Pirdeni: Me hapjen e të gjithë kapitujve, Shqipëria më pranë se kurrë Bashkimit Evropian

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, njëherësh zëvendëskryenegociatore për Aderimin e Shqipërisë në BE, Adea Pirdeni ka reaguar sot përmes rrjeteve të saj sociale në lidhje me hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në.
Ajo nënvizon se, sot Shqipëria është më pranë se kurrë familjes së saj natyrale të Bashkimit Evropian.
“Shqipëria më pranë se kurrë familjes së saj natyrale të Bashkimit Evropian”, theksoi Pirdeni.
Ministrja u shpreh se sot në Bruksel ishte një tjetër ditë domethënëse e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, e cila brenda një kohe rekord prej 12 muajsh çeli të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në.
“Misioni historik vazhdon pa ndërprerje për të mbyllur negociatat e hapura brenda 2027-tës dhe anëtarësuar në BE brenda kësaj dekade”, nënvizoi Pirdeni.
Pirdeni u shpreh, krenare për vlerësimin dhe mbështetjen e qartë të BE-së në këtë përpjekje të përbashkët, si dhe shprehu shumë mirënjohje ndaj punës dhe përkushtimit së secilit negociator për arritjet e deritanishme dhe hapjen e horizonteve të reja me Bashkimin Evropian.
1 nga 3/gj.m/a.f/r.e/