Shqipërisë në proceset e integrimit në bashkimin Europian dhe në NATO.

Rezultatet e punës suaj kanë qenë të një rëndësie specifike, të veçantë, për të garantuar partnerët tanë në seriozitetin e madh të luftës kundër krimit të organizuar, në vendosmërinë tonë për ta goditur atë me zero tolerancë, vendosmërinë tonë për të mos lejuar që Shqipëria të jetë një vend eksportues i krimit, vendosmërinë tonë për një bashkëpunim luajal me vendet partnere dhe institucionet ndërkombëtare. Këtë vit, ju shënoni rezultatet më të mira se në të gjitha vitet e mëparshme. Kjo është meritë shumë e madhe e juaja, e efektivave të policisë, e inspektorëve, e drejtuesve, e agjentëve të policisë së shtetit. Ju po konsolidoni një bazë të fuqishme të luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.

Unë kam besim të madhe se viti i ardhshëm do të jetë viti i arritjeve akoma më të mëdha tuaja në këtë luftë. Ju ia dolët që  Shqipëria, në treguesit e mëdhenj të kriminalitetit, të jetë nën mesataren e Bashkimit Europian. Ju ia dolët të përballeni me sukses me krime ndër më të sofistikuara. Ju ia dolët gjithashtu që, në bashkëpunim me prokurorinë, të konsolidoni forcën goditëse të luftës kundër një fenomeni tjetër, i cili është mather-matrix, nëna e të gjithave të këqijave të tjera të shoqërisë, korrupsioni. Policia kriminale ka dhënë një kontribut të çmuar, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin Informativ dhe prokurorinë e Shtetit. Fakti që ju po e konsolidoni forcën goditëse ndaj korrupsionit, është jashtëzakonisht shpresëdhënës. Korrupsioni përbën fenomenin më të rrezikshëm për një shoqëri të lirë.

Unë kam bindjen se, në bazë të rezultateve që ka arritur kjo qeveri dhe që janë shumë të qarta,  rezultatet ekonomike, financiare, rezultate të cilat kanë bërë që të ardhurat në këtë vend të rriten me 22 për qind  në vit, si në asnjë vend tjetër, kanë bërë që Shqipëria të ketë investime të mëdha të biznesit ndërkombëtar. Në të gjitha këto qëndron kontributi juaj në luftën kundër korrupsionit. Pa goditjen ligjore të këtij fenomeni, reforma konsumohet. Reformat janë jetike, janë të parat dhe të pazëvendësueshme në luftën kundër tij, por asgjë nuk ke dëmton moralin e një shoqërie më shumë se sa mosdënimi, mosndëshkimi i krimit. Në këtë aspekt, ju keni shënuar rezultate inkurajuese, premtuese, të cilat  jam i bindur se do të konsolidohen më tej.

Unë dëgjova analizën e bërë nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe lexova edhe materialin e përgatitur. Ne kemi statistika lakmuese dhe pozitive. Sidoqoftë, më duhet të ndalem në disa problem, sepse askush më shumë se ju nuk përballet direkt me këto fenomene negative. Kjo është beteja më e vështirë. Unë ju përgëzoj që në këtë betejë keni dëshmuar se betejën e parë e keni me veten tuaj. Kjo është mënyra e duhur, sepse vetëm kështu mund të fitoni beteja të tjera. Gjatë këtij viti, një numër jo i vogël i vet punonjësve të policisë, por një numër më i  madh sesa në institucione të tjera, është penalizuar për veprimtari të padenja për uniformat tuaja. Ju duhet ta konsolidoni më tej këtë betejë.  Unë ju inkurajoj ta zhvilloni edhe më the këtë betejë, sepse  në këtë mënyrë do të mund të përmbushni shumë  më mirë misionin tuaj.

Ju ftoj të përqendroheni në luftën kundër krimit  ekonomik, si drejtim kryesor i juaji. Në këtë luftë është e domosdoshme një bashkërendim i ngushtë I veprimtarisë suaj me të gjithë faktorët. Ju keni një bashkëpunim shumë të mirë me Shërbimin Informativ. Duhet të bashkëpunoni po kaq ngushtë me doganat, tatimet, ku duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ky bashkëpunim nuk është në lartësinë e duhur. Unë e di që ato janë pjesë e Task Force, por kjo strukturë nuk është antenë. Atëherë, është e domosdoshme që drejtuesit të kenë një axhendë të ngushtë bashkëpunimi. Të gjithë punonjësit e doganave duhet të jetë agjentë antidroge. Ne nuk duhet të japim rrogat atyre të cilët i dorëzohen mallrat për oriz dhe nuk shohin për drogën. Ky bashkëpunim vendoset vetëm pas një bashkëpunimi shumë të ngushtë  në nivel institucional midis  Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Doganave, Tatimeve.

Në krimin ekonomik do të veçoja pastrimin e parave. Ky fenomen i ka të dy aspektet, ka anën e padukshme të tij, por ka edhe anën e tij të dukshme, më shumë se çdo fenomen tjetër. I nderuar ministër, i nderuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kërkoj që të riorganizoni tërësisht strukturën tuaj në këtë aspekt. Ne kemi autoritetin shtetëror të luftës kundër pastrimit të parave. Ai ka një rol shumë të rëndësishëm, por absolutisht policia ka një rol më të rëndësishëm se kushdo tjetër, e cila me ligjin anti mafie ka pjesën e dukshme. Le t’i referohemi shembujve; me se ndërtohen pallatet? Shumica e tyre dërrmuese ndërtohen me paratë e pastra, të rregulla, të fituara ndershmërisht. Por ligji lejon që ju të kërkoni verifikim për çdo rast dhe në rast se nuk e bëni këtë, atëherë është policia ajo që bëhet para-pastrues. Në rast se ju e bëni këtë detyre dhe e dërgoni rastin në prokurori dhe prokuroria tregohet indiferente, para-pastrues bëhet prokuroria dhe shteti. Ne duhet të qëndrojmë fuqishëm në këtë aspekt.

Tre vjet më parë, pati  disa reagime me të cilat çuditesha, se nëse priten paratë e krimit do të bjerë rritja ekonomike. Por nuk ka  para më toksike se paratë e krimit. Prandaj, sa më shumë  t’i presim ato, aq më e madhe do të jetë rritja ekonomike dhe zhvillimi.  Ndaj, duhet të dalim tërësisht nga kjo psikologji.

Së dyti, ju e shihni që kjo qeveri po përpiqet të vendosë standardet më liberale në këtë vend, sepse ne kemi humbur shumë kohë, kemi një trashëgimi shumë të tmerrshme për sa I përket infrastrukturës dhe të tjera aspekt. Ne po bëjmë çdo gjë që të nxisim zhvillimin ekonomik, por ne jemi nga ato vende që kemi pësuar një nga dramat më të mëdha, për shkak të indiferencës ndaj sektorit privat. Çfarë ishin piramidat? Qeveria, në mënyrë absolute nuk i inkurajoi ato, por ajo u tregua indiferente. Çfarë janë piramidat e sotme në botë? Janë indiferencë ndaj  sektorit privat. Ne nuk mund të jemi kurrë indiferent ndaj veprimtarive të ndryshme. Ky është një mësim që duhet nxjerrë, që duhet mbajtur shënim. Ky duhet të jetë drejtim kryesor i punës suaj.

Lufta kundër drogës ka njohur rezultate impresionuese, por duhet të jem i hapur me ju. Nuk mund të flas për zero tolerancë në drejtim të kultivimit të kanabisit  sepse  janë prerë 300- 400 mijë rrënjë. Do të flisja për zero tolerancë, nëse policia do të kishte dërguar për ndjekje penale kryetarët e komunave dhe zyrtarët vendor, në territoret e të cilëve mbillet kanabis. Unë  nuk mund të pranoj qëndrimin e autoriteteve policore të Gjirokastrës, të cilat 4muaj  rresht nisin betejën me Lazaratin, ndërsa ata që mbjellin drogën, 8 muaj rresht qarkullojnë të lirë në Gjirokastër e në të gjithë Shqipërinë.  Mora këtë shembull, por mund të ja edhe shembuj të tjerë.

Ne duhet të tregojmë zero tolerancë në të gjitha aspektet e krimit. Nëse ju e keni të nevojshme, financimin çdo pranverë për fotografimin e territorit vetëm për këtë qëllim, ne e bëjmë këtë pa vështirësi. Por nuk mund të pranohet që ai që mbjell kanabis të ndiqet verës dhe dimrit të mos pyes më njeri për të. Duhet të ketë zero tolerancë në këtë drejtim. Të jeni të sigurt se vetëm në këtë mënyrë do të mund të kemi sukses në këtë drejtim. Krimi është një fuqi e tmerrshme kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilit duhet t’i qëndrosh në çdo sekondë, në çdo minutë, me vendosmërinë më të madhe. Sa më shumë bëhemi global, aq më shumë përballemi me të. 

Unë ju përgëzoj për punën e madhe që po bëni për të zbardhur dosjet e vjetra. Ky është një kusht sepse mbi krimin nuk flihet dhe nuk ka paqe mbi krimin.. Unë shoh statistika inkurajuese. Unë e kuptoj vështirësinë në këtë drejtim, sepse ju në këtë drejtim nuk e keni vështirësinë vetëm gjetjen e provave, por e keni me ata që zhdukin provat, me ata që kanë firmosur mbylljen e këtyre dosjeve. Por ju, me kurajë duhet të zbardhni çdo krim. Ky është një shërbim shumë i madh që ju i bëni vendit dhe vetëm në këtë mënyrë ju garantoni  se krimi do të përballet me zero tolerancë në çdo moment dhe kudo që ai të ndodhet.

Bashkëpunimi ndërkombëtar ka një rëndësi të jashtëzakonshëm. Krimi është më shumë me karakter ndërkombëtar se të gjitha aspektet e tjera. Pa këtë bashkëpunim ai nuk mund të luftohet, ndaj duhet ta konsolidojmë atë me luajalitet  të plotë ndaj partnerëve të cilët kanë dhënë dhe po na japin një ndihmë të pazëvendësueshme në luftën kundër tij.

Dua të ndalem edhe në dy problem të tjera. Së pari, problem i lirive dhe të drejtave të njeriut.  Duhet të jeni të sigurt se kam ndjeshmërinë dhe respektin më të madh për punën tuaj, por ka një çështje tjetër në të cilën jam më i ndjeshëm sesa kjo, liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Në pamje të parë, ne jemi një vend i lirë, por ne nuk jemi një vend pa probleme në liritë dhe të drejtat e njeriut.  Është shumë e gabuar nëse mendojmë këtë gjë. Sigurisht njerëzit sot lëvizin të lirë, flasin lirshëm dhe kjo është një gjë shumë pozitive. Por problem është se një pjesë e qytetarëve tanë bien në qendrat e paraburgimit, në burgjet tona, ku standardet janë të pa pranueshme. Ne po bëjmë  çdo gjë për t’i ndryshuar ato, për t’i bërë më njerëzore. Por në këtë drejtim ju keni një rol shumë të rëndësishëm. Asnjëherë nuk duhet t’i lejojmë vetës të shkelmojmë dinjitetin e tjetrit. Asgjë nuk duhet t’ju shtyjë ju drejt kësaj, edhe në qoftë se ai individ ka shkelmuar mbi dinjitetin e tij, ju nuk duhet ta bëni atë. 

Kemi pasur probleme të pakta me të miturit dhe ne nuk mund të pajtohemi në mënyrë absolute me këtë gjë. Ne jemi të vetëdijshëm se i mituri, çdo gabim që bën, çdo vendim që merr, e ka të ndryshëm nga i rrituri. Kjo kërkon që ndaj tyre të përdoret një praktikë tërësisht e ndryshme. Një i mitur që bën një krim, mund të pësojë një shok të tmerrshëm psikologjik. Për atë është fundi i botës dhe ai shkon drejt akteve të tjera. Është në detyrimin tuaj që punën tuaj në këto raste ta bëni detyrimisht në bashkëpunim të ngushtë me psikologun.

Ka edhe raste  të tjera. Janë diktuar në Shkodër  3 shtetas  të cilët kaluan 70 ditë në burg pa vendim gjykate. Ky është një akt shumë I rëndë. Jam shumë dakord  me argumentin se u lanë me urdhër të prokurorit dhe kjo është një veprim për faqe të zezë. Por nuk mund të mbahen  shtetasit  në këtë mënyrë. Afati 48 orë në paraburgim është standardi që vende të tjera e kanë vendosur shekuj më parë, afati 72 orë është gjithashtu një standard që e kanë pasur vendet edhe 300 vjet më parë. Në rast se u tregua i papërgjegjshëm prokurori, po oficeri I policisë që ndodhet aty, nuk mund të pyes se çfarë po bëhet me këta njerëz?  Çfarë janë ata?

Unë e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm qëndrimin ndaj të drejtave të njeriut. Të mos mendojë njeri se duke mos I përfillur këto të drejta do të arrijmë në rezultate më të mira. E kundërta mund të ndodhë. Ndaj unë i kam kërkuar Avokatit të Popullit dhe organizatave të tjera, që të mbikëqyrin rigorozisht respektimin e të drejtave të qytetarëve tanë në institucionet e vuajtjes së dënimit, por edhe në paraburgim. Unë nuk përjashtoj nga teoria e gabimit asnjë njeri, por ky është një problem shumë sensitiv. Ne duhet të tregojmë ndjeshmëri maksimale ndaj tij.  E theksoj edhe njëherë, Avokati i Popullit dhe të gjitha organizatat  që merren me të drejtat e njeriut janë të autorizuara të mbikëqyrin rreptësisht respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, nga ju, nga drejtoria e burgjeve dhe nga institucione të tjera. 

Viti 2009 është një vit shumë i rëndësishëm për ju në 2 aspekte, për të cilat unë jam i bindur  se ju do të tregoni veten në lartësinë e detyrës. Kam besim të plotë për këtë. Ky është  një vit zgjedhjesh dhe ju keni dy detyra të mëdha; detyra e parë është të forconi disiplinën dhe vendosmërinë dhe të mos lejoni që krimi të krijojë ndonjë iluzion dhe të mendojë se strukturat e shtetit tashmë po merren me zgjedhjet. Ju keni si detyrë ruajtjen e rendit, qetësisë, luftën kundër kriminalitetit  që është detyrë për të gjitha institucionet. Zgjedhjet janë zgjedhje, mekanizmi themelor i demokracisë, por institucionet duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre. Nuk ka gjë më të dëmshme, në rast se për shkak të zgjedhjeve, puna juaj do të dobësohej. Kjo do të thoshte qëndrim në vend numëro, ose kthim pas, të rezultateve shumë të mëdha që kemi arritur. Puna e autoritetit doganor, tatimor, e kështu me radhë, nuk duhet të ketë asnjë ndikim as nga fushata elektorale dhe as nga viti elektoral.

Por krahas kësaj, në mënyrë specifike, ju keni edhe një detyrë tjerë shumë të rëndësishme. Ju jeni pjesë e procesit zgjedhor në transportin e materialeve  të votimit. Keni krijuar tashmë një traditë për të cilën ne jemi krenarë por edhe ju duhet të ndiheni të tillë, që në dy - tre  procese zgjedhore nuk ka pasur subjekt politik që të paraqesë as ankesën më të vogël ndaj këtij procesi shumë delikat dhe shumë të rëndësishëm. Ju do të merrni të gjitha masat që ta përmbushni këtë detyrë me nder.

Së fundi, dua t’ju uroj gëzuar Vitin e Ri, juve dhe familjeve tuaja dhe dua t’ju siguroj se unë dhe qeveria ime jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha të misionit tuaj fisnik. Në këtë kontekst, ju siguroj se mbështetja do të jetë qartësisht më e madhe se deri sot, pasi edhe mundësitë janë dhe do të bëhen gjithnjë e më të mëdha,. Edhe njëherë gëzuar  ju, efektivët tuaj dhe familjet tuaja vitin 2009     

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›