BB: “ Kriza ekonomike botërore ka nisur ta prekë Shqipërinë”
Kriza ekonomike globale ka nisur ta prekë edhe Shqipërinë me të gjitha pasojat e saj, çka shihet në shumë sektorë. Ky ka qenë dje edhe mendimi i Bankës Botërore, e cila ka shuar entuziazmin e qeverisë për rritjen ekonomike, që sipas INSTAT-it, në shtator kishte arritur në 9.9 për qind. Në një intervistë dhënë për një media kombëtare shqiptare, përfaqësuesja e BB-së për rajonin, Camille Nuamah, ka folur për krizën globale si dhe ndikimet që ajo do të ketë në ekonominë shqiptare, duke i sugjeruar qeverisë një sërë masash. "Tashmë ne e dimë se kriza globale do të prekë edhe Shqipërinë dhe ata që do të goditen më shumë janë të varfrit. Shenjat e para sakaq kanë filluar, ne pamë një rënie të dërgesave të emigrantëve, çka mund të sjellë rënien e konsumit dhe importeve gjithashtu. Gjithsesi Shqipëria qëndron ende në një pozicion të mirë edhe krahasuar me vendet e rajonit. Ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kriza por është e rëndësishme që Shqipëria të ndërmarrë politikat fiskale të duhura. Nëse do të ndodh që vitin e ardhshëm të ardhurat në buxhet do të ulen, atëherë qeverisë do i duhet të korrektojë shpenzimet që bën",- u shpreh Nuamah. Përparësia e BB-së më shumë se financat publike mbeten përkrahja e shtresave në nevojë. Ndaj në këtë pikë zonja Nuamah ka dhënë një tjetër rekomandim për qeverinë. "Matjet tregojnë se te dërgesat nga jashtë, një nga burimet kryesore që mbështesin të varfrit në këtë vend, kanë rënie dhe kjo mund të këtë pasoja të rënda për ta. Ndaj sugjerimi ynë për qeverinë është të rrisë fondet buxhetore për të mbështetur këtë shtresë",- theksoi Nuamah. Ajo tha më tej se publikimi i të dhënave 3-mujore nuk mund të merren si bazë për të treguar rritjen vjetore ekonomike. "Ne e mirëpresim publikimin e të dhënave 3-mujore për Produktin e Brendshëm. Ky është një tregues shumë i dobishëm për të matur rritjen e ekonomisë në mes të vitit. Por është mjaft e rëndësishme për publikun që të kuptojë se ka një diferencë të madhe mes vlerësimeve të PBB-së 3-mujore në kuptimin e asaj se ku ekonomia po shkon, dhe rritjes ekonomike vjetore. Këta dy tregues në fillim kur një vend fillon t'i masë mund të kenë diferenca mjaft të mëdha. Ne jemi të kënaqur se shifrat e publikuara na tregojnë një pamje se ekonomia po ecën më mirë se vitin e kaluar, por e theksoj, nuk mund të bazohemi tek këto shifra për të dhënë një rezultat final për rritjen ekonomike. Kjo kërkon llogaritje të tjera", - u shpreh përfaqësuesja e BB-së, Nuamah.
27 Dhjetor 2008