Berisha:Gati të takohem me Ramën për reformën zgjedhore

Kryeministri Berisha ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me kreun e PS-së Edi Rama për reformën zgjedhore. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se Rama nuk duhet të udhëhiqet nga dufi politik dhe të sulmojë zyrtarët e administrimit të zgjedhjeve.
“Unë jam i gatshëm ta takoj Ramën nëse ka edhe një dyshimin më të vogël tek qëndrimi i sinqertë i yni dhe vendos për ta zgjidhur problemin real. Nuk na shkon ne që të merremi me sulme personale ndaj zyrtarëve të administrimit të zgjedhjeve pasi ata kanë bërë një detyrë shumë të rëndësishme” theksoi Berisha.
Duke i bëri thirrje kreut të opozitës për të mos u marrë me koka, por me ligjet, kreu i qeverisë, Sali Berisha vlerësoi maksimalisht figurën e kreut të KQZ-së, Arben Ristani, si personalitetin më të shquar dhe më të ekuilibruar të vendit.
"Nëse marrim sulmet që Rama i ka bërë Ristanit i kalojnë ato që i ka bërë Lulzim Bashës, por nuk ishte Ristani që i bindi qytetarët e Tiranës, por ishte Lulzim Basha" shtoi ai.
Kryeministri vlerësoi punën e bërë deri tani nga komisioni i Reformës Zgjedhore, ndërsa ftoi opozitën që të mbyllet në kohë, dhe më pas të vlerësohet në Parlament.
“ E garantoj PS-në se tek ne ekziston vullneti i plotë për finalizimin e reformës në përputhje me rekomandimet e ODIHR në kohën më të afërt.Shqiptarët e kanë parë si drita e diellit vullnetin e palëkundur të Sali Berishës për të bërë kompromis. Dhe e kemi faktuar në mënyrën më të përsëritur. Ftoj Ramën që ta dëshmoj edhe ai këtë, e ka të domosdoshme edhe për veten e tij sepse në politikë nuk mund të jesh ultimativ. Edhe në luftë kërkohen mënyra të tjera. Në një vend demokratik ultimatumen nuk mund të ekzistojnë" theksoi kryeministri
Kryeministri vlerësoi gjithashtu edhe takimin që do të zhvillohet sot në Vjenë ku Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të vendosë ti japë fund mbikëqyrjes së pavarësisë.“Kjo është një ditë historike për të gjithë shqiptarët, dhe një moment mirënjohje për të gjithë ata që mbështetën autoritetet e Kosovës. Është një vlerësim maksimal për qytetarët e Kosovës, për autoritetet e Kosovës, institucionet shtetërore, administretën qeveritare, shoqërinë civile të cilët arritën me përkushtim të madh të meritojnë sot në 2 korrik vendimin për heqjen e mbikqyrjes së pavarësisë që përbën edhe një akt tjetër madhor besimi për shtetin e Kosovës ” shtoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha komentoi edhe ndeshjen e zhvilluar mbrëmë mes Spanjës e Italisë për kupën e Kampionatit Europian duke theksuar se ishte një lojë që nuk ishte parë në historinë e futbollit.