E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha:Pranë gjendjes së jashtëzakonshme

Kryeministri Sali Berisha nëpërmjet një konference për shtyp i ka bërë apel banorëve të zonave të përmbytura në veri të evakuohen. "Thirrja ime për banorët e komunës së Bushatit, Ana e Malit dhe Dajçit është të evakuohen dhe dalin jashtë zonës së rrezikut", u shpreh ai.
Kreu i qeverisë tha së gjatë natës që kaloi në Fierzë dhe në Koman prirjet janë mbidyfishuar. "Prurjet në Fierzë dhe Koman janë mbidyfishuar. Natën që kaloi, prurjet në Fierzë arritën në 1800 metër kubë në sekondë", theksoi ai. Ai pohoi se rritja e shkarkimeve në HEC-e imponohet nga situata. "Shkarkimi i liqeneve nuk mund të evitohet", shtoi Berisha.
Kryeministri i vendit ka deklaruar se nëse situata vazhdon të përkeqësohet në këtë zonë do shpallet gjendja e jashtëzakonshme.
"Një nga arsyet pse Komiteti u mblodh në Shkodër ishte pikërisht për të vlerësuar nëse duhet të shpallet ose jo gjendja e jashtëzakonshme. Nuk përjashtoj, mundet të shpall gjendjen edhe që sot. Jemi buzë shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme", pohoi ai.
Sali Berisha theksoi se nga të gjitha institucionet ka një mobilizim total për përballimin e sitatës. "Ka një monilizim total për përballimin e situatës. Ushtria dhe policia po dyfishohet, ndërkohë që Komiteti i Emergjencave është mbledhur në Shkodër", argumentoi ai.
Kryeministri i vendit ka garantuar se është respektuar rregullorja e digave. "Autoriteti i mbikqyrjes së digave zbatoi rregulloren, po ashtu edhe KESH. Spekulimi në këtë moment është amoralitet", shtoi ai.
Sipas kreut të qeverisë për situatën në vend është informuar NATO. Ndërkohë që kryeministri italian Berlusconi ka dërguar këshilltarin e tij kryesor në vendin tonë. "Po ashtu të vendosura të ndihmojnë janë edhe qeveria e Austrisë, Kosovës dhe Maqedonisë", nënvizoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›