E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vlerëson raportin e ndërkombëtarëve: Objektiv

TIRANË- Objektiv dhe të karakterizuar nga një vërtetësi e madhe. Kështu e ka cilësuar kryeministri Sali Berisha raportin final të OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet në parlamentare në vendin tonë, publikuar sot pasdite.
Gjatë një konference për shtyp, posaçërisht për këtë raport Berisha ka cituar pjesë të raportit ku nënvizohet progresi i bërë në zgjedhje, duke pranuar edhe rekomandimet për të metat dhe problemet e konstatuara.
"Ky raport karakterizohet nga një vërtetësi e madhe, vlerësim objektiv. Në fillim të këtij raporti theksohet se zgjedhjet shënuan progres thelbësor me regjistrimin e zgjedhësve, votimin, numërimin dhe shqyrtimin e ankesave. Ai thekson se zgjedhjet përmbushën shumicën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe thekson se nuk ka pasur prova për numërim të parregullt apo manipulim të rezultateve"- tha Berisha.
Ai deklaroi se raporti është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe në Evropë, duke pranuar se "natyrisht evidenton një seri të metash, shprehet qartë se zgjedhjet nuk shfrytëzuan përmbushjen e standardeve më të larta demokratike. Të gjithë rekomandimet do të shikohen me seriozitetin më të madh në programin e qeverisë sime, do konsultohen një nga një për të dhënë përgjigjen më të mirë"- tha më tej ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha ftoi liderin socialist Edi Ramën të heqë dorë nga bojkoti, pasi vendi i partisë së tij është në parlament.

17.30

Raporti për zgjedhjet, OSBE/ODIHR: Përmirësime, por jo standardet e kërkuara


TIRANË- Përmirësime, por jo plotësim të standardeve demokratike. Ky është thelbi i raportit final të zgjedhjeve të 28 qershorit për vendin tonë, publikuar sot nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Një nga përmirësimet që shënon që në krye raporti i publikuar është progresi i bërë për regjistrimin dhe identifikimin e votuesve si dhe Kodin Zgjedhor.
"zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 shënuan përprarim të prekshëm përsa i përket procesit te regjistrimit dhe identifikimit te votuesve, kornizës ligjore të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore, votimit, numërimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore"- thuhet në raport.


Por më tej, shtjellohen një sërë problemesh, ndër më kryesoret ndërhyrjet politike në procesin e numërimit, bllokimet e shumta të cilat zbehën përmirësimet e arritura.
"Por këto përmirësime të qenësishme, thuhet në raport, u errësuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, duke përfshirë ato gjatë numërimit dhe tabulacionit të votave, të cilat përkohësisht e bllokuan procesin në disa zona. Këto veprime të partive politike e minuan besimin e publikut në procesin e zgjedhjeve"- citohet më tej.

Megjithëse plotësuan shumicën e angazhimeve të OSBE-së thuhet në raport, këto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t'iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike.


Disa nga problemet
Raporti nënvizon raste të përfshirjes së panevojshme të aktivistëve të Partisë Demokratike (PD) në proces. Edhe pse zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar politik, fushata ishte kryesisht e qetë me vetëm disa incidente të dhunshme të raportuara. Të gjitha partitë që konkurruan këto zgjedhje, ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht në të gjithë vendin. "Në disa raste, fushata u dëmtuan nga përdorimi i një gjuhë tepër të ashpër"- thuhet në të.

Sipas raportit, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë marrë akuza të shumta, nga të cilat disa u vërtetuan, për presion për të marrë pjesë në fushatën e PD-së apo kërcënime për humbje të punës në raste se përfshiheshin në aktivitetet e opozitës.
"Punonjësit e sektorit publik dhe studentët e universiteteve u prekën veçanërisht"- thuhet më tej, ndërsa shtohet se "Qeveria në mënyrë të përsëritur ka përdorur evenimentet zyrtare, duke përfshirë edhe inaugurimet e projekteve të infrastrukturës, për qëllime fushate elektorale".

Për KQZ
Ndonëse vlerëson punën e bërë nga KQZ-ja si profesionale, raporti thekson se ajo shpesh nuk ndërhyri me vendosmëri të mjaftueshme kur u vunë në dukje probleme të ndryshme. Përparim i dukshëm në këtë drejtim ka qenë transmetimi elektronik i rezultateve.
"Mbledhjet e KQZ-së ishin përgjithësisht transparente dhe të kryer me profesionalizëm;
megjithatë, KQZ-ja ishte e ndarë shpesh në shumë çështje të diskutueshme. Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, u vunë re probleme gjatë emërimeve në komisionet zgjedhore"- thuhet më tej.

Votimi
Gjatë hapjes së qendrave të votimit, u vunë re një sërë problemesh. Vëzhguesit vlerësuan pozitivisht votimin në 92 për qind të qendrave të votimit të vizituara, por vunë në dukje një numër të shkeljeve procedurale. Probleme serioze kanë qenë votimi në grup apo familjar dhe problemi me bojën. Mbyllja e qendrave të votimit u
vlerësua përgjithësisht pozitive.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›