E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Nisim sot protesta të pandërprera deri në krijimin e qeverisë teknike

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi sot nisjen e një serie protestash të pandërprera para Kryeministrisë, të cilat i cilësoi si “foltorja parlamentaro-qytetare”.

Berisha tha se qëllimi i protestës është kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, “si hap drejt krijimit të një qeverie teknike dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira”.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë aktuale se e ka shndërruar procesin zgjedhor në “farsë të plotë” dhe se parlamenti është “konfiskuar” nga mazhoranca, duke mos lejuar debat dhe duke rrëzuar komisionet hetimore e interpelancat e kërkuara nga opozita.

“Kjo protestë thirret në kushtet kur opozita bëri gjithçka për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, por qeveria bëri gjithçka për ta shndërruar procesin zgjedhor në një farsë të shëmtuar zgjedhore. Fillimi apo çelja e siparit të stinës së pandërprerë të protestave mund të ishte më i hershëm, por këtë fillim e diktoi një kompleks rrethanash”, tha Berisha.

Sipas Berishës, çdo shqiptar që ka ideal votën e lirë dhe do të luftojë për votën e lirë, ka në duart e veta dokumente të pakundërshtueshme kombëtare dhe ndërkombëtare që provojnë se 11 maji ishte “farsë zgjedhore”.

“Pra, opozita ia doli me përkushtim dhe e vendosur të mbrojë, në kuptimin ligjor, votën e shqiptarëve, në kuptimin ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar. Rikthimi i saj është në duart e qytetarëve shqiptarë, reagimit të tyre, luftës së tyre, betejës së tyre për rikthimin e votës së lirë. PD do bëjë gjithçka në këtë betejë të vështirë. Ftoj çdo shqiptar të analizojë me gjakftohtësi të gjithë faktorët që degraduan procesin zgjedhor në farsë zgjedhore”, u shpreh Berisha.

“Ne do respektojmë çdo vendim të çdo qytetari, por unë besoj se ata qindra-mijëra qytetarë që votuan kundër qeverisë, kërkojnë t’u dilet zot votës së tyre. Protesta sot para parlamentit fillon gjithashtu për të krijuar një tribunë parlamentaro-qytetare pasi narko-parlamenti ka mbyllur çdo mundësi, çdo hapësirë dhe ka shkelur çdo të drejtë kushtetuese për opozitën. Ndaj dhe unë ftoj qytetarët e Tiranës dhe të gjithë qytetarët e tjerë që dëshirojnë të paraqiten në këtë protestë, të nisim sezonin e protestave të vazhdueshme, të shumëllojta, gjer sa të realizojmë qëllimin tonë, t’u japim mundësi shqiptarëve të votojnë si qytetarë të lirë”, tha Berisha.

I pyetur nëse protesta lidhet me thirrjen e tij në SPAK për çështjen e 21 Janarit, Berisha e quajti këtë “pretendim vulgar” dhe tha se ka shkuar dhe do të shkojë gjithmonë para drejtësisë kur thirret.

Sa i përket protestës së sotme, e cila është lejuar nga policia nga ora 18:00 deri në 20:00, Berisha tha se nuk ka plan të zgjasë përtej këtij orari, duke e cilësuar atë si hapin e parë të një sezoni të gjatë protestash kombëtare.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›