Diplomacia parlamentare e sukseshme në procesin e ratifikimit të protokollit në NATO

Kuvendi gjatë sesionit parlamentar të Vjeshtës u karakterizua nga një aktivitet i dendur i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në fushën e diplomacisë parlamentare, e fokusuar kjo sidomos në përfundimin e shpejtë të procesit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Vetëm gjatë këtij sesioni, ky Dokument u ratifikua nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Aleancës. Aktualisht, nga 26 shtetet e anëtarësuara në NATO, prej tyre 16 e kanë mbyllur plotësisht këtë proces, ndërkohë që pritet ratifikimi edhe nga 10 vendet e tjera, si Belgjika, Kanadaja, Islanda, Luksemburgu, Franca, Holanda, etj.
Nënshkrimi i Protokollit për Zgjerimin e NATO-s nga Shqipëria më 9 korrik 2008 në Bruksel, shënoi dhe nisjen e procesit të ratifikimit të këtij dokumenti nga parlamentet e 26 vendeve anëtare të Aleancës, gjë që i hap rrugën anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në organizatën më të madhe ushtarake në botë.
Përpjekjet e Kuvendit për përmbylljen e këtij misioni nisën më 18 korrik me një letër, që kryeparlamentarja Topalli, në bashkëpunim me homologun e saj kroat Luka Bebiç, u dërguan parlamenteve të 26 vendeve anëtare të Aleancës. Letra e përbashkët e dy personaliteteve u kërkonte shteteve anëtare ratifikimin sa më të shpejtë të Protokollit, me synim anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO në punimet e Samitit të Strasburgut, që do të mbahet në Prill, 2009.
Letrës së znj.Topalli i dhanë përgjigje mbështetëse për ratifikim të shpejtë të Dokumentit përfaqësues të Senatit të Francës, Parlamenteve të Çekisë, Spanjës, Bullgarisë, Lituanisë, Danimarkës etj.
Në hapje të Sesionit Parlamentar të Vjeshtës (8 shtator), kryetarja e Kuvendit ftoi parlamentarët shqiptarë që të "përmbushin çdo detyrim, në mënyrë që ftesën që Shqipëria mori në Bukuresht më 3 prill 2008, ta kthejë në anëtarësim të plotë në Aleancë".
Në funksion të këtij qëllimi, kalendari i punës së Kryetares së Kuvendit Topalli, përfshiu gjatë kësaj periudhe një numër vizitash zyrtare jashtë vendit, përmes takimeve me homologë dhe personalitete të tjera. Axhenda diplomatike e znj. Topalli në periudhën shtator-dhjetor 2008 përfshiu vizitat zyrtare në Hungari, Jordani, Bullgari, Britani, Francë, etj. Ndërsa Tiranën e vizituan gjatë kësaj kohe kryeparlamentarë të disa vendeve të ftuar nga kryetarja e Kuvendit, të cilët i kanë drejtuar përshëndetje Kuvendit të Shqipërisë.
Në fokus të veprimtarisë diplomatike ka qënë aktivizimi dhe forcimi i marrëdhënieve ndërparlamentare me vendet e rajonit, vendet e BE-së dhe NATO-s, ku është parë me prioritet objektivi më i afërt i politikës shqiptare, përshpejtimi dhe inkurajimi i vendeve të NATO-s për ratifikimin sa më të shpejtë të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë.
Aktualisht, ky proces po njeh ritme të shpejta gjatë ditëve të fundit, duke i hapur kështu rrugën anëtarësimit të plotë të plotë të vendit në Aleancë në Samitin e Strasburgut, në Prill 2009.