PS: Të hetohet deri në fund 'Gërdeci'
TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Penal për pushimin e çështjen ndaj Fatmir Mediut.
"Sot familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit dhe mbarë opinioni publik, drejtësia dhe shteti ligjor, u tronditën nga vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes ndaj të pandehurit Fatmir Mediu, sot deputet dhe Ministër në Kabinetin e Kryeministrit Berisha, i akuzuar si një ndër përgjegjësit kryesor për ngjarjen më të rëndë që korrupsioni shtetëror ka shkaktuar ndonjëherë në vendin tonë"- Tha Sajmir Tahiri gjatë një komunikimi me mediat.
Sipas tij, Pasi thuri planin institucional dhe ligjor për instalimin e fabrikës korruptive që i mori jetën 26 viktimave të pafajshme, pasi refuzoi të hiqte imunitetin e Fatmir Mediut, pasi kërcënoi në mënyrë të përsëritur Prokurorinë e Përgjithshme, maxhoranca e Sali e Shkëlzen Berishës, Fatmir Mediut, Fahri Balliut, Aldo Bumcit, Mihal Delijorgjit dhe e të gjithë shërbëtorëve të tjerë që me zell të verbër gatuan tragjedinë e shekullit, ushtroi presion të gjithanshëm për të bërë të mundur shmangien e fajësisë nga e vërteta dhe nga dënimi që meriton.
"Ky është një vendim turpi që nuk jep drejtësi por fsheh kriminelët dhe hajdutët shtetëror që për hir të interesave korruptive, shkaktuan 26 viktima dhe lanë në mëshirë të fatit familjarët e tyre. Ky është një vendim skandaloz që fsheh të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit pas imunitetit fals të Fatmir Mediut dhe shefave të tij në qeveri"- tha ai.
Partia Socialiste, ka vijuar më tej ai nxit institucionet përkatëse të vazhdojnë përpjekjet ligjore për të materializuar çdo iniciativë që lejon legjislacioni në fuqi për të zhveshur edhe një herë Fatmir Mediun nga imuniteti parlamentar dhe për t'i dhënë rrugë veprimit ligjor që do nxjerrin përgjegjësitë përkatëse dhe dënimin maksimal për fajtorët.