E Diel, 1 Nëntor 2026

Berishës i komunikohet thirrja në SPAK për dosjen e 21 Janarit

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pohoi sot se i është komunikuar fletëthirrja për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me hetimet që po kryhen për protestën e 21 janarit 2011, ku u vranë 4 protestues para kryeministrisë.

Kreu i PD-së, Sali Berisha zbuloi se mori në SPAK, ku u paraqit për zbatimin e masës detyrim paraqitje për çështjen “Partizani”, fletëthirrjen për të dëshmuar në lidhje me dosjen e 21 Janarit.

“Në fakt, ata që nuk më kanë ftuar mua, kanë pasur një hall, por tani në këtë hetim më ftuan dhe unë absolutisht do vij të dëshmoj gjithçka unë di. Se kur jam ftuar, këtë do e mësoni”, tha Berisha.

Megjithatë, Berisha insistoi se ai nuk kishte pasur më parë një njoftim nga SPAK. Sipas tij ai nuk është thirrur asnjëherë sepse kanë pasur frikë nga dëshmitë e tij.

“Në mënyrë absolute nga data 3 gjer sot, asnjë person nuk ka ardhur të më thotë orë dhe datë, të më dorëzojë një letër, dhe asnjë person nuk rezulton të ketë marrë përsipër një gjë të tillë”, tha Berisha.

Berisha u shpreh më tej se edhe grupit parlamentar të PD nuk i ka ardhur asnjë fletëthirrje.

“Gazment Bardhi ka deklaruar sa vijon: në kutinë postare të grupit parlamentar të PD nuk ka ardhur asnjë njoftim dhe unë i besoj 100 herë më shumë atij se Altin Troplinit. Peleshi nuk ka sjellë asgjë. Po unë nuk mund ta mohoj po ta kishte sjellë”, tha Berisha.

Berisha shtoi se paraqitet për çdo thirrje në gjykatë apo prokurori. “Jam paraqitur dhe do paraqitem”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, kreu i PD-së tha se ai e ka cilësuar 21 Janarin si vrasje shtetërore përpara gjykatës së Strasburgut.

“Për të qenë konsekuente me veten tënde, jam unë i pari që e kam quajtur pasi njëherë u tha se ishte nga afër, u bë ekspertiza, u tha nuk janë nga afër, se kishte një ekspertizë kirurgësh dhe kirurgu e ka mbrojtur edhe dy vite më parë atë ekspertizë. Por, ekspertiza tjetër tregoi se nuk ishin plagë nga afër dhe unë bazuar në atë e kam quajtur vrasje shtetërore”, tha Berisha.

I pyetur se pse u fshinë serverat e kryeministrisë pas 21 janarit , Berisha tha “nuk kam asnjë dijeni për këtë”.

“Kryeministria nuk ka pasur asnjë lloj serveri për vëzhgimin. Në qoftë se Garda ka pasur serverin aty, është punë tjetër. Garda në kryeministri, në presidencë, në ministritë, kudo ka një zyrë të veten sepse ata kanë përsipër sigurinë. Çfarë mbajnë aty, është punë e tyre. Çfarë ka ndodhur është hetuar”, u shpreh Berisha.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›