E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha:Vizita në Bruksel, moment solem

Kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp ka bërë një ekspoze të takimeve të tij në Bruksel me krerët më të lartë të Bashkimit Europian duke e cilësuar edhe dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit të KE-së si moment solem dhe emocional jo vetëm për të por edhe për mikpritësit e tij.
"18 vjet më parë do të vizitoja Brukselin si përfaqësues i një vendi që përjetonte zinë e mjerimit dhe skamjes së thellë theksoi Berisha duke shtuar se tashmë shqiptarët po ndërtojnë idealin e tyre europian.
Berisha duke e cilësuar përgjigjet e pyetësorit si libri më voluminoz i shtypur ndonjëherë theksoi se kur e dorëzoi ndjenja e krenarisë ishte e madhe por ndjenja e përgjegjësisë akoma më e madhe.
"Në takim me komisionerin për zgjerim Fyle ai u ndal te kriteret politike të cilat janë kritere bazë për një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE dhe çështja e qëndrimit të opozitës nga Parlamenti ishte një çështje që u diskutua gjerësisht" theksoi Berisha duke shtuar se në këtë takim u ra dakort që çështja të shkojë përpara duke respektuar kushtetutën e vendit dhe transparencën europiane.
Kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar gjithashtu se ka garantuar zyrtarët evropianë se mazhoranca e drejtuar prej tij do të bëjë maksimumin për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Ndërkohë më tej Berisha ka shtuar se zyrtarët evropianë i premtuan se do të shqyrtojnë me kujdes përgjigjet e pyetësorit dhe se ata kanë vlerësuar progreset e Shqipërisë në procesin për liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›