Markata e peshkut në Shëngjin – Model i ri për tregtimin e organizuar të produkteve të detit

Markata e peshkut në Shëngjin po kthehet në një pikë referimi për tregtimin e organizuar dhe të kontrolluar të produkteve të detit. E ndërtuar si investim i Ministrisë së Bujqësisë dhe aktualisht në administrim të Bashkisë Lezhë, përmes ndërmarrjes publike “Lezha Invest”, kjo markat ofron një model të ri dhe funksional për sektorin e peshkimit.
“Subjektet kanë filluar të ndërgjegjësohen dhe të sjellin të gjithë peshkun në markatën e peshkut dhe kërkojmë më shumë bashkëpunim veçanërisht nga institucionet përkatëse në mënyrë që njerëzit të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë rëndësinë e peshkut që është i certifikuar pranë markatës”, u shpreh Besmir Frroku, Administratori i “Lezha Invest”.
Administratori i “Lezha Invest”, Besmir Frroku, thekson se strukturat funksionojnë rregullisht dhe interesimi nga peshkatarët është gjithnjë në rritje, pasi kjo formë tregtimi u siguron atyre transparencë, mbështetje dhe një kanal të sigurt për shitjen e prodhimeve.
“Ne monitorojmë edhe të gjithë procesin sepse anijet do të marrin certifikimin dhe njerëzit do të kenë një treg ku do ta marrin peshkun komfort të gjitha standardeve”, u shpreh ai.
Markata shërben si pikë grumbullimi dhe shitjeje, duke garantuar cilësinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve detare. Ky model ndihmon në formalizimin e tregut, rrit besimin e konsumatorëve dhe kontribuon në mbrojtjen e shëndetit publik.
/rtsh.al/